Postuar më: 27 Dhjetor 2016

Ekonomia në 2016, “Viti i konsolidimit. Reformat shpërblyen qytetarët”

Prezantimi i Ministrit Ahmetaj për ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2016

Përshëndetje,

Siç e kemi bërë zakon, në kuadër të transparencës dhe informimit të mediave dhe publikut për situatën dhe ngjarjet kryesore ekonomike, duke përkuar edhe me fundvitin, kalimin e buxhetit të shtetit të vitit 2017, besoj që është momenti i duhur të bëjmë një përmbledhje të situatës ekonomike të fundvitit.

Nuk ka asnjë ndryshim nga parashikimet që Qeveria ka bërë për fundin e 2016, gjashtëmujori i parë i vitit 2016 ka rezultuar me rritje 3.21% dhe dua të ndaj me ju atë informacion që Guvernatori i BSH, z.Sejko theksoi në konferencë e tij për shtyp të para disa ditësh, ku theksonte se 6-mujori i dytë pritet të jetë më intensiv në rritje, sesa 6-mujori I parë, që përkon totalisht me parashikimet e Qeverisë dhe me indikacionet që vijnë nga tregu apo nga tregjet.

“Kjo rritje është ushqyer nga gjallërimi i konsumit dhe investimeve private, të mbështetur nga rritja e pagave dhe punësimit, nga përmirësimi i besimit, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit” – e citoj deklaratën e Guvernatorit. E theksoj dhe i numëroj një nga një të gjitha ato që ka theksuar Guvernatori, sepse dua t’ju rikujtoj se përpara disa vitesh të gjithë këto komponentë kanë qenë pothuajse negativë ose shumë negativë.

Aktiviteti në gjysmën e dytë të vitit është ndikuar dhe përshpejtimi I ritmit të realizimeve të shpenzimeve buxhetore dhe nga rritja e kërkesë së huaj në sektorin e turizmit.

Banka e Shqipërisë, thotë Guvernatori, parashikon një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë dy viteve në vazhdim. Motorri kryesor I rritjes do të vazhdojë të jetë gjallërrimi I kërkesës private, ndërkohë që politika fiskale do të vazhdojë të mbetet në kahun konsolidues dhe ambienti i jashtëm do të vazhdojë të karakterizohet nga dobësi dhe pasiguri.

Pra siç e shikoni, aktiviteti ekonomik në gjashtëmujorin e dytë ka një rigjallërim dhe një përshpejtim të mëtejshëm në krahasim me gjashtëmujorine parë të vitit 2016 dhe indikacionet janë të gjitha pozitive qoftë të konsumit, qoftë të tregtisë me pakicë dhe shumicë që do t’i paraqesim në vazhdim, qoftë të punësimit, rënies së papunësisë apo të punësimit të të rinjve.

Vijojmë me parashikimet për këtë vit, 3.3-3.5 % rritje e PBB ndërsa viti 2017 pritet akoma më i mirë se 2016, me 3.7-3.8%. Aktualisht në 6-mujorin e pare dhe në tremujorin e dytë, mbetemi vendi me rritjen më të lartë në rajon. Sigurisht që synimi është që vitin tjetër, ashtu si dhe FMN I referohet, të jemi një nga vendet me rritjen më të lartë në gjithë ish-bllokun komunist dhe janë shumë vende të përfshira në këtë kategorizim dhe mendohet, besohet, kalkulohet, që do të jemi vendi i 2 me rritje në këtë grup vendesh dhe besojmë se do të jemi të parët në rajon.

Dua të ndaj me ju performancën e mbledhjes së të ardhurave. Jemi në nivele gati 23.5 mld lekë më shumë se viti i kaluar për të njëjtën periudhë. Duke hequr sigurimet, jemi gati 15.9 mld lekë më shumë se viti i kaluar dhe jemi në nivelin e realizimit 99%. Problematika gjithmonë ka ardhur jo nga realizimi në tatime dhe doganë, por ka ardhur kryesisht nga dividenti, qoftë i ndërmarrjeve shtetërore, qoftë I operatorëve privatë dhe nga realizimi I të ardhurave në nivel pushteti vendor.

Treguesi i ndjesisë ekonomike nuk ka ndryshim. Të gjitha indikacionet janë që do të vazhdojë të jetë pozitiv. Ligji i administrimit e ka ndihmuar në tremujorin e fundit përmirësimin e ndjesisë, megjithatë ne do t’i besojmë treguesve zyrtarë, që presim të dalin së shpejti.

Tregu i punës është shumë interesant, është një e dhënë, një statistikë e dalë së fundmi nga INSTAT. Papunësia ka rënë në 14.7% dhe ajo që është shumë interesante, është rritur pjesëmarrja e forcës së punës në 58.5%. Pra papunësia në tremujorin e tretë ka një ulje prej 2.5% nga tremujori i tretë i vitit 2015, të krahasueshëm tremujor me tremujor. Indikacionet nga tregu i punës janë shumë pozitive, besoj se trendi pozitiv me ulje të papunësisë dhe me rritje të pjesëmarrjes, mendohet të vazhdojë edhe vitin tjetër.

Më në fund, fatmirësisht, së bashku me përmirësimin e ekonomisë, e influencuar vice- versa gjithashtu, ka lëvizur pozitivisht edhe kredia. Totali i huasë shënon akoma rritje goxha të vogla, por gjithsesi tendenca nga fundi i dhjetorit i vitit të kaluar dhe nga janari i këtij viti, ka një trend rritës dhe BSH në konsideratat e veta është shpresëplotë që kredia vitin tjetër do të vazhdojë të rritet, aq më tepër që në vjeshtë të këtij viti kaluam paketën shumë të rëndësishme ligjore që ndihmon në procesimin e kredive të këqija, uljen e kredive të këqija dhe në ekzekutimin e kolateraleve.

Ndërkohë që lajmi i mirë ka të bëjë me individët, prirja është e konsiderueshme dhe është një nga elementët e rritjes së kredisë më pozitive.

Sa I takon kredisë për biznesin, në lekë, kredia është rritur konsiderueshëm sic e shihni në grafik; në dollarë ka rënie dhe në euro ka gati-gati balancë të njëjtë me dhjetorin e 2015. Rritja e kredisë në lekë tregon rritje të besimit të operatorëve ekonomikë tek monedha vendase dhe tek ekonomia shqiptare dhe më ndjeni, por ky lloj besimi tek monedha e vendit, sigurisht që transferohet si besim drejtpërsëdrejti tek ekonomia shqiptare dhe unë jam i bindur që ndjesitë e sipërmarrjes së ekonomisë do të vijnë në përmirësim.

Të ardhurat e disponueshme vazhdojnë me rritje dhe 6-mujori i parë i 2016 ka një rritje 0.9 nga 6-mujori i parë i vitit 2015. Nëse i referohemi BSH, të rritja e të ardhurës së disponueshme vjen nga të ardhurat nga puna kryesisht. Janë të lidhura me atë statistikë të punësimit, të rritjes së pjesëmarrjes së forcës së punës dhe uljes së papunësisë.

Inflacioni, ka një ringjallje interesante, është shpresëdhënëse, paralel me atë përmirësim të aktivitetit ekonomik. Shqetësimet tona të muajit janar, shkurt, mars, por dhe qartësia se nga vinte, pra që ishte një ngërç i ofertës, sot e kemi të korrektuar nga tregu dhe tregon një pulsim shumë të mirë të ekonomisë dhe besoj se do të jemi në pritshmërinë vjetore që kemi deklaruar edhe brenda marrëveshjes me FMN.

Konsumi final i popullatës, ndonëse nuk kemi akoma të dhënat zyrtare të tremujorit të tretë, indikacionet e BSH tregojnë se ka një rritje të vazhdueshme të konsumit, por unë jam shpresëplotë që do të vazhdojmë edhe në tremujorin e fundit 2016, me rritje konsumi të konsiderueshme. Indikacionet e tregut janë shumë pozitive, tregtia me pakicë është një indikacion indirekt shumë domethënës, gjithësesi trendi është pozitiv dhe besoj se shumë shpejt do të shohim edhe çfarë ka ndodhur me konsumin konkretisht.

Tregtia me pakicë në tremujorin e tretë të 2016, indeksi i volumit të tregtisë me pakicë është rritur me 6.5%. Në grupin e tregtisë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, ky indeks ka pësuar një rritje prej 8% kundrejt të njëjtit tremujor të vitit 2015. I theksoj gjithmonë hidrokarburet,  sepse hidrokarburet kanë një rënie të konsiderueshme në tregun ndërkombëtar dhe çmimet e hidrokarbureve janë gati-gati të pavaruara nga përpjekja dhe nga influenca që mund të kenë nga tregun shqiptar. Influenca që ka tregu shqiptar tek çmimi është shumë I vogël.

Ndërkohë kam sjellë eksportet në total, për t’ju treguar se çfarë ndodh me ekonominë shqiptare për një sekond, e painfluencuar nga mineralet dhe lëndët djegëse. Kemi një rritje të eksporteve duke përjashtuar mineralet dhe lëndët djegëse prej 9.4%.

Ju jeni mësuar të na dëgjoni në debate politike, ku gjithëkush mund të marrë statistika dhe t’i përdori, t’i mirëpërdori apo t’i keqpërdorë, qoftë profesionalisht, qoftë politikisht. Besoj se kjo është një domethënie e drejtpërdrejtë se çfarë është duke ndodhur me eksportet. Pra, nëse do të përjashtojmë efektin e çmimeve, në tregjet ndërkombëtare kryesisht, eksportet definitive kanë një rritje të konsiderueshme dhe eksportet pa lëndët djegëse dhe mineralet, ka një rritje 9.4%, që është një rritje e konsiderueshme. 

Importi vazhdon të rritet, efekte të drejtpërdrejta ka importi i makinerive dhe pajisjeve dhe është shpresëdhënëse me atë që ne po referojmë si Qeveri dhe si Ministri e Financave, BSH në vetvete apo dhe FMN, që vitin tjetër do të fillojmë të ngushtojmë gap-in e potencialit ekonomik dhe besohet që 2018 të sjellë potencialin gati në balancë.

Ndërkohë ju kam sjellë disa zëra: import total, makineri dhe pajisje, tekstile dhe këpucë, makineri dhe pajisje dhe pjesë këmbimi 13.8%, tekstile dhe këpucë 17.6%  dhe eksporti ndryshimi në % janar-tetor 2016, ku grupiminerale dhe lëndë djegëse është reduktuar me 36.5% . 

Investimet e huaja direkte dhe dua të ndaloj një sekond këtu, është një statistikë shumë interesante dhe rrëzon të gjithë atë tymnajë që hidhet me qëllim në Shqipëri. Shikoni tremujorin e tretë, kolona e fundit, 288 mln euro një tremujor investime të huaja direkte në Republikën e Shqipërisë. Është në vite e vite tremujori më I mirë dhe deri më sot, investimet e huaja në tre tremujorë në Shqipëri janë 701 mln euro. Nëse do të kalkulonim modestisht që të njëjtën performance, dhe nuk po marr këtë tremujor, por po marr një tremujor të mesatarizuar me 200-250 mln euro në tremujor Shqipëria në 2016 do të shënojë recordin e vet në 25 vite për tërheqjen e investimeve të huaja.

Thashethemnaja dhe tymnaja e qëllimtë që ikin investitorët, fakti tregon ndryshe. Dhe jo më kot ju kam sjellë dhe shpërndarjen e stokut: industria përpunësuese 11%, industria nxjerrëse 12% , energia, gazi dhe avulli, furnizimi me ajër të kondicionaur 12%, aktivitetet financiare, sigurime 17%, Të tjera 23% dhe informacioni dhe telekomunikacioni 25%.

Ky është një lajm jashtëzakonisht shumë i mirë për vendin. Është një lajm jashtëzakonisht shumë i mirë për vendin. Sigurisht që vendi ka nevojë për shumë më shumë investime të huaja dhe unë besoj se qeveria, të gjithë bashkë pra, do të duhet të mendojmë të ardhmen ekonomike dhe burimet e ushqimit; pra çfarë do të ofrojmë për investitorët e huaj, do të duhet të rimendojmë sektorin e energjisë në kuptimin çfarë do t’i japim më shumë rëndësi, do t’i japim rëndësi më shumë kapacitetit, shtimit të kapacitetit apo bilancit momental të kompanive apo një balancë midis të dyjave dhe që sigurisht me investimet në turizëm që besoj se viti i kaluar dhe ky vit ka treguar që në territor janë investuar shtim kapacitetesh pritëse por besoj që Shqipëria ka nevojë të kalojë në nivelin tjetër në ndërtimin e resorteve të mëdha dhe të infrastrukturës turistike.

Dua të ndaj me ju që Kryeministri, në idenë e tij për të lançuar një paketë investimi që besoj do t’a lançojë së shpejti. Infrastruktura turistike, brenda infrastrukturës zë një peshë shumë të konsiderueshme me logjikën e rritjes së konektivitetit por edhe të zgjerimit të hapësirave turistike, zgjatimit të infrastrukturës në funksion të turizmit.

Ju solla investimet e huaja direkte, për një kalkulim fare të shkurtër, po të marrim shifrën e nëntëmujorit dhe të bëjmë një mesatarizim, pra mesatarizoni një nga tremujorët, mesatarizoni tre mujorin e kaluar, bëjeni llogarinë vetë që të vendosim një rekord të ri në 2016 me tërheqjen e investimeve të huaja. Jemi më lart se shumë e shumë vende të rajonit; definitivisht s’kemi asnjë lidhje më Maqedoninë, jemi shumë më lart. Kjo legjenda urbane se Maqedonia po bën namin në krahasim me ne. Asnjëra as tjetra s’po e bën namin, as ne, as Maqedonia nuk po e bëjmë namin. Por ne jemi në shifra të konsiderueshme gati 3 herë më shumë se Maqedonia në volum dhe jemi në % të GDP shumë më lart.

Doing Business është e njohur nga ju por unë jua solla për t’ju kujtuar që ka qënë një trajektore jo e thjeshtë për të ardhur këtu ku jemi dhe dua të ndaj me ju që në përmirësimin serioz që vendi pati në renditjen e fundit të Doing Business, pagesa e taksave ka patur një kontribut jashtëzakonisht shumë të madh me 45 vende përmirësim.

Sigurisht që unë sërisht do të theksoja atë që e thekson përditë Kryeministri sepse vërtet është pjesë e ndërgjegjes sonë politike që jemi të pakënaqur me atë që duam të arrijmë. Dhe po të kthehemi mbrapa për të bërë një krahasim me atë që kemi lënë pas, e sotmja s’ka të krahasuar me atë humnerë që lamë pas. Dua t’ju kujtoj që para tre vitesh mezi kishim një lajm të mirë në vit për ekonominë. Tani fatmirësisht, për shkak të reformave, nuk kemi asnjë lajm të keq. Sigurisht që Shqipëria nuk është rozë në çdo gjë në aspektin ekonomik, por ka bërë një korrektim serioz dhe është kthyer një cikël shumë pozitiv i rritjes ekonomike. Ne synojmë të kalojmë vitin tjetër gati 4% rritje dhe me paketën që ka ideuar Kryeministri, të kalojmë mbi 5% dhe mbi 6%, në mënyrë që qytetarët shqiptarë ta shohin më shumë, ta prekin më shumë, ta shijojnë më shumë atë rritje ekonomike dhe jo thjesht ta shohin si statistikë.

Nuk dua t’ju lë pa informacionin nga Moody’s, rank-imi (renditja) në B1 stabël sigurisht që nuk është rastësi. Ju e dini, e kemi ndjekur bashkë, kemi punuar bashkë, sakrificën e reformave të konsolidimit fiskal, ia kemi dalë dhe po ia dalim në një vit elektoral vitin tjetër. Imagjinoni që viti 2016, është viti i parë kur borxhi fillon e ulet. Të gjitha gjasat dhe informacionet tregojnë që borxhi shkon në 71.3% ose 71.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, në 2016, dhe në 2017 do të shkojë 69.1%, do të kemi një balancë primare të përmirësuar edhe nga ajo që kemi rënë dakord me FMN në vitin 2016 dhe do të kemi patjetër një balancë primare pozitive shumë të konsoliduar vitin tjetër.

Mos harroni që në gjithë këtë konsolidim fiskal, në gjithë këtë korrektim ekonomik, kemi arritur të tërheqim investime të huaja në ato shifra që unë jua tregova, kemi arritur të rrisim të ardhurat, kemi arritur të fillojmë uljen e borxhit publik. Kemi arritur të bëjmë të mundur paketën e solidaritetit për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike. Mos harroni që 40 milion dollarë gati u dhamë shpërblim për pensionistët. Një akt solidariteti ku një qeveri tregon që kurrë nuk harron as në ditë të vështirë, as në ditë më të mire, kurrë nuk harron të solidarizohet me shtresat në nevojë.

Dhe mos harroni që vetëm në kuadër të një viti, nëpërmjet paketës së solidaritetit dhe shumës së rritjes së pensioneve në vitin tjetër, janë gati 76 milon dollarë plus, plus, plus, shtesë të dhëna nga qeveria vetëm për një arsye, për shkak se ia kemi dalë me reformat dhe kanë qenë shtresë që gjithsesi e kanë ndjerë korrektimin ekonomik, ka ardhur koha të shpërblehen.

Janë konsideruar në vazhdimesi, mos harroni që kemi bërë një indeksim jo të vogël, gati 15 milion dollarë në maj për pensionistët, tani bëmë një paketë solidariteti për familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe me individët me aftësi të kufizuara. Bëmë paketën e shpërblimit për pensionistët, rritëm pensionet duke nisur që nga 1 Marsi me një ngarkesë buxhetore 3.6 miliardë në efekt 12 mujor dhe bëmë të mundur rritjen e pagave, rritjen më të madhe të pagave në 25 vite. Dua ta theksoj, paketa e solidaritetit gjithashtu ka qënë më e madhja në 25 vite, është momenti i duhur ku ne të bëjmë reflektim dhe të themi realisht atë që thotë Kryeministri i Shqipërisë, jemi të pakënaqur jo me atë që lamë pas, se do gjykohemi me atë që duhet të bëjmë.

Me atë që lamë pas, Shqipëria është një Shqipëri tjetër, një Shqipëri tjetër krejt, por me atë që duam të arrijmë realisht, me Shqipërinë e gjeneratës tjetër kemi ende punë për të bërë.

Këtu kam bërë një listë të reformave, sigurisht që nuk është në tagrin tim të referohem për reformën në drejtësi se unë do duhet të fokusohem tek reforma ekonomike, por duhet t’ju theksoj që reforma në drejtësi është një sukses i madh për gjeneratën tjetër. Dhe të jeni të bindur që do të ketë një influencë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e imazhit të vendit dhe në rritjen ekonomike dhe në rritjen e numrave të investimve të huaja. Vendimi i gjykatës për Vettingun është një kthesë e madhe për reformën në drejtësi dhe shpërblim për të gjithë qytetarët dhe për maxhorancën, që me këmbëngulje e ndoqën logjikën e reformës në drejtësi, e hartuan, e mbështetën, e votuan dhe tani pritet zbatimi. Mos harroni këto reforma s’janë bërë në 25 vite. Unë e kuptoj shumë mirë që për shkak të natyrës njerëzore të gjitha i marrim të mirëqëna një ditë kur ato kanë ndodhur. Por një pyetje do duhet t’ia bëjmë vetes, nuk ka ndodhur kurrë, ndodhi këto tre vite, kjo është diferencë shumë e madhe dhe këto janë reforma që jo vetëm na influencojnë ne, por nëse ne i konsolidojmë, këtyre reformave gjenarata tjetër nuk do duhet t’u kthehet, nuk do duhet të kalojë të njëjtën sakrificë dhe nëse do ta kalojë sërish, atëherë është i bie që ne kemi harxhuar kohen kot. Këto janë reforma që ne i bëjme për gjenaratën tjetër, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Ju kam ndarë disa të dhëna për vitin 2017 dhe çfarë po ndodh e çfarë ka ndodhur me balancën e përgjithshme e me balancën primare. Do t’ju lutesha si miq dhe si gazetarë, t’i fiksoni këto numra sepse një Shqipëri e tërë, qytetarët, sipërmarrja, ekonomia, ka kaluar në një sakrificë për shkak të trashgimisë dhe keqmenaxhimit e korrupsionit dhe ia kemi dalë të gjithë bashkë, rruga vazhdon, trajektorja ngjitëse vazhdon.

Për borxhin publik nuk ka trajektore ngjitëse, ka trajektore rënëse, e kemi vendosur në ligj, po e bëjmë realitet. Shikoni çfarë ndodh. Referuar FMN, e kemi marrë borxhin publik 70.4% dhe ka filluar trajektorja rënëse pas një korrektimi serioz dhe pagese një për një të borxheve të prapambetura. Të ardhurat në miliardë lekë patjetër vijnë në rritje, shpenzimet vijnë në rritje, po ndaj disa shifra të buxhetit të vitit tjetër. Buxheti i vitit tjetër është më specifik. Ka dy specifika që nuk do duhet t’i harrojmë asnjëherë. E para, është një buxhet që financon suksesin e reformave, rritjen e pagave dhe pensioneve, ul borxhin në anën tjetër. Ruan balancë primare pozitive dhe korrekton, largohet nga e kaluara e asaj që ka ndodhur në çdo vit elektoral ku shkatërroheshin financat publike. Financat publike përdoreshin si shtojcë e egos, e ambicies, e çmendurisë elektorale, jo në favor të qytetarëve, por në abuzim politik. Viti tjetër shënon për herë të parë ndarje nga ajo traditë shkatërruese që kjo ministri vendoste buxhetin në funksion të një beteje elektorale. Nuk ndodh më, e kemi vendosur në ligj, e kemi në ndërgjegjen politike, e kemi në parimet politike, po e zbatojmë në buxhetin e 2017.

Të gjithë ju keni qenë skeptikë, që do të kishim një bilanc, do të kishim një buxhet i cili do të merrte parasysh përgjegjshmërinë fiskale. Fakti sot me ligj tregon se atë ambicie politike për të vendosur shtylla në finacat publike që nuk abuzojnë me paratë e qytetarëve në asnjë vit dhe jo e jo në një vit elektoral, ne e kemi bërë, e kemi jetësuar.

Investimet publike totale në tre vitet e fundit, kanë ruajtur potthuajse të njejtën balancë. Këtu kemi një sfidë shumë të madhe, kemi nevojë për një reformë akoma më të madhe në zbatueshmëri, në mënyrë të tillë që paratë publike të hidhen në kohën e duhur, në mënyrën e duhur, me transparence, në ekonomi. Kjo sfidë, që i takon kësaj ministrie, i takon minsitrive të linjës që janë ministri zbatuese, janë njësi shpenzuese dhe sigurisht Ministrisë së Financave që gjithsesi ka rolin monitorues dhe kontrollues në bazë të tagrit të vet. Po ta shikoni vitin tjetër investimet publike vijnë në rritje. Dhe dua ta them thjesht për ju, që ta kuptoni sa të kujdesshëm jemi me balancën primare, 92% e investimeve publike janë projekte në vazhdim. Nuk bëjmë atë gabim që bëri qeveria e vjetër ku me 200 mijë dollarë hapte një tender për 10 milion dollarë. Mos shkoni më larg se pjesa veriore e unazës së Tiranës, qesharake, qesharake.

Së fundmi dua t’ju kujtoj çfarë ka dhënë Eurobondi. Shikoni se çfarë përmirësimi ka Shqipëria në ndjesinë që kanë tregjet për ekonominë shqiptare, për financat publike, për konsolidimin fiskal dhe për uljen e borxhit. Pra, eurobondi në momentin e parë e ka pasur interesin 5.75%. Ka zbritur 3.1, 4.7, ka zbritur. Nga se ka ardhur kjo? Nga përmirësimi i imazhit, nga reformat. E pra çfarëdo lloj llumnaje që përpiqemi ne t’i hedhim Shqipërisë politikisht aty në parlament, të qëllimtë, dhe jo ne, jo qeveria, jo Kryeminitri, jo une, jo maxhoranca, por opozita me qëllim, këta janë disa indikatorë që funksionojnë larg nesh. Kjo tregon se si tregjet na shikojnë. Tregjet, tregjet dhe jo mëndjet e qëllimta të sëmura.

Tregjet janë institucione që na tregojnë shpesh edhe forcërisht se çfarë performance kemi, ky është një përmirësim, për mua ky është arti i reformës, arti i reformës. Reforma ka pikturuar po e thjeshtëzoj, po e bëj metaforike, ka pikturuar atë kosto në ulje, që reflekton imazhin që Shqipëria ka sot shumë më të përmirësuar se tre vite më parë dhe patjetër, se shumë vite më parë. Kjo ishte panorama që unë doja të ndaja me ju, tani nëse ka ndonjë pyetje, do të kisha kënaqësinë që të përgjigjesha.

Pyetje - përgjigje

1 - Z. Ministër, u shprehët se do të ketë një paketë për investimet, ku do të fokusohet kjo paketë duke patur parasysh se ju keni qenë dorështrënguar këto vitet e fundit me investimet publike? A do të jetë kjo një ndryshim dore për investimet publike gjatë vitit të ardhshëm? E dyta, kush ka ndikuar në rritjen e investimeve të huaja, cilët sektorë përveç turizmit që ju përmendët?

Përgjigje: E para i takon Kryeministrit që ta shpalosë idenë e tij në detaje, unë ndaj me ju një paketë solidare shumë inovative që vepron, e theksoj, vepron që zhvillohet brenda kuadrit makrofiskal dhe bën të mundur që të investohen 700 deri në 1 miliard dollarë plus në 2-3 vitet që vijnë, por gjithsesi ajo që më takon mua të ndaj me ju, sepse i takon Kryeministrit, ideatorit të kësaj platforme dhe instrumenti që ta detajojë se çdo gjë do të ndodhë brenda kuadrit makroekonomik, nuk do të rritet defiçiti, përkundrazi do ulet, nuk do rritet borxhi përkundrazi, do ulet, por prandaj kemi bërë reformë dhe në menaxhimin e financave publike që ta bëjmë të mundur me këto instrumente.

Pyetja tjetër ishte çfarë ka sjellë rritjen e investimeve të huaja. Ja ku i keni shërbimet, janë të konsiderueshme, industria përpunuese e konsiderueshme, industria nxjerrëse e konsiderueshme, detyrimet financiare janë në ekuilibër, aty ku kanë qenë. Pra, dalëngadalë po shohim një shumë-ngjyrshmëri në terrenin ekonomik, që unë shpresoj, besoj, që në të ardhmen do të na sjellë si konseguencë shumë positive dy elementë që kanë të bëjnë me eksportin. E para njëherë, rritjen e eksporteve dhe e dyta rritjen e gamës së produkteve. Për të qenë të sinqertë, ne akoma i kemi të fokusuara eksportet në 2,3 kategori. Është sfidë ekonomike, siç është sfidë raporti eksport-import, ashtu është dhe sfidë rritja e volumeve dhe rritja e gamës, këto janë sfida të drejtpërdrejta.

2- Pas rritjes së pagave dhe pensioneve në sektorin publik, ka një diskutim mes sindikatave por edhe sipërmarrjes për rritjen e pagës minimale në sektorin privat. A ka arritur ndonjë kërkesë në Ministrinë e Financave dhe a do të diskutohet?

Përgjigje: Të falenderoj për pyetjen. Në çdo fundvit në vitet e fundit, ka një diskutim për rritjen e pagës minimale, dhe po t’i kthehemi historikisht përveç tre viteve të fundit çdo vit ka pasur nga 10.000 lekë të vjetra rritje, çdo vit. Sigurisht që, rritja e pagës minimale influencohet nga një sërë faktorësh: nga faktori historik, social, produktiviteti dhe kërkesa në treg patjetër. Unë besoj që nëse do ndjekim logjikën e 10 viteve të fundit në rritjen e pagës miniale gradualisht, besoj se do të jemi të shëndetshëm. Ka një kërkesë që ne jemi duke e diskutuar, kërkesa është për një rritje modeste brenda kuadrit edhe historik, gjithsesi jemi duke e diskutuar. Efektet i ka minimale, jemi duke folur për lëvizje modeste, të cilat janë lëvizje mekanike të pagës minimale, jo lëvizje që do të influencojnë gjithë parametrat e tjerë që nga kosto te sipërmarrja, apo kosto të tjera, apo humbje konkurueshmërie. Pra, dua t’ju parapërgatis që ky diskutim është brenda kuadrit historik të rritjes së pagës minimale, nëse do të vendosim.

 

3- Një pyetje në lidhje me paketën alternative të investimeve, mund të na thoni se cili është instrumenti?

Përgjigje: Shumë shpejt Kryeministri i Shqipërisë do të bëjë një prezantim publik të instrumentit dhe sigurisht që ju do të keni ftesën.

4- Siç e pasqyruat dhe me anë të grafikut, shikojmë që ka një rritje të investimeve të huaja direkte dhe pyetja ime është më konkrete, cilat janë ato kompani që kanë investuar kohët e fundit në Shqipëri dhe sa vende pune ka krijuar? Ndërkohë që, m.q.s përmendët dhe Maqedoninë, kompanitë që ka patur, i ka me emra konkret, të cilat kanë investuar dhe kanë hapur konkretisht vende pune. Rritjen kush e ka sjellë, cila kompani?

Përgjigje: Ke kompani të mëdha dhe kompani të vogla dhe ka një listë të gjatë që nuk do ia vlente t’i hynim me emra, por unë do t’ju bëja një sfidë mbrapsht, në kuptimin pozitiv të fjalës. Këto janë investime të huaja të investuara nga investitorë të vegjël, nga investorë të mesëm dhe investorë të mëdhenj dhe janë në sektorë qoftë industrial që është fatmirësi, qoftë shërbime që është fatmirësi, qoftë turizëm që është fatmirësi. Çdo investim i huaj është shumë shumë positiv. Janë kompani italiane, austriake, kineze, gjermane, janë kompani turke janë dhe kompani nga vende të tjera. Ajo që është shumë e rëndësishme për mua është trendi që nuk bie, por përkundrazi rritet dhe këtu dua të bëj një koment, është momenti të mendojmë se si do ta mbajm ritmin. Pra, të ulemi seriozisht të mendojmë se si do ta mbajm këtë ritëm. Çfarë duhet të bëjmë akoma në energji, çfarë duhet të bëjmë, e theksova dhe më pare, në turizëm? Pra, cili është mendimi jonë më afatgjatë për Shqipërinë.

Por dua t’ju sjell në vëmendje juve të gjithëve, por edhe juve të Monitorit që, ç’ka e shpëtoi Italinë për aq sa e shpëtoi sigurisht nga rënia drastike ekonomike, ishin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që pulsojnë në ekonomi, që sjellin punësim, por që edhe prodhojnë. Ai lloj modeli, unë nuk po them që ne jemi si Italia se ai lloj modeli është fantastik. Ne kemi kompani të mëdha sa të duash, kompani që xhirojnë nga 300 milionë e 660 milionë. Patjetër që është e rëndësishme të kemi kompani të mëdha, koorporata, kulturë koorporatash, por patjetër që duhet të kemi edhe pulsantë të vegjel, që janë shumë më fleksibël. Pra, ne duhet të kemi gamën, shumëllojshmërinë ekonomike të aktorëve shumë të gjerë, unë përsonalisht i besoj kësaj pjese. Vende të reja pune, ju e patë punsimin, 183.000 vende të reja pune në janar, investime të huaja, investimet vendase, unë nuk solla shifrën për përqindjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të investimeve të brendshme private. Në vite e vite ka qenë në rënie, ka filluar tani një rritje modeste dhe një trajektore rritëse e planifikuar gjithashtu dhe shumë positive dhe këtë nuk e them unë por e thotë BSH, e thotë FMN. Pra, nuk është e inflencuar statistika nga faktorë politiko-ekonomik, por po i referohem institucioneve të pavarura.

5- Z. Ministër kam dy pyetje. Çfarë është duke u bërë aktualisht në luftën kundër informalitetit sidomos me kompanitë e mëdha, thatë se kontrolli do të ishte në këto kompani? E dyta, jo amnistia por falja e bizneseve, janë rreth 30.000 biznese, të cilat kanë marrë një gjobë në masën 10.000 lek, çfarë do të bëhet me këto, keni përgatitur një draft në lidhje me këto çështje? Faleminderit

Përgjigje: Të falenderoj për pyetjet. Ju e dini që në terren sot është Hetimi Tatimor dhe gjithë njësitë e terrenit me një program shumë të detajuar në gjithë Republikën e Shqipërisë. Unë kam informacione të përditshme dhe ndjesi të përditshme, fokusimi do të jetë tek faturat fiskale, tek inventaret, tek skontrinot, tek e gjithë zbatueshmëria e ligjit që ka të bëjë me biznesin e vogël. Në të njëjtën kohë paralel brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet sistemit informatik, jemi duke ndjekur një logjikë paralele kundër informalitetit sidomos me kompanitë e mëdha, të cilat kanë përdorur nipte sekondare si shitës me pakicë, pa bërë diferencë me çmimin e shumicës dhe çmimin e pakicës. Nuk po flas për kompani që kanë diferencë midis çmimit të shumicës dhe niptit sekondar, kanë çuar një çmim në zinxhirin tatimor, në zinxhirin e transaksionit më të lartë, po flas për kompani që kanë abuzuar me niptin sekondar, që kanë bërë me dokumenta shoqërimi kalim malli nga shumica te pakica ku shteti ka humbur TVSH. Ju premtoj, garantoj, që ka mëse një vit që po bëhet një skanim i thellë në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të kaluar në një rivlersim të konsiderueshëm. Nuk po flas për kompanitë që i përdorin niptet sekondare në bazë të ligjit me logjikën e faturës me TVSH me çmim më të rritur nga shumica te pakica, po flas për ato kompani që i përdorin niptet sekondare si shfryrës të kundërligjshëm në zinxhirin e transaksionit duke dëmtuar seriozisht buxhetin e shtetit.

Pyetja juaj për ligjin e të gjithë fshirjeve, po patjetër që ai premtim që ka bërë Kryeministri për ato gjoba specifike që ju përmendët, për 10.000 lekshin që ka gjeneruar automatikisht sistemi në të drejtë ligjore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sigurisht që ai qe një moment specifik dhe ne kemi e përfshirë në draftin, por dua të ndaj me sipërmarrjen se nuk ka falje 1 janar 2011- 31 dhjetor 2014; kush paguan principalin i falet gjoba, tjetër gjë nuk ka. Këtë e kemi konsoliduar dhe e kemi diskutuar me FMN jo pak, por 8 muaj.

6- Z. Ahmetaj, ju sapo folët për ligjin e draftit të fshirjeve të detyrimeve të biznesit të tatimeve dhe doganave. Mund të na jepni disa detaje më tepër si e keni konkluduar këtë draft në bashkëpunim dhe me FMN? Çfarë përfshihen në detyrimet e biznesit të tatimeve dhe doganave, periudha, po makinat për mjetet motorike si do veprohet? Faleminderit

Përgjigje: Besoj që shumë shpejt do kalojë për vendimmarrje ligji sepse kemi një dakordësi të fundit me FMN që e kaluam javën e kaluar pra, që ramë dakord me ta për raportin final. Ideja tashmë e draftuar është që deri 31 dhjetor 2010, mund të ketë një fshirje. Por ajo që është e konsoliduar sot, është që per periudhën 1 janar 2011 -31 dhjetor 2014, është një balancim i detyrimeve duke afruar këtë mundësi: paguaj 100% të principalit, të falet gjoba, kjo është. Dhe ka dy lloj gjobash që janë premtuar nga qeveria që do faleshin, është ajo që ka gjeneruar sistemi për punonjësit e vetëm, 10.000 lekshi dhe ajo gjobë që iu dha kompanive për shkak të mungesës së kasave në momentin e informalitetit, që gjithsesi ka qenë gjithashtu një dakordësi e Kryeministrit që edhe ato gjoba të rrëzoheshin, vetëm këto janë. Pra, nuk ka makina, këtu jemi fokusuar jemi duke ndjekur një parim shumë të domosdoshëm për të mos krijuar pabarazi tek subjektet që paguajnë.

Faleminderit.