Postuar më: 20 Tetor 2016

Buxheti 2017, vazhdimësi e rritjes ekonomike. Suksesi ekonomik, shpërblimi i reformave!​

Përshëndetje,

Do ishte normale të takoheshim në Parlament dhe të gjitha grupet të flisnin me seriozitet për atë që ka kaluar. Grupi i Partisë Socialiste dhe Qeveria e Aleancës të flase për ato që ka premtuar dhe grupi tjetër apo grupet e tjera, të flasin për ato që ne premtuam dhe ndoshta nuk i kemi bere akoma, në favor të zgjedhësve të tyre, dhe sigurisht jo të devijojnë, për të mos thënë degjenerojnë debatin në vulgaritete që në fakt, janë të regjistruara në vite nga ana e ju të djathtëve. 

Unë me kënaqësi i kthehem post-faktum të gjithë historisë ekonomike të Aleancës dhe është një ditë e rëndësishme për të pranuar ato suksese, për të përmendur ato premtime dhe patjetër, për të ndaluar edhe tek ato probleme që ka ekonomia e Shqipërisë, e përkthyer me ekonominë rajonale dhe ekonominë globale. 

Çfarë emri do t'i vëmë sot buxhetit të vitit 2015? Do t'i vëmë emrin e konsolidimit të drejtpërdrejtë të reformave! Ishte viti i dytë i plotë për një qeveri me buxhetin e vet dhe ajo që e konsolidoi buxhetin dhe politikat ekonomike, ishin vetëm reformat. 

Çfarë ndodhi me ekonominë në vitin 2015? Në vitin 2015 ekonomia shqiptare u rrit 2.8%, e thënë nga të gjitha institucionet. Nga pikëpamja e shpenzimeve, rritja ekonomike është udhëhequr kryesisht nga kërkesa e brendshme, veçanërisht investimet. Konsumi final u rikuperua në 6-mujorin e dytë 2015, pra vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, ndërkohë pati influenca të drejtëpërdrejta pozitive në formimin bruto te kapitalit fiks në tremujorin e katërt, i cili u rrit 8.56%. Nga se erdhi kjo rritje, sepse debati do ishte nga se financohet rritja? A shtë rritje e sëmurë, apo është rritje e qëndrueshme? Ky duhet të ishte diskutimi. Rritja është mbështetur nga investimet e huaja direkte dhe kjo nuk thuhet nga ne, thuhet nga BSH dhe nga institucionet ndërkombëtare.

Rritja është mbështetur nga investimet e brendshme në sektorin e ndërtimit, i cili pas shumë e shumë vitesh për gabime fare strukturore, më në fund ka filluar të ringrihet dhe nga investimet publike. 

Një korrigjim për këdo që tenton të mos i referohet statistikave. Investimet publike arritën së bashku me FZHR-në 5.1% e PBB dhe bëhet fjalë për gati afërsisht 780 mln dollarë të hedhura në ekonomi nga llogaria kapitale dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.  

Më tej kemi debatuar për eksportet dhe për importet. Është e vërtetë që nominalisht në vitin 2015, eksportet ranë. Ranë për arsye të çmimit të naftës dhe të mineraleve, që janë element që nuk kanë të bëjnë fare me atë që bën një Qeveri. Por nëse do të shikojmë eksportet definitive, ato janë pulsi i ekonomisë shqiptare, janë ato që tregojnë se si funksionon struktura reale ekonomike shqiptare, u rritën me 3.5%. Na duhet ta pranojmë këtë. Çfarë ndodhi me importet? Importet patën të njëjtin problem për shkak të çmimit të naftës, por importi i makinerive dhe pajisjeve ka njohur vetëm rritje dhe këtë vit rritja shkon tek 17%. 

Është qesharake që nga njerëz seriozë të flitet për investime që i ka sjellë Sali Berisha - kush i solli këto, kush i solli ato, apo debati se kush e solli Bankersin. A mund të vijë këtu grupi parlamentar i 2004-2005-es dhe të thote: - “Po, ne i sollëm investimet. Ne e sollëm Vodafone, ne e sollëm Raiffesen, AMC, Bankersin, ne sollëm këtë apo atë, dhe pastaj t'jua zerojmë ju nga rritja ekonomike e 8 viteve? Është qesharake për të mos e thënë me tepër. E qëllimtë? Po të jetë e qëllimtë është argumenti më i pavlerë, më i pabazuar që të sillesh profesionalisht në një Parlament.

Viti 2015 për të gjithë ata që janë të interesuar për statistika korrente, njohim rekordin e investimeve të huaja. Rekord, 890 mln euro dhe është vendi i dytë në rajon në raport me PBB. Nga erdhën këto? Erdhën nga sistemi financiar, erdhën nga turizmi, erdhën nga energjia. Patjetër që erdhën nga energjia. Një vend nuk fragmentohet as në kohë, as në hapësirë. Një vend konceptohet i tërë, një ekonomi konceptohet e tërë. Prandaj kur flasim për 2015, asnjëherë nuk duhet të harrojmë 2011, 2012 dhe patjetër asnjëherë nuk duhet të harrojmë çfarë ndodh në 2016, sepse konseguenca e politikave ekonomike matet vit pas vitit. 

Sot pas tre vitesh mund të themi që kemi krijuar një model të ri ekonomik. Një model të ri ekonomik, i cili synon rritje të prodhimit vendas, tërheqjen e numrave seriozë në turizëm dhe turizmi ka njohur rritje dy shifrore dhe ka financuar një pjesë shumë të madhe të rritjes së shërbimeve dhe direkt ka financuar një pjesë shumë të madhe të rritjes së konsumit. Mendojeni kete qe ka ndodhur në vitin 2016, pas një rritje të vitit 2015 prej 3.2%, po shkon një rritje 3.4-3.5%.

Patjetër që pyetja e shëndetshme nga se financohet? Po financohet nga të njëjtat instrumenta: nga investimet e huaja, nga rritja e investimeve të brendshme. Jo po është ulur volatiliteti i ndërmarrjeve. Nuk është ashtu, por edhe sikur të ishte ashtu, ka kursime që financojnë rritjen dhe fatmirësisht pas 3 e më shumë vitesh, më në fund ka gjallërim të kredisë për koorporatat. Vit me vit është 3% në fund të shtatorit rritja e kredisë dhe rritja e kredisë për konsumin, pra kredia konsumatore është dyshifrore. Kjo tregon se qytetarët shqiptarë kanë besim tek ekonomia shqiptare. 

E mbani mend para 3 vitesh kur debatonim dhe ishte debati më I zjarrtë në ato kohë dhe nuk është më. Nuk ishte reforma në arsim, nuk ishte fantashkenca e kanabisit, ishte vetëm një fjalë nga ish lideri juridik dhe faktik- "Skenari Grek". Ku e keni skenarin grek? E uruat. E uruat dhe flisnit për të varfrit, ju që i shkatërruat të varfrit. E uruat skenarin grek dhe tani vini gjeni këtu vrima të vogla në gjithë fabrikën ekonomike për të ngritur argumentin qesharak se ka rënë rritja. Rritja ne 2016 do jete 3.5% dhe po ju them se është performancë e shkëlqyer në krahasim me shumë vende të Rajonit. 

Vazhdojmë më tej. Krahasimi I politikave fiskale. Ne erdhëm në pushtet duke thënë që kush fiton më shumë, do paguajë më shumë. Atë po vazhdojmë të bëjmë. Kush fiton më pak, do paguajë më pak dhe taksa progresive ishte shembull. Çfarë ka ndodhur me taksën progresive? Ja vlen ta diskutojmë. Sepse kemi bërë debate se sistemi juaj i taksave do rrëzojë ekonominë, do largojë investitorët. Do bëj një krahasim fare të shkurtër me sistemin tuaj të taksave duke krahasuar atë taksë të sheshtë tuajen dhe taksën progresive tonën. Çfarë ndodh me taksën progresive? Me taksën progresive iu dha mundësi klasës së mesme të Shqipërisë të marrë marrë mbrapsht në xhepat dhe tryezat e veta 110 mln dollar nga 643 mijë të punësuar.

E dini sa vetave iu është rritur taksa? Vetëm 18 mijë vetave. E dini sa iu është ulur? Mbi 620 mijë të punësuar kanë parë ulje taksash dhe kanë marrë mbrapsht, për shkak të një politike shumë të qartë fiskale, 110 milion dollar. Thoni çfarë të doni, por skenari grek ka ngelur 4 vite mbrapa e 1000 milje larg e jo vetëm që ka ngelur larg, por me atë politike ekonomike që po ndiqet, me atë konsolidim fiskal që po ndiqet, nuk ka më asnjë mundësi që dhe në ëndrrat e veta më të këqija, ta planifikoje skenarin grek në Shqipëri.

Po ju sjell dy krahasime fare interesante që kanë të bëjnë me taksën e sheshte dhe taksën progresive. Po mirë, si ka mundësi që ju e keni mburrur taksën tuaj te sheshte dhe ndërkohë e morët me 6.5% rritje ekonomike në 2005-ën? Rritët borxhet çdo vit 2.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Si ka mundësi që jo vetëm që rritët taksat, jo vetëm që i vutë një 10% shqiptarëve, atyre që “me demek” ju i qani hallin - të varfërve, që s’keni asnjë lidhje. Po si ka mundësi që e morët me 6.5% rritjen ekonomike dhe e latë nën 1 %? A mund të më thoni ç’farë politike fiskale, monetare, ekonomike, makroekonomike ndoqët? Me çfarë mburreni ju?

Dhe tani po ju marr politikën tonë fiskale, ulje e taksës, taksa progresive. Çfarë ndodhi? Investime në shumën rekord 890 milion euro. Rritje ekonomike e konsoliduar nga 1% ne 3.4 % po shkon. Po të ardhurat? Të ardhurat po rriten vit pas viti, nominalisht këtë vit thotë Raporti Komisionit Europian me 9.7% rritje dhe brenda kësaj periudhe tre vjeçare, u bënë reforma që s’ishin prekur kurrë, asnjëherë.

Pse nuk i përmendni sot 726 milon dollare që i grabitët bizneseve, sipërmarrjes apo edhe njerëzve në nevojë, 44 milione dollare iu kishit mbajtur njerëzve në nevojë. Ku jeni ju që i qani hallin të varfërve, ku jeni? Edhe mos harroni që janë politika që nuk i keni prekur: Politika e pensioneve, a e dini çfarë do të ndodhe me pensionet që nuk I kishit prekur kurrë ne 20 vite?! Këtu e kemi sfiduar qeverinë tuaj, i kemi thënë pse nuk e sjell reformën e pensioneve? “Me jepni konsensusin”, tha Ministri juaj I Finanacve. Ia dhame konsensusin, nuk e solli. E dini çfarë do të ndodhte po të mos e kishim bërë? Sot defiçiti për 6 vite do të ishte 2.6%. Shkatërrim.

Po me energjine çfarë ndodhi? Me energjine, sot nuk do të kishte drita përveçse nuk do të kishte buxhet, sepse shkonte buxheti për të garantuar vjedhjen që ndodhte në KESH, në OSHE, në CEZ e po të doni edhe në gjithë zinxhirin energjetik. Po pse do mbanit pushtetin duke ju thënë njerëzve vidhni, s’ka problem se këtu jemi? Mbaron një ditë, siç mbaroi një ditë dhe nuk mbahej më.

Doni reformen në arsim? Ja ku e keni dhe reformën në arsim, prap post factum do flasim pas një viti. Edhe të falur nuk dini të kërkoni, megjithëse ata amerikanët që ju këshillojnë thonë kërkoni sa më shumë të falur.

Do t’ju sjell një shifër shumë interesante nga të ardhurat, mos harroni që nga 726 milion dollarët, 170 milion dollare ja kishit mbajtur biznesit si TVSH e parimbursuar, që ia rimbursuam ne. Kur vini flisni për të ardhurat dhe për administrimin fiskal, mos harroni dy vite që tregojne profilin fiskal të qeverisë tuaj të vjetër. Të ardhurat tatimore thoni në vitin 2011 ishin 23.4 % e prodhimit të brendshëm bruto, në 2012, 22.6. Po 1% e prodhimit të brendëshm bruto ku shkoi? Ku shkuan? Se vini dhe kërkoni llogari. Ku shkuan 150 milion dollare, ku, kush i mori? Gjejeni kush i mori, silleni në parlament, na tregoni efektivitet fiskal. Po qe se do t’ju hiqja dhe 170 milione, do shkonit 21.2 %. Ku ikën 400 milion në një vit, çfarë i bëtë 400 milion dollare në një vit? Thojini qytetarëve sot dhe pastaj hajdeni kujtohuni ndonjë mandat tjetër, t’u kërkoni votën. Tregojini ku i keni çuar 400 milionët?

Po kush pati guximin të prekte “republikat e kanabisit” nëpër territor, asnjëherë s’e patët. Çfarë tha ish-kryeministri? Ne i rrethonim tha, i prisnim ujin dhe dritat. Po kjo është qesharake, të tallesh me sakrificën e një policie dhe një shteti të tërë.

Po për papunësine, se kam dëgjuar këtu dhe ish kolege të mi që vijnë qahen për papunësine. Dua t’ju numëroj 173 mijë vende të reja pune. Eshtë ulur papunësia 15.9 %. Po faktin kur debatonit këtu se po ikin shqiptarët nga mjerimi?! Po mire, pse nuk dilni tani që kanë rënë shifrat ndjeshëm, pse nuk dilni të thoni, duhet të jetë përmirësuar ekonomia. Po të paktën ndiqni logjikën tuaj dhe thoni të kundërtën e asaj qe thoni bazuar në logjikën tuaj. Tani që shifrat e emigrimit kanë rënë, i bie që ekonomia është rritur, patjetër që është rritur ekonomia, por mbi të gjitha, është shkatërruar një skemë korruptive, abuzimi me emocionin e qytetarëve nga institucionet e shtetit.

Çfarë problemesh kemi pasur në 2015? Në 2015 kemi pasur disa probleme që duhen adresuar patjeter, se ekonomia nuk është rozë. Duhet adresuar kreditimi ne ekonomi, rritet ekonomia me 3-3.5% por kreditimi është larg shifrave që duhet të jetë. Cila është arsyeja? Kemi nevojë të bëjmë një reformë të thellë në sektorin financiar dhe ligjet që kemi cuar në parlament që miratohen në nëntor, janë thelbësore për të ndryshuar atë sistem financiar dhe perqasjen e sistemit financiar me kredimarrësin, pra një marrdhënie e re mes kredimarrësit dhe kredidhënësit dhe logjika e kolateralit në mes, në favor të interesit publik. Cili është interesi public? Eshtë shëndetshmëria dhe siguria e depozitave që vjen nëpërmjet shëndetshëmrisë së sistemit bankar dhe ekzekutimit të kolateralit aty ku kolaterali duhet ekzekutuar.

Po kush i bëri këto? I bëtë ju? Jo, ju as nuk prekët keto. I bëmë ne edhe pse ishim të bindur që mund të kishte edhe reflektim elektoral. Nuk pati në 2015, sepse njerëzit na kanë dhënë besim. Jam 100% I bindur që nuk do ketë reflektim negativ por përkundrazi, do ketë reflektim pozitiv në 2017 sepse reformat paguajnë qytetarin mbrapsht.

Cfarë po ndodh sot. E ardhura e disponueshme është rritur dhe Banka e Shqipërisë thotë dhe arsyet pse është rritur. Ështe rritur nga e ardhura nga puna thotë dhe nga e ardhura nga remitancat. Cfarë duhet të bëjmë më mirë ne, sigurisht eshte të ulim informalitetin. Informaliteti vazhdon të jetë i lartë, ka nevojë për një qasje të thellë që të prekë administrimin, të prekë përmirësim rrënjësor të integritetit të institucioneve që mbledhin të ardhurat dhe të përmirësojnë atë që quhet “rule of law” pra ligjshmeria në ekonomi. Patjetër që këtë e pranojmë, pranojmë që 2015 ka patur vështiresitë e veta , patjetër që e pranojmë, ama nuk duhet harruar që reformat bënë të mundur që te dilnim në tregun ndërkombëtar me Eurobondin me shumë sukses dhe të zgjatej maturimi I borxhit në 731 ditë, nga një borxh me risk afatshkurtër që të rrinte në kokë në një borxh më i shëndetshëm me maturim afatgjatë e kosto më të ulët dhe me ekuilibëer shumë më të shëndetshëm midis te brendëshmit dhe të jashtmit.

Në fund të dhënat ekonomike, ndjesia e biznesit, janë përmirësuar ndjeshëm, reflektojnë realitetin dhe perceptimin për ekonominë dhe unë nuk kam çudi që ekonomia nuk debatohet me, nuk çuditem. Do të debatohej po të ishte keq, sigurisht do debatohej, po të paktën do t’ju lutesha që djathtas dhe majtas nëse doni të debatojmë ato që duhen përmirësuar, në mënyrë që një qeveri që nuk I di të gjitha dhe kjo është gjëja më normale në botë, të mësojë nga eksperienca, qoftë majtas qoftë djathtas.

Nuk vijnë më me një propozim, nuk vijnë me një analizë njëherë te thonë që sistemi jonë kishte këto probleme, sistemi juaj ka këto problem, do na çojë këtu dhe duhet të jemi të alarmuar, këtu duhet ta mbështesim, këtu duhet te pershpejtohemi, ketu duhet të bëjmë këtë, asnjëri nuk e bën nga ju. Pse se bëni? Sepse pikë së pari nuk thelloheni, ngeleni tek sipërfaqja e gjithë debatit ekonomik. Tentoni të kapni çeshtje fantashkencë të cilat janë në territorin mediatik tani për shkak të transparencës tone.

Se fundmi dua të ndaj dhe një lajm tjetër me ju se besoj bëhemi qesharak kur bëjmë debate të asaj natyre. Mbani mend cfare thatë për Doing Bussines? Per Doing Bussines erdhët këtu e hodhët një lum me llum, kur ne e dinim c’po bënim dhe duke vënë në kontroll territorin nëpermjet te kontrollit të ndërtimeve pa leje dhe nëpërmjet instrumentave te ndërtimeve me leje. U përkeqësua para një viti Doing Bussines, po sot që po permiresohemi me disa vende, jam kurioz, cfare do bëni? Do ishte në nderin tuaj të mos heshtnit më, njëherë të vetmë të thonit po, u përmirësua. Te vini të thoni për konsumin, po, ka qënë një moment shumë I vështirë fillimi I 2015 po u rikuperua, se eshte rritur konsumi 4% në tremujorin e dytë. Eshtë Shqipëria një vend rozë? Nuk është, është e gjatë beteja ekonomike, por ajo që është ë rëndësishme, është trendi. Dhe sot për buxhetin duhet të kishim folur për trendin ekonomik, është në favor të shqiptarëve që trendi ekonomik është tejet i përmirësuar. Njerëzit që kërkojnë të hedhin baltë mbi këtë, e bëjnë me qëllim, për të penguar qoftë dhe një milimetër ate përparim.

Unë do t’ju lutesha, jo deputetëvë të Aleances, sepse me ta e bëj debatin e shëndetshëm, marr mbështetje, marr kritika, marr opinione e sugjerime pa fund. Do t’i lutesha pjesës së djathtë që kur vini bëni atë pjesën e sharjes në emër të asgjëje, hajde bëni dhe një pjesë racionale ku të na tregoni me durim, me emocion, a si të doni, të vërtetën e zhvillimit ekonomik: Si ka ecur? Pse është rritur ekonomia? Cfarë sfidash kemi? Buxheti i vitit 2017 shumë shpejt do të konfirmojë vazhdimësinë e rritjes ekonomike, uljes së borxhit me një balancë primare pozitive, me rritje pagash dhe pensionesh si një instrument reforme I drejpërdrejt dhe një tregues I drejtpërdrejt që suksesi kalon përmes sakrificave dhe reformat të shperblejnë.

Faleminderit!