Postuar më: 17 Tetor 2016

Buxheti faktik 2015, Ahmetaj: "Reformat, kryefjala e buxhetit 2015"

Buxheti 2015 ishte buxhet i konsolidimit të reformave të ndërmarra nga Qeveria. Një vend të rëndësishëm për t’u veçuar zënë reforma në sektorin e Energjisë, finalizimi i kalimit të pushtetit vendor në përputhje me parimet e reformës së Decentralizimit, rishikimi i kuadrit ligjor në përputhje me strategjinë e menaxhimit të financave publike, përfundimi i procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe individëve, konsolidimi i mëtejshëm i financave publike, emetimi i suksesshëm i Eurobondit dhe sigurimi i financimit cilësor të shpenzimeve buxhetore.

Buxheti i vitit 2015 siguroi:

  • Rivendosjen e stabilitetit makroekonomik e fiskal, nëpërmjet mbështetjes së vazhdueshme buxhetore ndaj sektorëve prioritarë, të tillë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura.
  • Marrëveshje dy palëshe bashkëpunimi me FMN, për të mundësuar uljen graduale të borxhit publik dhe reformat në sektorët kyç të ekonomisë.
  • Vendosjen e një sistemi të shëndetshëm të menaxhimit financiar, i cili nuk do të lejojë krijimin dhe mbartjen e detyrimeve të prapambetura financiare, kryesisht ndaj biznesit, si dhe shlyerja e stokut të detyrimeve të që ishin krijuar tashmë;
  • Shlyerja e plotë e detyrimeve të prapambetura të evidentuara nga procesi gjithëpërfshirës i auditimit të tyre.

 

Zhvillimet makroekonomike të vitit 2015:

Rritja ekonomike

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2015 u rrit me 2.77% krahasuar me vitin 2014. Trendi pozitiv i rritjes u regjistrua gjatë gjithë vitit.

Është shumë i rëndësishëm fakti se jemi në vitin e dytë radhazi që kemi përshpejtim të ritmit të rritjes, dhe të dhënat e deritanishme janë se përshpejtimi vazhdon edhe në vitin 2016, duke dhënë një indikacion të qartë të konsolidimit të rritjes ekonomike të vendit.

Komponentët e rritjes ekonomike

Kontributin kryesor në rritje gjatë 2015 e kanë dhënë kryesisht degët e ekonomisë si ndërtimi me 1,14 pikë përqindje dhe Industria me 0,75 pikë përqindje.

Rritja ekonomike sipas metodës së shpenzimeve

Nga pikëpamja e shpenzimeve, rritja ekonomike është udhëhequr kryesisht nga kërkesa e brendshme, veçanërisht investimet.

  • Konsumi final rikuperoi në pjesën e dytë të vitit, veçanërisht gjatë tremujorit të katërt të vitit ku u rrit me 1,10 % krahasuar me tremujorin e katërt të një viti më parë (mbështetur nga normat e ulëta të interesit, rritja e flukseve hyrëse të dërgesave dhe përmirësimi i besimit në ekonomi).
  • Formimi bruto i kapitalit fiks në tremujorin e katërt u rrit me 8.56%, duke ndjekur normat e larta të rritjes prej 13.08% dhe 18.96% gjatë dy tremujorëve paraardhës. Kjo rritje është mbështetur veçanërisht nga investimet e huaja direkte, ato në sektorin e ndërtimit dhe të investimeve publike.
  • Përmirësimi i besimit të biznesit dhe rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve e reflektojnë këtë ecuri pozitive të investimeve gjatë vitit 2015
  • Konsumi Final i popullatës filloi të rikuperohet gjatë dy tremujorëve të dytë (ky trend pozitiv ka vazhduar edhe në dy tremujorët e parë të vitit 2016.
  • Ndërkohë, konsumi i administratës publike, ka vazhduar të tkurret dhe në tremujorin e IV të 2015 ku u ul me 4.33% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014, (në përputhje me konsolidimin e financave publike).
  • Kërkesa e huaj ka pasur thuajse një kontribut neutral në rritjen e PBB me 0.58 pikë përqindje, ndërkohë që kërkesa për eksportet e shërbimeve është rritur, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së shërbimeve të lidhura me aktivitetin e turizmit.
  • Eksportet për periudhën janar – dhjetor 2015 shënuan rënie prej -4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndikuara thuajse tërësisht nga kategoria “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -8,4 pikë përqindje, si rezultat i efektit të rënies së çmimeve të naftës bruto. Rrjedhimisht, nëse ecuria e eksporteve do të zhvishej nga kjo kategori, atëherë eksportet totale regjistrojnë një rritje pozitive prej rreth 3.5%.
  • Importet e mallrave për vitin 2015 u tkurrën me 1.4% krahasuar me vitin 2014. Efektin kryesor në tkurrjen e tyre e ka dhënë reduktimi i fortë i importit të energjisë elektrike krahasuar me vitin 2014 (i cili ishte një vit mjaft i vështirë në aspektin e prodhimit të energjisë elektrike) si edhe çmimi i ulët i naftës në tregjet ndërkombëtare për naftën e importuar.

Tregu i Punës

Tendencat e papunësisë dhe punësimit, sipas Anketës së Forcave të Punës 2015 (LFS 2015) flasin për një trend pozitiv gjatë vitit 2015 (trend që vazhdon edhe në 2016-ën). 

Papunësia

Krahasuar me vitin e mëparshëm pati një ulje të shkallës së papunësisë me 0,4 pikë përqindje, duke regjistruar normën 17.5%.

Punësimi

Krahasuar me vitin 2014, shkalla e punësimit u rrit në 52.9% nga 50.5%. Të dhënat tregojnë rritjen e punësimit në prodhim dhe në sektorët e shërbimeve. Krahasuar me vitin pararendës punësimi u rrit me 4,8 %.

Inflacioni

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, inflacioni mesatar rezultoi 1.9%, më i lartë se ai i vitit 2014. Rritja e normës vjetore të inflacionit reflektoi rritjen më të lartë të çmimeve të prodhimeve bujqësore sezonale, kryesisht në dy muajt e parë të tremujorit të fundit. Në muajin dhjetor, inflacioni i mallrave dhe i shërbimeve u karakterizua, ashtu si ndodh në këtë periudhë të vitit, nga vlera të larta.

Inflacioni nën kufirin e poshtëm të 2% u ndikua kryesisht nga efektet e ofertës (veçanërisht asaj të importuar). Në kushtet e mungesës së goditjeve të ofertës, presionet e dobëta inflacioniste nga kërkesa agregate rezultuan në vlera të moderuara dhe me luhatje të ulëta të inflacionit në tremujorin e katërt.

Kreditimi

Në vitin 2015, qeveria në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisw, hartuan një strategji për uljen e NPL, proces i cili ndikoi në dinamikën e kredisë gjatë vitit 2015. Në fund të vitit 2015, teprica e kredisë ra në 586 miliardë lekë, duke u tkurrur me 1.5% në krahasim me një vit më parë (nëse netohet efekti i fshirjes së kredive të humbura kemi një rritje të kreditimit me rreth 3% në terma vjetor).

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, teprica e kredisë me probleme ka rënë me rreth 15%, në nivelin 106.7 miliardë lekë, duke ndikuar në tkurrjen e raportit të kredive me probleme. Kjo ecuri është mbështetur kryesisht nga (i) plani i masave për uljen e NPL në kuadër të strategjisë dhe (ii) veprimet e bankave për ristrukturimin e kredisë.

Në uljen e rrezikut të kredisë një ndihmesë domethënëse ka dhënë edhe pagesa e detyrimeve të prapambetura ndaj sektorit privat nga ana e Qeverisë.

Si rezultat, në fund të dhjetorit 2015, raporti i kredive me probleme (RKP) shënoi 18.2%, duke rënë me 2.7 pikë përqindjeje ndaj nivelit të muajit qershor.

Pesha e kredisë në lekë është rritur gjatë periudhës. Teprica e kredisë në monedhën vendase rezultoi 229.6 miliardë lekë në fund të vitit, duke u rritur me 0.3% krahasuar me nivelin e muajit qershor 2015, dhe me 2.6% në terma vjetorë.

Të ardhurat e buxhetit 2015

  • Të ardhurat e buxhetit të konsoliduar për periudhën 12-mujore arritën në 379.2 miliard lekë ose 3.4 % më shumë se një vit më parë
  • Të ardhurat nga ndihmat rezultojnë për periudhën rreth 11.2 miliard lekë nga rreth 10.1 miliard lekë të një viti më parë.
  • Të ardhurat tatimore për periudhën 12-mujore arritën në 342.3 miliard lekë, ose 1.9 % më shumë se një vit më parë.
  • Të ardhurat nga tatimet dhe doganat arritën në nivelin 258.8 miliard lekë dhe 2.1% më shumë krahasuar me 12- mujorin e një viti më parë ose 5.4 miliard lekë në vlerë absolute.
  • Të ardhurat nga pushteti vendor arritën në 11.7 miliard lekë, 7% më pak se të ardhurat e planifikuara për këtë periudhë dhe me rënie vjetore prej 6 % ose 747 milion lekë më pak:
  • Të ardhurat nga fondet speciale arritën 71.7 miliard lekë me rritje vjetore 2.5 % ose 1.7 miliard lekë:
  • Të ardhurat jo-tatimore kanë qenë për këtë periudhë 25.6 miliard lekë nga 20.6 miliard të një viti më parë, me rritje vjetore 24.2% ose 5 miliard lekë më shumë.

Efektet kryesore që kanë ndikuar në performancën e të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat:

  • Rënia e çmimeve të bursave ndërkombëtare;
  • Rënia e normave të normave të interesit;
  • Rënia e importeve të energjisë elektrike dhe karburanteve për shkak të zëvendësimit të tyre me prodhimin vendas
  • Kosto e përjashtimeve nga TVSh;
  • Trendi në ulje i importeve, sidomos energjia-produktet bujqësorë ;
  • Pagimi i dividendëve në fund të vitit 2014, për t’i paraprirë rritjes së normës nga 10% në 15%.

Shpenzimet e Buxhetit 2015

Në totalin e shpenzimeve buxhetore të realizuara, gjatë vitit 2015, shpenzimet korente zënë rreth 81%, ndërkohë që shpenzimet për investime zënë rreth 15% dhe detyrimet e prapambetura 4%.

Shpenzimet Korente

Shpenzimet korente në fund të vitit 2015, kanë arritur në nivelin 350 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto shpenzime rezultojnë 9.7 miliardë lekë më të larta ose rreth 3.1 për qind më shumë.

Shpenzimet e personelit përfaqësojnë rreth 21 për qind të totalit të shpenzimeve korrente dhe rreth 16.5 për qind të totalit të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, të realizuara gjatë periudhës janar-dhjetor 2015. Kundrejt planit vjetor këto shpenzime janë realizuar në masën 100 për qind.

Shpenzimet për interesa përfaqësojnë rreth 11 për qind të totalit të shpenzimeve korrente të realizuara gjatë periudhës janar-dhjetor 2015 ose 38.6 miliardë lekë, paraqesin një nivel realizimi prej 98.1 për qind të planit vjetor.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, arritën në rreth 42.4 miliardë lekë nga 41 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin fillestar ose me një nivel realizimi vjetor prej 98 për qind. Pra, këto shpenzime rezultojnë në rreth 1 miliard lekë më të ulëta se plani vjetor dhe 9.3 miliardë lekë (ose 28 për qind) më shumë se realizimi i tyre në vitin 2014. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për vitin 2015 janë orientuar në sektorë prioritarë të infrastrukturës dhe ekonomisë. Në këtë zë përfshihen edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj individëve dhe biznesit të akumuluara prej vitesh nga qeveria e mëparshme.

Shpenzimet e qeverisjes vendore zunë rreth 10 për qind të shpenzimeve korrente për vitin 2015. Për periudhën janar-dhjetor 2015, shpenzimet e pushtetit vendor kanë arritur në 34 miliardë lekë, nga 42.9 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2015, duke rezultuar me një  kursim prej 8.8 miliardë lekë ose 20.5 për qind në terma vjetore. Në këtë kursim përfshihet edhe një pjesë e fondit të zhvillimit të rajoneve që reflektohet si përdorim në zërin e investimeve me financim të brendshëm. Kundrejt planit vjetor këto shpenzime paraqesin një nivel realizimi prej 79.5 për qind. Në krahasim me vitin 2014, këto shpenzime rezultojnë 1 miliard lekë më të larta ose 3.3 për qind më shumë. Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2015, janë ndër më të mëdhatë në 10 vitet e fundit.

Shpenzimet Kapitale

Shpenzimet faktike kapitale arritën në nivelin afërsisht 63.1 miliardë lekë, nga 61.7 miliardë lekë të planifikuara për periudhën 12-mujore, duke shfaqur kështu një nivel tejkalimi në realizimin vjetor prej 102.2 për qind. Në terma absolute, investimet publike për vitin 2015, rezultojnë rreth 1.3 miliardë lekë më shumë se plani vjetor. Megjithatë, duhet të mbahet në konsideratë fakti se, ky zë shpenzimesh përfshin edhe fondet e alokuara gjatë vitit nga fondi rezervë dhe kontingjenca për investime si dhe një pjesë nga fondi i zhvillimit të rajoneve që përdoret nga Ministritë dhe institucionet.

Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm, arritën në 38.1 miliardë lekë nga 35.5 miliardë të planifikuara me një nivel realizimi 107 për qind. Në krahasim me vitin e kaluar investimet me financim të brendshëm rezultojnë rreth 5 miliardë lekë ose 10 për qind më të larta.

Ndërkohë, investimet me financim të huaj, të planifikuara në nivelin 25.1 miliardë lekë, u realizuan në masën 24.9 miliardë lekë ose në krahasim me vitin 2014 kemi një rënie prej 2.2 miliardë lekësh. Buxheti i investimeve për vitin 2015 ka financuar sektorë dhe degë të ndryshme të ekonomisë, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejt në rritjen ekonomike për këtë periudhë.

Deficiti

Deficiti faktik në vitin 2015 vlerësohet në 58.2 miliardë lekë. Nëpërmjet huamarrjes është financuar 50.3 miliardë lekë, ndërkohë që pjesa tjetër i përket privatizimeve, rivlerësimit të gjendjes së arkës, etj. Deficiti është financuar tërësisht nëpërmjet huamarrjes së jashtme, ndërkohë që huamarrja e brendshme ka qenë negative, për shkak të kushteve të favorshme të tregut të huaj dhe për shkak të përpjekjes së Qeverisë për të ulur presionin në tregun e brendshëm me qëllim  stimulimin e kreditimit të sektorit privat.

Më konkretisht, nëpërmjet huamarrjes së brendshme u financuan -17.3 miliard lekë, ndërkohë që 67.6 miliardë lekë u financuan nëpërmjet huamarrjes së huaj, e cila përfshin financimin e projekteve të huaja, mbështetjen buxhetore, Eurobondin dhe PBG.

Nëse e zhveshim nga efekti i detyrimeve të prapambetura, deficiti i vitit 2015 shkon në vlerën relative prej 2.8% e PBB-së. Ky është nga deficitet më të ulët të historisë së vendit (i krahasueshëm vetëm me vitin 2014). Nëse do ti referohemi balancës primare, për vitin 2015 do të kemi një “kontribut” të qeverisë për rritjen e borxhit praktikisht 0. (Aneks 8)

Financimi i deficitit me instrumente te favorshëm

Falë ndërmarrjes së reformave të vështira dhe të thella, partnerët ndërkombëtar na dhanë akses në instrumente financimi tejet të favorshme për ne. Për sigurimin e PBG-së (garancinë e bazuar në politika për financat publike në Shqipëri) janë ndërmarrë një sërë reformash (kushtesh paraprake):

  • Reduktimin e detyrimeve të prapambetura, si dhe shlyerjen e tyre;
  • Vendosjen e tavaneve 3-vjeçare për shpenzimet buxhetore;
  • Raportimin mujor nga ana e gjithë ministrive lidhur me respektimin e planit të miratuar të shpenzimeve;
  • Përditësimin e software të sistemit të thesarit dhe implementimin e PFM-së;
  • Miratimin e një ligji mbi pensionet;
  • Reforma në energji.

Nga pikëpamja financiare u sigurua për vendin një financim prej 250 milion Eurosh, me maturim (mesatar) prej 8.5 vjetësh dhe një normë interesi prej rreth 2.65%. Pra ky instrument ka një kohë maturimi tejet më të lartë sesa stoku aktual i borxhit (3,100 ditë) dhe një normë interesi shumë të favorshme.

Borxhi

Menaxhimi i borxhit gjatë vitit 2015 ka pasur si objektiv kryesor sigurimin e financimit të nevojave të Qeverisë për të shërbyer detyrimet që lindin nga borxhi ekzistues, si edhe detyrimet e krijuara nga diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve. Në të njëjtën kohë, shumë e rëndësishme për menaxhimin e borxhit ka qenë realizimi i objektivit për uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve dhe mbajtjen nën kontroll të kostove të borxhit. 

Viti 2015 ka qenë një vit intensiv për menaxhimin e borxhit të Republikës së Shqipërisë, për shkak të nivelit të lartë të financimit të borxhit ekzistues, ku vlen të përmendet kryesisht rifinancimi i rreth 60.3% e borxhit të brendshëm dhe rifinancimi i Eurobondit të emetuar në vitin 2010 në vlerën e 300 milion Euro. 

Gjatë vitit 2015, nëpërmjet instrumenteve të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm gjithsej u financuan 545.7 miliard Lek ose 37.8% e PBB.

Pavarësisht nivelit të lartë për t’u financuar, menaxhimi i borxhit në bashkëpunim me strukturat e tjera përgjegjëse për menaxhimin e likuiditetit në Ministrinë e Financave, financoi me sukses të gjitha nevojat e Qeverisë Qendrore duke përmbushur në të njëjtën kohë objektivat strategjikë për:

  • Uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve (rrezikut të rifinancimit, rrezikut të normave të interesit dhe rrezikut të likuiditetit)
  • Uljen e kostove të borxhit
  • Uljen e presionit të huamarrjes në tregun e brendshëm
  • Ri-afirmimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Instrumentet që mundësuan realizimin e objektivave strategjike janë obligacionet afatgjata (7 vjeçare dhe 10 vjeçare) në tregun e brendshëm, si edhe PBG dhe Eurobond-i në tregun e jashtëm.

Në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj rreziqeve, menaxhimi i borxhit u fokusua në dy drejtime kryesore: (i) në drejtim të rritjes së peshës së instrumenteve afatgjata nëpërmjet emetimit të obligacioneve 7 dhe 10 vjeçare me norma interesi fikse, dhe (ii) në drejtim të uljes së peshës së instrumenteve me afat maturimi relativisht të ulët nëpërmjet procedurës së maturimit dhe buyback, që u mundësua nga shtesa (400 milion EUR) e financimit nga instrumenti i PBG dhe Eurobond.

Ulja e ekspozimit ndaj rreziqeve zakonisht shoqërohet me rritje të kostos, por gjatë vitit 2015 menaxhimi i borxhit e ka realizuar këtë objektiv me një kosto relativisht të ulët, duke shfrytëzuar rënien e normave të interesit për titujt afatgjatë në tregun e brendshëm, si edhe duke financuar 700 milion EUR (PBG+Eurobond) në tregun e jashtëm me një kosto mesatare prej 3.5% dhe jetëgjatësi mesatare prej 7.25 vite.

Nga ana tjetër, vetë shtesa e financimit nga PBG dhe Eurobond ka bërë të mundur uljen e ofertës për hua në tregun e brendshëm, duke ulur presionin mbi normat e interesit (në vitin 2015 si edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2016) dhe duke stimuluar rritjen e kreditimit të sektorit privat.

Emetimi i Eurobond-it në muajin nëntor, përveçse mundësoi rifinancimin e Eurobondit ekzistues dhe mundësoi përmirësimin e strukturës së borxhit të brendshëm, shërbeu edhe si instrument për përmirësimin e imazhit dhe ri-afirmimin e vendit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Në përfundim, buxheti 2015 i përmbushi objektivat e tij kryesorë, duke mbështetur reformat, garantuar konsolidimin e mëtejshëm fiskal dhe përforcuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, arritje që shërbejnë si themele të shëndetshëm mbi të cilët është bazuar ecuria tejet pozitive e ekonomisë në vitin 2016, sikurse është reflektuar në shifrat e deritanishme dhe jam i bindur, do të vazhdojnë të furnizojnë rritjen në 2017, në përputhje me projeksionet që do të kemi rastin shumë shpejt t’i prezantojmë me buxhetin 2017, buxhet i orientuar nga zhvillimi, financimi i reformave dhe rritja e pagave dhe pensioneve.