Postuar më: 27 Prill 2018

Dita Ndërkombëtare e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, Ministri Ahmetaj mbledh Këshillin Kombëtar të Punës

 

 

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Përshëndetje,

Kjo është hera e parë për mua që drejtoj Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës në rolin e Ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit, ndaj dëshiroj së pari t’ju falënderoj për prezencën dhe uroj që kjo tryezë sot të ofrojë diskutime cilësore dhe kontribute të frytshme për një sërë çështjesh me rëndësi që janë përfshirë në rendin e ditës.

Së dyti, takimi i sotëm jo rastësisht në fakt përkon me ditën ndërkombëtare të Shëndetit e Sigurisë në Punë dhe kjo është dhe tematika e tryezës së sotme. 

Shumë përmirësime janë bërë tashmë në këtë drejtim, siç është krijimi i  legjislacionit të ri të harmonizuar, ratifikimi i standardeve përkatëse ndërkombëtare, forcimi i inspektimit të punës, zhvillimi i fushatave për rritjen e ndërgjegjësimit.

Me këtë rast dua ta falënderoj Organizatën Ndërkombëtare të Punës ILO, për asistencën e veçantë që i jep Inspektoriatit të Punës dhe Partnerëve Sociale, në kuadrin e Projektit “Platforma e Punësimit dhe Çështjet Sociale”.

Dua të ndaj me ju dy shifra që lidhen drejtpërsëdrejti me sigurinë në punë. Në vitin 2017, janë 137 të aksidentuar në punë, nga ku pjesa më e madhe, rreth 22 % në miniera, e më pas vijojnë ndërmarrjet e prodhimit dhe sektori i ndërtimit. Ndërkohë, numri i inspektimeve në kompani për aksidente në punë është rritur në 115 nga gati 98-100 që ka qenë një vit me pare. Pra, fokusi i Inspektoratit është edhe te kjo pjesë e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Për ne shëndeti dhe siguria në punë e punonjësve mbetet një detyrim për çdo kompani private e publike dhe vëmendja jonë si qeveri e si Ministri, por veccanërisht e Inspektoriatit të Punës, do të mbetet e fokusuar tek përmirësimi i kushteve dhe standardeve që garantojnë sigurinë maksimale për punonjësit.

Ashtu sikurse mbetemi të angazhuar që të garantohet puna e denjë, e siguruar me kontribute, për të pasur një pension të denjë, përfshirë dhe vëmendjen për profesionet e vështira si minatorët dhe naftëtarët, për të cilat besoj e keni ndjekur edhe diskutimin që Kryeministri, së bashku me ministrat, ka pasur me grupe interesi, shoqatat dhe sindikatat nëpërmjet interpelancave në platformën Shqipëria që Duam.

Po kështu, është e rëndësishme të theksohet dhe efekti i rritjes ekonomike tek punësimi. Sikurse tashmë është certifikuar edhe nga raportet e Institucioneve të Specializuara ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Progres-Raporti i Komisionit Europian, vendi ynë e ka lënë pas krizën dhe skenarin Grek të 2013-ës dhe është një nga vendet me rritjen më të lartë në rajon.

Raporti i Bankës Botërore thekson se Shqipëria është vendi i parë në rajon që punësimi kalon nivelin e 50 %, e lidhur me pjesëmarrjen në forcat e punës, ndërsa papunësia e të rinjve në Shqipëri, megjithëse është akoma e lartë 26 %, është më e ulta në Rajon. Në katër vite rresht, pjesëmarrja në forcat e punës është rritur në mënyrë te vazhdueshme dhe në fund të 2017, arriti në 59.1 %, ndërsa papunësia është në nivelin e vet më të ulët historik.

Nuk janë shifra që një qeveri mund të mburret sepse papunësia vazhdon të jetë e lartë, por unë sërish dëshiroj të theksoj atë që thashë më lart, që Shqipëria e ka lënë pas  skenarin, në këndvështrimim tim, të parapërgatitur, të vitit 2013, skenarin Grek të falimentimit ekonomik, e ka lënë pas njëherë e mirë. Vazhdon të rritet me ritme të përshpejtuara dhe viti 2017 e tregoi me rritjen më të lartë në rajon.

Sic e theksova, punësimi, vetëm në mandatin e parë të qeverisë Rama janë mbi 200 mijë vende pune. Ju mund ta verifikoni, kushdo mund ta verifikojë, në 1 janar të 2013-ës ishin rreth 420 mijë vende pune, me bordero në Tatime, sot janë mbi 660 mijë, me bordero në Tatime. Pra, në katër vite janë krijuar mbi 35 % e totalit të vendeve të punës në Republikën e Shqipërisë.

Falë rritjes ekonomike të shndërruar në punësim, vendi ynë ka vazhduar vit pas viti uljen e nivelit të varfërisë dhe projeksionet e Bankës Botërore, janë për një ulje të vazhdueshme të saj edhe në vitet e ardhshme. 

Këto janë referenca nga raporti i fundit i Bankës Botërore përsa i përket punësimit, uljes së varfërisë dhe uljes së pabarazisë. Janë të faktuara statistikisht por mbi të gjitha janë të faktuara në terren. Unë sërish do ta theksoj që ne jemi larg asaj që qytetarët presin, por kemi lënë mbrapa vitin 2012, vitin 2013, që ka qenë kulmi i varfërisë po në referencë të raportit të Bankës Botërore në Shqipëri.

Falë rritjes së kërkesës së punëdhënësve, po i njëjti raport konstaton edhe një tendencë për rritje të pagave sidomos në sektorët e ndërtimit, energjisë dhe turizmit, një rritje kjo shumë e shëndetshme pasi është pasojë e vete mekanizmit të tregut, ashtu sic referohemi dhe ne, përmirësimi i fondamenteve ekonomike që shoqërohet me rritje të mirëqenies dhe këtu, patjetër që dua të sjell një statistikë të rëndësishme: INSTAT prezantoi shifren  e rritjes së konsumit, rreth 3 %, që është rritja më e madhe e konsumit në 10 vitet e fundit. 

Pra, gjithë ajo që unë i referohem për shkak edhe të natyrës së fjalëve, boloria e fjalëve në Parlament për varfërinë, për uljen e varfërisë, për ekonominë, për uljen e për ngritjen ekonomike, për punësimin, papunësinë, për fuqinë blerëse, sot pas katër vitesh pune dhe sakrifice të përbashkët punëdhënësit, punëmarrësit, qytetarët, sot ia kemi dalë të shohim dritë në fund të tunelit dhe jo thjesht të krenohemi me arritjet,  por t’i përdorim arritjet për të ecur akoma më shpejt dhe më mirë në raport me atë pritshmëri që kemi.

Krijimi i kushteve të nevojshme për zhvillimin dhe sigurinë e punonjësve, pra forcës së punës, është një e mirë publike e domosdoshme për të pasur një zhvillim të qendrueshëm ekonomik. Në këtë këndvështrim, një tjetër prioritet i rëndësishëm i është dhënë rritjes së aftësimit, pra arsimit dhe formimit profesional, si një element kyç për bërjen të punësueshëm të qytetarëve, kryesisht atyre që vijnë nga grupet me ndihmë ekonomike.

Ju, besoj jeni të njohur tashmë edhe me ndryshimin e fundit që ne bëmë me vendim qeverie, duke i ofruar të gjithë atyre anetarëve të familjeve që dalin nga ndihma ekonomike, apo edhe ata që janë në ndihmë ekonomike, të përfitojnë formim profesional në kurse të formimit profesional, duke u paguar nga buxheti i shtetit, për çdo muaj arsimim apo kurs profesional, 55 mijë lekë të vjetra që është sa gjysma e ndihmës ekonomike. Do të thotë se buxheti i shtetit, qeveria, iu ofron pagesë mujore në këmbim të një kursi profesional, pra kurs profesional falas dhe pagesë nga buxheti i shtetit, mjafton që ata të bëhen më të punësueshëm nga sektori privat.

Dua ta mbyll duke dhënë tre mesazhe kryesore që besoj janë tre shtyllat e rëndësishme për punën e denjë, sigurinë dhe shëndetin në punë:

Pjesëmarrja- çdo individ dhe kompani ka një rol të rëndësishëm për të luajtur kur flasim për përmirësimin e tregut dhe kushteve të punës. 

Partneriteti- mes të gjithë aktorëve të tregut të punës që të bëjmë të mundur që çdo punonjës të jetë i siguruar dhe i sigurt në punë.

Inovacioni- të shkojmë përtej status-quo-së dhe të mendojmë se si mund ta bëjmë punën më të sigurt dhe më të zgjuar edhe në referencë të asaj që sot nuk është më një klishe në ekonominë globale, që i referohemi si rritja e qëndrueshme dhe e zgjuar.

Faleminderit!