Postuar më: 15 Nëntor 2016

Buxheti 2017, të ardhurat 7.6% më të larta se 2016. Taksat për qytetarët janë ulur 3-4 herë krahasuar me 2013

Duke marrë shkas nga diskutimet që kemi pasur këto ditë, dua ta nis me atë se cfarë ka ndodhur më taksat e pretenduara “të ulëta” gjatë periudhës 2005-2013.

Pati një sërë ndryshimesh që u reflektuan në një rritje të ndjeshme të tatimeve indirekte, tatimeve mbi konsumin, pra ato që godasin direkt konsumatorët me të ardhura të ulëta.

U rritën ndjeshëm akcizat për një sërë produktesh ashtu sikurse taksuan sëmundjen, duke vendosur TVSH 10% mbi ilacet dhe shërbimet spitalore.

Menjëherë pas këtyre ndryshimeve, vjen taksa e sheshtë që rriti 3-4 herë më shumë barrën fiskale për 90% të punonjësve, sidomos të atyre me paga të ulëta dhe të mesme. Rrogat e ulëta dhe të mesme taksoheshin rreth 10 mld lekë më shumë në vit nga qeveria e kaluar. Gjithë kjo histori është për të hedhur dritë mbi atë mitin fals të taksave të ulëta dhe pastaj për të bërë një krahasim, se duke iu referuar të gjitha diskutimeve që bëjnë kolegët majtas dhe djathats, në finale ka dhe përplasje filozofish.

U rrit barra për biznesin e vogël, u vendos edhe tatimi mbi fitimin krahas taksës lokale.  U ul tatimi mbi fitimin e biznesit të madh, ku ishin vetëm 10 mijë subjekte dhe u vendos tatimi mbi fitimin, në të njëjtën masë, për 70 mijë biznese të vogla apo mbi 150 -200 mijë familje.

U ndërmorën masa indirekte që kufizonin shpenzimet e zbritshme të biznesit me qëllim rritjen e fitimit , mbi ato të cilët duhet të paguhej taksa. Pra megjithëse tarifa ligjor e tatimit është ulur, norma reale i ndryshoi pak, për shkak të strukturimit të shpenzimeve të zbritshme.  

U bënë ndryshime në sistemin e taksave të automjeteve që favorizuan qeverinë dhe buxhetin me rreth 2.2 mld lekë, pra një rritje prej 2.2 mld lekësh.

Efekti total i politikës fiskale të qeverisë së kaluar, qeverisë Demokratike ( ju kam sjellë shifra që t’iu referohemi), gjithë efekti i uljeve është 11 mld lekë dhe gjithë efekti i rritjeve është 40.5 mld lekë, pra diferenca neto është një ngarkesë fiskale e shtuar prej 27.5 mld lekë.

Më pas ju kam sjellë ndryshimet ligjore që kanë ndodhur në vitet 2005-2013. Ndryshimet e para ligjore kanë qenë ato që kanë të bëjnë me TVSH.

  • Kufiri i regjistrimit ulet nga 8 në 5 lekë dhe në 0 lekë për profesionet. Kjo rriti ngarkesën në +2 mld lekë.
  • Shërbimet ndërkombëtare nuk trajtohen si eksporte me 0%, por trajtohen si shërbime të përjashtuara, me efekt +0.5 mld lekë,
  • Shitja e barnave dhe shërbimeve shëndetësore ngarkohet me 10%, me efekt minimalisht 1 mld lekë,
  • U vendos TVSH mbi arsimin publik dhe privat në vitin 2008, që u detyrua të shfuqizohej një vit më vonë,  si rezultat presionit nëse e mbani mend. Këtu nuk kam vendosur asnjëlloj efekti,
  • Qeveria vendosi TVSH për OJF, nuk kam vendosur asnjë lloj efekti sigurisht;
  • Skema e kreditimit të karburanteve, shpenzim ky i domosdoshëm për çdo biznes, ka kufizuar në maksimum të drejtën e kreditimit të tij , duke vendosur referenca dhe në këtë fushë, 0.5 mld.

Pra vetëm brenda TVSH kemi një rritje prej 4 mld lekë ngarkesë fiskale.

Ndryshimet ligjore vazhdojnë.

  • Tatimi mbi të ardhurat personale -vendoset tatimi I fitimit për bizneset e vogla me 10% është +1.5 mld ngarkesa fiskale,
  • Eshtë rritur tatimi mbi shitjen e pasurisë nga individët në 10% nga  1% - 3% që ishte, me efekt +2 mld lekë.
  • Vendoset taksa e sheshtë 10% mbi të ardhurat nga paga. Efekti +8 mld lekë, pra 80 mln USD iu hoqën nga xhepat të punësuarëve.
  • Vendoset tatimi mbi të ardhurat personale nga lojërat e fatit +0.5 mld lekë.
  • Për vitin 2011 do të kërkohej deklarata integrale e të ardhurave personale nga çdo shtetas.

Vetëm ndryshimet ligjore tek të ardhurat personale sollën një ngarkesë plus prej 11 mld lekë mbi qytetarët.

  • Tatimi mbi fitimin korporativ, tatimi mbi fitimin i shoqërive ulet nga 20% në 10% me një ulje prej 3.5 mld lekë në janar 2008,
  • Kufizohet ndjeshëm njohja e shpenzimeve të përfaqësimit për biznesit duke rritur artificialisht fitimin e tatueshëm,
  • Kufizohen shpenzimet për sponsorizime të biznesit,  fusha e artit- kulturës dhe sportit rritet ngarkesa prej 0.5 mld lekë,
  • Shfuqizohen incentivat dhe lehtësitë fiskale në fushën e turizmit me +0.2 mld lekë plus,
  • Amortizimi i ndërtesave të shoqërive bëhet me vlerën e mbetur, jo mbi atë historike me qëllim rritjen efitimit të taksueshëm, efekti afërsisht 1 mld lekë.

Vetëm me çka ndodhi me tatimin mbi fitimin korporativ u ul ngarkesa fiskale neto në -1.5 mld lekë.

Përsa I përket akcizave:

  • Akcizat e cigareve gjatë qeverisjes së kaluar është rritur nga 25 në 75 lekë. Dhe vetëm efekti I kësaj lëvizje është +10 mld lekë ngarkesë fiskale.
  • Është vendosur akciza edhe mbi fishekzjarret (+50 mln lekë);
  • Eshtë vendosur akcizë për gomat (+100 mln lekë),
  • Eshtë vendosur akcizë për bilat, bateritë dhe akumulatorët (+30 mln lekë)
  • Eshtë vendosur akcizë për ambalazhet (+50 mln lekë) ,
  • Është vendosur akcizë për llambat inkandeshente (+20 mln lekë),
  • Janë rritur akciza për nënprodukte e naftës, si mazuti nga 13 lek në 37 leke, (+200 mln lekë),
  • Eshtë vendosur akcizë për naftën virgin (+100 mln lekë),
  • Eshtë rritur akciza e kafesë nga 100 në 140 lekë pra 40%, (+300 mln lekë).

Vetëm lëvizjet me akciza kanë sjellë një ngarkesë shtesë mbi popullatën, mbi  qytetarin, me + 10.8 mld lekë.

Po t’i referohemi taksave, janë shfuqizuar taksat për importin e automjeteve të përdorura -2.6 mld lekë, taksa për qarkullimnin rrugor të automjeteve - 4.1 mld lekë, taksat për shitjen e automjeteve -600 mln lekë.

Pra të gjitha këto që janë hequr, kanë një ngarkesë të reduktuar fiskale -7.4 mld lekë.

Janë vendosur në të njëjtën kohë , brenda të njëjtit vit, taksa vjetore e automjeteve të përdorura , +4.25. mld lekë, taksa e qarkullimit për gazolin dhe benzinën dhe taksa e karbonit. Taksa e qarkullimit për gazolin dhe benzinën dhe taksa e karbonit është vendosur në 2011 dhe ka 5.4 mld lekë. Të kombinuara neto, nga taksat janë +2.2 mld lekë taksa të reja mbi qytetarët. 

Po të shikoni diferencën e të ardhurave plan-fakt, në 2009 nga plani nuk janë realizuar 350 mln USD,  në 2010 nuk janë realizuar 310 mln USD, në 2011, -320 mln USD, në 2012, -240 mln USD, në 2013, -330 mln USD. Të gjitha bashkë janë -1.5 mld USD të munguara. Pra kanë munguar, nëse do të flisja me gjuhën e tjetërkujt, 1.5 mld USD.

Diferenca, për transparencë, në 2014, 2015 dhe 2016. Në 2014 është + 20 mln USD, në 2015 është -340 mln USD , dhe në 2016, I pritshmi, në rastin më të keq, është -6 mld lekë. Pra në të tre vitet 2014-2016, janë 38 mld lekë. Dhe po të krahasohet 2009-2011, deficiti ishte 98 mld lekë (pra 980 mln USD ose gati 1 mld USD), kurse gjatë 2014-2016 deficiti është ulur, 38 mln USD, gati 1/3 .

Vazhdojmë më tej me bilancin primar. Është balanca e përgjithshme dhe balanca primare për të parë sesi ka ecur, si po ecën dhe çfarë planifikojmë.

Që nga viti 2016 balanca primare kalon pozitive dhe nëse nuk do të kishim detyrimet e prapambetura, që në vitin 2014  do të kishim bilancë primare prej 0.1%, imagjinoni, duke paguar kusuret e tjetërkujt, sërish jemi në këto pozicione fiskale.

Borxhi publik në rakordim të shifrave të FMN, në 2013 ka qenë 70.4%  për shkak dhe të rivlerësimit të PBB.

Dua të ndalojë tek huaja e marrë ose taksimi i aseteve publike pra privatizimeve, të përdorura për financimin e shpenzimeve të qeverisë. Shikoni mesataren, pra atë borxh që ka marrë qeveria për veten e saj. Mesatarja është 48 mld lekë në 2005-2013, dhe është vetëm 29 mld në 2014-2016. Këto janë shifra që flasin vetë, mund të kthehen kollaj në debat politik, sepse flasin shumë qartë për përgjegjshmërinë ndaj borxhit publik, pa pagesat dhe pa interesat, pra qeveria vetë.

Patjetër që u bë një debat me të drejtë për taksën progresive. Dikush nga opozita më kërkoi llogaritë. Kam sjellë llogaritë për t’i përqasur me njëri-tjetrin, se sa është kursimi që ne u kemi ofruar qytetarëve nëpërmjet taksës progresive. Efekti vjetor është 11.8 mld lekë, 110 mln dollarë kursime në vit vetëm me taksën progresive. Efekti 4-vjeçar është pak më pak se 500 mln dollarë me një mandat, janë rreth 500 mln USD, 5 mld lekë të kthyera mbrapsht qytetarëve në një mandat, nga taksat, që u jep përgjigje edhe pyetjeve legjitime: A  ka pasur ndonjë punonjës që ka marrë më shumë? Punonjësit kanë marrë 500 mln USD më shumë në 4 vite. Këto para me taksën e sheshtë nuk do të ishin në xhepat e tyre.

Sa i takon planifikimit të të ardhurave, në 2017 të ardhurat totale janë në nivelin e 436, pra ka një parashikim me rritje 7.6 % krahasuar me 2016. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe sigurimet janë 382 mld lekë, me një rritje pre 5.8% më e lartë se viti 2016, dhe në dijeninë tuaj dhe tonën, Qeveria ka paraqitur një paketë fiskale, e cila është më shumë  paketë disiplinuese dhe thjeshtëzuese, sesa e orientuar nga rritja e të ardhurave.

  • Paketa fiskale, përveç paketës së thjeshtëzimit të procedurave që e kaluam së bashku, shoqërohet me korrektimin e akcizës për gazin e lëngshëm për automjetet me 13 lekë për litër. Vetëm për automjetet që përdorin gazin e lëngshëm që bëjnë 3% të totalit. Pra vetëm për automjetet, jo për qytetarët, jo për përdoruesit shtëpiak. Efekti i pritur në buxhet është rreth 0.6 mld lekë.
  • Reduktimi i akcizës për duhanin e prodhuar në vend nga 4400 lekë/kg në 2500 lekë/ kg. Kjo masë ne shpresojmë dhe presim të incentivojë prodhuesit vendas. Kjo masë e përkohshme, është në përputhje me politikat e BE, parashikuar në Direktivën për Akcizën e produkteve të duhanit. Efekti total i pritshëm, si rezultat i këtyre masave, është rreth  0.075 mld lekë;
  • Reduktim i Rentës minerare për mineralin e destinuar për përpunim. Për vitin 2017 të ardhurat si rezultat i ndryshimit të përqindjes së taksës së rentës nga 4% në 3% për mineralin Krom, efekti do të jetë 0.01 mld lekë;
  • Reduktimi i disa taksave doganore për industrinë përpunuese me efekt rreth 60 mln lekë;
  • Reduktimi i taksës doganore nga 2% në 0% për qymyrin koks që përdoret nga industria ;
  • Korrektim i Akcizës për një sërë produktesh të duhanit, janë ato që quhen cigarillo apo purot, rritja e akcizës që sjell rreth 4 mln lekë;
  • Rritja e kushtëzimeve për përfitimin e rimbursimeve të akcizës për përmbajtjen BIO në karburante. Këtu kemi pasur një debat goxha të gjatë. Direktiva Europiane ka kushtëzuar vendet që duhet të kenë një shënim të prodhimit bio në treg 7%, pastaj në ligjin për hidrokarburet thuhet 9% dhe në 2020, 10%. Për arsye fiskale, ne e kemi kushtëzuar deri në 5% dhe disiplinojmë procedurën.
  • Përmirësime metodike në kontrollin e bazës së taksimit të Rentës minerare;

Ka edhe korrigjime të tjera pa efekte të rëndësishme në të ardhura të detajuara në dokumentacionin e Paketës fiskale 2017. Sigurisht kemi prekur dhe një klauzolë të ligjit të të ardhuarve që ka të bëjë me kthimin e kapitalit, vetëm për kompanitë e lidhura brenda grupit, që besoj se është një korrektim i shëndetshëm dhe i kufizuar në vetëm 1 grup kompanish, për të evituar edhe ato që rëndom quhen “arkivole fiskale”, ku kompanitë tentojnë, nëpërmjet blerjes së këtyre kompanive, të shtyjnë pagesat fiskale apo t’i reduktojnë.

Faleminderit!

***

Debati i Ministrit Ahmetaj me z. Bode për sistemin e taksave dhe përfitimet e qytetarëve:

z. Bode:

Sot ministri u mundua në apologjinë e tij të hidhte baltë mbi sistemin e taksave të ulëta dhe taksës së sheshtë. Të gjithë e dinë, që me këtë sistem taksash i bënë gropën ekonomisë dhe e shikon me shumë lakmi atë system, por nuk e zhbën dot, nuk i rikthehet dot.

Flisni për ndryshim strukture të taksave, paguan më pak e paguan më shumë, po duhet të dini se një ekonomi tregu ka nevojë për një strukturë taksash konkrete. A e di ti që vetëm përmes reformës që ndërmorëm, përafruam dhe bëmë të krahasueshme Shqipërinë me vendet e OECD për nga struktura e taksave? Ca kujtoni ju, se paguajnë taksa më shumë bizneset se qytetaret? Në ç’vend të botës bën vaki kjo? Vendet demokratike të botës i kanë 62% nga qytetarët dhe 38% nga bizneset, a e kuptoni?

z. Ahmetaj:

Tha një gjë interesante z. Bode: “Do taksoj më shumë qytetarët”, tha. Ta mësojnë qytetarët që kur të vijnë këta, nëse do të vijnë ndonjëherë në pushtet, do t’i taksojnë më shumë qytetarët. Është e lavdishme taksa e sheshtë tha. Pse, sepse ka ngarkuar qytetarin 3-4 herë më shumë se me taksën progresive? Me taksën progressive, qytetarët paguajnë 1 miliardë lekë më pak në muaj, ose 12 miliardë më pak në vit. Me taksën tuaj të sheshtë, paguanin 3-4 herë më shumë.

Nuk ka si të mos i referohem “lavdisë” së qeverisë së këtyre. I morën të ardhurat tatimore 22.9% e PBB në 2005 dhe i lanë 22.2%. Viti 2013 ishte falimentim i shtetit. I uli të ardhurat me 0.7% të PBB. Kasaphanë. Kujt i tregojnë strukturën e ekonomisë dhe taksave këta? Kanë taksuar sëmundjen, vendosën TVSH 10% për ilacet dhe shërbimet spitalore. Morën TVSH nga rruga e Kombit. Është autor i falimentimit të këtij shteti dhe të financave publike, dy herë i kanë dorëzuar të shpërbëra.

Po borxhin? E mori 58% dhe e dorëzoi 70.4%. Tre vitet e fundit I ka me rritje negative, nuk mblidhte dot as të ardhurat që vinin nga rritja ekonomike.

E morët 6.5% rritjen ekonomike dhe e dorëzuat 1%. Ku e gjetët këtë formulë, në cfarë shkolle? Kjo është lavdia juaj, falimentimi?

E pra, ky është buxhet që rrit të ardhurat, rrit pagat dhe pensionet, mbështet rritjen ekonomike 3.8%, ul borxhin, buxheti me ba;ancën më të mirë primare në 25 vite, nuk duhet të keni frikë nga ky buxhet.