Postuar më: 28 Dhjetor 2016

"Bleta e Artë 2016, një mbrëmje me dhe për sipërmarrjen"

Faleminderit për mundësinë. Për korrektesë, iniciatori dhe ekzekutuesi i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt i këtij eventi është Kryeministri.

Në fakt ka qenë ideja e tij përpara 3 viteve e gjysëm dhe sot është kthyer në një event i shumëpritur për sipërmarrjen, patjetër dhe për ne, për të ndarë vështirësitë që kemi kaluar dhe sukseset tuaja që tashmë pas 3 vitesh si rrallë herë në fakt, duartrokiten me shumë kënaqësi nga një qeveri që ditën e parë ka shpalosur si pjesë të programit të vet, bashkëpunimin me sipërmarrjen, partneritetin me sipërmarrjen dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Nga ana tjetër një takim si ky mes njerëzish që e kanë ndërtuar suksesin ditë pas dite falë punës, ideve, risqeve të ndërmarra në kohë dhe mbi të gjitha, guximi për të vazhduar dhe përtej dështimeve të vogla apo të mëdha, është moment reflektimi.

Pjesa më e vështirë e suksesit është të gjesh dikë që të gëzohet për ty, thotë një njeri i suksesshëm, një zonjë e suksesshme, Bette Midler dhe kjo është e vërtetë.

Sot ju keni një qeveri që patjetër ju ndihmon përditë, patjetër që bashkëbisedon përditë dhe në një ditë si kjo, vjen të shprehë modestisht kënaqësinë dhe gëzimin për suksesin tuaj.

Një investim i ri, një shërbim i ri i ofruar, një risi teknologjike, punësimi i të rinjve, një strukturë e shtruar akomoduese në turizëm, një kontratë e re bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, një kontribut në favor të komunitetit, një fason që kapërcen në stadin tjetër të ciklit të plotë, një kompani e vendit që fillon të eksportojë në tregjet rajonale apo globale, një produkt Made in Albania që nderon markën tonë me vulën e cilësisë, të gjitha këto janë shumë më shumë se çmime për një natë, këto janë arritjet tuaja për të cilat çdo qeveri dhe mbi të gjitha kjo qeveri, gëzohet dhe ju mbështet.

Sot takohemi së bashku për të katërtin vit rradhazi dhe i mbaj mend mirë fjalët që kemi ndarë me njëri tjetrin në fillimet e marrjes së detyrës nga kjo qeveri.

Ekonomia shqiptare që atë ditë, për shkak të asaj që trashëgoi kaloi një periudhë tejet të vështirë dhe korrektimi, ju e dini dhe e kuptoni më mirë se kushdo tjetër përtej kësaj salle e megjithatë, ku jemi sot? Sot ekonomia shqiptare rritet me 3.4 % dhe i ka të gjitha gjasat të jetë e para në rajon, sot dua të ndaj me ju një shifër tepër të rëndësishme që përbën thelb të zhvillimit ekonomik të imazhit të Shqipërisë, nëse doni dhe të përpjekjes së një qeverie për të përmirësuar imazhin e vendit.

Me Bankën e Shqipërisë kemi kalkuluar investimet e huaja të këtij viti dhe për 9 muajt janë 701 milionë euro. Dhe nëse ndjek logjikën e 3 mujorëve mesatarë, ky vit shënoi sërish për ekoniminë shqiptare për 25 vite rekordin e tërheqjeve së investimeve të huaja me gati 900 milion. Kjo e heq të gjithë tymnajën, thashethemnajën nëse doni, se ky vend nuk tërheq investime të huaja. Ky vend tërheq çdo vit dhe më shumë investime të huaja dhe falë jush, falë reformave tejet të guximshme, diku-diku të dhimbshme por në favor të gjeneratës së re, të Shipërisë së gjeneratës tjetër.

Dua t’ju tregoj një episod fare të shkurtër. Para 3 vitesh e gjysëm në zyrën e Kryeministrit shumë përfaqësues të sipërmarrjes, disa dhe nga ju, disa dhe investitorë të huaj, të shquar, u ankuan tek kryeministri dhe jo një ditë, por disa ditë e disa muaj, për atë që kishin trashëguar nga qeveria e vjetër. Gjoba elektorale prej 30 milion dollarë, borxhe 726 milion dollarë dhe kërkesa e parë në atë aktivitet si Bleta e Artë, lutja e parë ishte, “-Kryeministër, të lutem na paguani borxhet, po falimentojmë.”

Jo më larg se para 10 ditësh, po në zyrën e Kryeministrit në një takim të parapërgatitur por informal dhe informues të një grupi sipërmarrjesh me Kryeministrin ata ndanë një shqetësim të ri legjitim. Ata i kërkuan luftën e mëtejshme të informalitetit. Pra imagjinoni se çfarë diference është bërë në 3 vite. Dhe për shkak të detyrës, unë e kisha skanuar situatën e sipërmarrësve që prezantoheshin tek Kryeministri, të gjithë ishin me rritje xhiro dhe të gjithë pranonin që viti 2016 kishte rritje të qarkullimit të tyre dy-shifrore. Pra imagjinoni diferencën që kemi bërë. 

Kemi punuar me një qasje të re në kuadër të fazës së dytë të informalitetit, dukshëm të orientuar nga instrumentat inteligjentë të riskut dhe komunikimit intensiv me sipërmarrjen për të brumosur atë që është parimi themelor i lidhur me një të kulturë të shëndetshme të pagimit të taksave, pajtueshmëria me ligjin përmes vetë korrigjimit. Këtu kemi kaluar një periudhë goxha të gjatë, e mbani mend atë bashkëbisedim intensiv që bëmë për të përmirësuar ligjin e procedurave tatimore dhe sot do të duhet të themi që me ligj është prona juaj.

Është bërë i gjithi së bashku me ju dhe sot referohet si një nga ligjet që ka thjeshtësuar totalisht të gjitha procedurat tatimore dhe doganore.

Zakonisht e sjell jo pa qëllim një shprehje të Churchill, I cili thotë nëse vendos 1000 rregulla atëhere e ke shkatërruar respektin për ligjin, e pra ne i kemi thjeshtuar ato rregulla dhe i kemi bërë një libër të thjeshtë rregullash për ju.

Dua ta mbyll duke thënë se viti 2017 i ka të gjitha premisat të jetë viti me i mirë eonomik në shumë vite e vite, në favorin tuaj dhe në favorin e qytetarëve shqiptarë.

Viti 2017 megjithatë ka dhe një specifikë tjetër, garanton vazhdimësinë e reformave të qeverise Rama 1 në qeverinë Rama 2 prandaj duke ju uruar Vitin e Ri, do t’ju uroja modestisht që viti 2017 të na gjejë me këmbë në tokë dhe me mend në kokë.

Faleminderit!