Postuar më: 21 Mars 2018

Financohet projekti i ristrukturimit të Qendrës Kulturore Sadi Haliti,Prrenjas

Qendra Multifunskionale në Prrenjas, mbi 37 milionë lekë vlera e projektit të financuar nga IADSA, në kuadër të thirrjes së pestë për projekte

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj dhe kryetarja e bashkisë së Përrenjasit, znj. Miranda Rira nënshkruan sot projektin e ristrukturimit të qendrës multifunksionale në Prrenjas, projekt që do të financohet nga IADSA.

Objektivi kryesor i këtij projekti është ristrukturimi, pajisja dhe vënia në funksion e Qendrës Multifunksionale në Prrenjas për të pasuruar jetën shoqërore të komunitetit, nxitja e zhvillimit social dhe aktivitetet socio-kulturore, si dhe rritja e cilësisë së arsimimit në Bashkinë Prrenjas.

Nëpërmjet zbatimit të këtij projekti synohet përfshirja sociale e personave në rrezik varfërie dhe përjashtimi, si PAK, minoritetet, të rinjtë dhe papunët afatgjatë, gratë e pafavorizuara, migrantët e kthyer, apo të moshuarit.

Gjithashtu, ky projekt ka edhe qëllimin të mbështesë dhe të forcojë kohezionin social tek të rinjtë, fëmijët dhe të moshuarit nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete kulturore dhe sociale, të mbrojë trashëgiminë kulturore.

Shuma e zbatimit të këtij projekti, i cili u shpall fitues në kuadrin e Thirrjes së Pestë për Prozozime, është 37.316.800 Lek. Ai do të financohet nga fondet e kursyera nga projektet e financuara më parë dhe aktualisht të disponueshme të Programit të Konvertimit të Borxhit (IADSA).

I pranishëm në nënshkrimin e projektit ishte dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Alberto Cutillo.