Postuar më: 02 Qershor 2017

Inspektim i përditshëm I Doganave dhe Drejtorive Tatimore

Ministria e Financave, në vijim të informacioneve të përditësuara nga terreni, ka filluar inspektimin e Degëve Doganore, Drejtorive Rajonale të Tatimeve si dhe Institucioneve të tjera të Varësisë.

Grupet e punës të ngritura për këtë qëllim do të kontrollojnë nga afër zbatimin e VKM nr. 473, dt. 01.06.2017 per “Marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo perdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”.  

Ministrja e Financave znj. Helga Vukaj zhvilloi një takim në Lezhë me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve.

Znj. Vukaj garantoi mbështetjen e plotë për punonjësit tatimorë, në cdo rast kur ata do të ndjehen nën presion, keqpërdoren apo kërcënohen gjatë apo pas orarit zyrtar.

Nga ana tjetër, Ministrja e Financave paralajmëroi inspektorët tatimorë që kanë edhe atribute të tjera hetimore, që në asnjë rrethanë nuk duhet të jenë pjesë e fushatës zgjedhore pasi do të procedohen sipas ligjit.

Znj. Vukaj zhvilloi një takim edhe me disa prej drejtuesve më të lartë të hetimit në tatime dhe dogana. Ministrja e Financave kërkoi që strukturat vartëse të mos shantazhojnë dhe bëjnë presion ndaj bizneseve për arsye zgjedhore por të  zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në perputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria e Financave përfiton nga rasti t’ju bëjë thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie ne aktivitetet partiake. Ata jane të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Whatsapp, Viber)