Postuar më: 15 Dhjetor 2016

Financimi i Projektit të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta në Vlorë, vëmendje e posaçme për mjedisin dhe turizmin

U firmos sot Marrëveshja për Financimin e Projektit të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta në rajonin e Vlorës, mes Qeverisë shqiptare të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe KfË.

Projekti i integruar përfshin kredinë në vlerën 12.5 milionë euro, dhe dy grante në vlerat 7.5 dhe 1.3 milionë euro. Projekti I cili do të zbatohet për një periudhe 5-vjecare, përfshin ndërtimin e një sistemi modern të menaxhimit të integruar të mbetjeve, i cili do të garantojë mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve nayrore, reduktimin e gazrave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për popullsinë e zonës.

Landfilli do të ndërtohet në Sherrishtë të Vlorës me nje kapacitet prej rreth 350,000 ton. Pjesë e investimit do të jetë ndërtimi i sistemit të mbledhjes së gazrave, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura nga mbetjet, impianti i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme me kapacitet 60,000 ton/vit, kapacitete kompostimi për mbetjet organike me kapacitet deri në 4,200 ton/vit. Përveç ndërtimit të landfill të ri është parashikuar investimi për mbylljen e vendeve ekzistuese të depozitimit në Vlorë dhe Selenicë. Në kuadër të projektit do të furnizohen makineri dhe pajisje për pastrimin e rrugëve, për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve.

Të pranishëm në ceremoninë e firmosjes ishin Ministri I Financave Arben Ahmetaj dhe ai I Transporteve Sokol Dervishaj, Përfaqësuesi I KfË për Shqipërinë Bjoern Thies dhe zv. Ambasadorja gjermane Anke Holstein.

 

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Përshendetje të gjithëve,

Ju falenderoj për prezencën.

Sot me KfW nënshkruajmë një marrëveshje të re që do të mundësojë jetësimin e Projektit për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta në Bashkinë e Vlorës dhe ky është në fakt rasti i dytë gjatë kësaj jave, që me ndihmën dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të donatorëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, dëshmojmë serish vëmendjen e posacme që si qeveri i kushtojmë mbështetjes së pushtetit lokal, me projekte serioze, që mund dhe besoj do të bëjnë diferencë cilësore për rajonin ku do të zbatohen.

Për financimin e projektit të Menaxhimit të mbetjeve të ngurta, rajoni Vlorë, do të nënshkruhen një Marreveshje e Huaje dhe dy Marrëveshje Financimi (grante), nëpërmjet të cilave sigurohet:

  • Kredia në vlerën prej 12 milionë EUR që do të financojë kosto të investimit;
  • Granti në vlerën prej 7,5 milionë EUR që do të financojë kosto të investimit; si dhe
  • Granti në vlerën prej 1,3 milionë EUR për masa shoqëruese në kuadër të programit.

 

Objektivi i programit është dhënia e kontributit për një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta përmes investimeve në infrastrukturën e mbetjeve të ngurta dhe mbështetjen institucionale për ofrimin e një shërbimi të përmirësuar në pjesën veriore të rajonit të Vlorës. Në këtë mënyrë mbështetet strategjia kombëtare e mbetjeve si dhe harmonizimi i standarteve me ato të Bashkimit Europian (BE), përmirësohen kushtet e jetesës së popullsisë, si dhe përmirësohen kushtet mjedisore.

Nëpërmjet investimit të parashikuar për pjesën veriore të Qarkut Vlorë (bashkitë Vlorë dhe Selenicë) do të ndërtohet një sistem modern i menaxhimit të integruar të mbetjeve, i cili do të garantojë mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve nayrore, reduktimin e gazrave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për popullsinë e zonës. Gjithashtu do të rritet sasia e mbetjeve të ricikluara dhe kompostuara, si dhe minimizohet depozitimi pa kriter i mbetjeve.

Landfilli do të ndërtohet në Sherrishtë të Vlorës me nje kapacitet prej rreth 350,000 ton. Pjesë e investimit do të jetë ndërtimi i sistemit të mbledhjes së gazrave, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura nga mbetjet, impianti i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme me kapacitet 60,000 ton/vit, kapacitete kompostimi për mbetjet organike me kapacitet deri në 4,200 ton/vit. Përveç ndërtimit të landfill të ri është parashikuar investimi për mbylljen e vendeve ekzistuese të depozitimit në Vlorë dhe Selenicë. Në kuadër të projektit do të furnizohen makineri dhe pajisje për pastrimin e rrugëve, për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve.

Programi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës parashikohet të realizohet deri në fund të vitit 2021.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (Njësia kordinuese e programit PCU) caktohet përgjegjëse për koordinimin e zbatimit të programit në tërësi. Bashkia e Vlorës (Agjencia e Zbatimit të Projektit) është institucioni përgjegjës për zbatimin e programit.

Faleminderit!