Postuar më: 28 Prill 2018

Asambleja Kombëtare e PS, Ministri Ahmetaj prezanton zhvillimet pozitive të ekonomisë

 

Fjala e Ministrit Arben Ahmetaj në Mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste

Përshëndetje,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar anëtarë të Asamblesë,

Unë shkurtimisht do të përmend pikat kryesore të zhvillimeve ekonomike, të referuara në bazë të programit të qeverisë.

Viti 2017 u mbyll me një rritje ekonomike 3.84%, rritja më e madhe ekonomike nga 2008, që do të thotë që Shqipëria ka lënë pas skenarin e mundshëm grek, të lënë në këndvështrimin tim, qëllimisht, në vitin 2013.

Ekonomia pritet të ndjekë një trajektore rritëse të qëndrueshme për periudhën në vazhdim, duke konverguar gradualisht drejt potencialit, atë që ne kemi theksuar në programin e qeverisë.

Kontributin kryesor në rritje vijon ta ketë konsumi dhe investimet private, vendase dhe të huaja.

Konsumi në tremujorin e fundit të vitit 2017 u rrit 3.14%, rritja më e madhe në 10 vite, që rrëzon të gjithë atë debat politik për fuqinë blerëse dhe uljen e varfërisë.

Këto arritje pozitive të ekonomisë shqiptare, reflektohen edhe në raportin e fundit të Progresit të Komisionit Europian dhe Bankës Botërore të cilat vlerësojnë se të gjithë komponentet e kërkesës së brendshme kontribuan pozitivisht në rritjen e PBB, do të thotë konsumi dhe investimet siç e thashë më lartë.

Eksportet neto ndihmuan rritjen, veçanërisht exporti i shërbimeve (përfshirë turizmin) dhe eksporti i mallrave. Turizmi solli në ekonomi 1.7 miliardë euro në vitin 2017 dhe pritet këtë vit të afrohet tek 2 miliardë euro.

Rritja ekonomike stimuloi krjimin e vendeve të reja të punës, që është kryefjala e mandatit të dytë të Qeverisë Rama.

Në katër vitet e mandatit tonë të parë u krijuan mbi 200 mijë vende pune dhe i referohem borderosë së Tatimeve, thënë ndryshe rreth 35% e totalit të vendeve të punës që janë sot rreth 660 mijë.

E dyta që është shumë e rëndësishme, për herë të parë në vitin 2017, punësimi në sektorin jo-bujqësor kaloi atë të sektorit bujqësor.

Po sipas raportit të Bankës Botërore, në vitin 2017 Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon ku punësimi i forcës së aftë për punë arriti mbi 50%. Në fund të 2017 pjesëmarrja në forcat e punës arriti 60%.

Papunësia ka arritur nivelin më të ulët historik 13.4%, ndërsa jemi vendi me papunësinë më të ulët tek të rinjtë, prej 26% krahasuar me rajonin. Sigurisht papunësia është akoma e lartë, ka shumë sfida dhe punë për të bërë.  Angazhimi në programin e qeverisë në fund të mandatit, është që papunësia në Shqipëri të zbresë në nivel njëshifror.

Shqipëria gjithashtu, megjithëse ka nisur në një nivel shumë të ulët të pagës, ka pasur rritjen me të madhe të pagave në rajon po sipas raportit të Bankës Botërore. Paga reale u rrit në 2017 veçanërisht në sektorët e ndërtimit, energjisë dhe turizimit duke ndjekur kërkesën në rritje të punëdhënesve. Pra, krijimi i vendeve të punës.

Ka ende shumë për të bërë. Nga janari 2018 deri në 20 Prill, në zyrat e punës në të gjithë vendin janë deklaruar 11,900 vende të lira pune, ndërsa janë ndërmjetësuar me sukses 6,247.

Një fokus të vecantë po i kushtojmë punëkërkuesve të papunë me ndihmën ekonomike me qëllim ri-integrimin e tyre në tregun e punës; Formimi profesional falas, me vendim qeverie, me iniciative të Kryeministrit, sot kushdo që del nga ndihma ekonomike, ose çdo anëtar i një familje që përfiton ndihmë ekonomike, mund të përfitojë arsim profesional, pra formim profesional , duke u paguar për çdo muaj të studimeve të veta nga buxheti i shtetit 55 mijë lekë të vjetra në muaj.

Rritja ekonomike dhe punesimi larguan njerëzit nga varfëria. Sigurisht që Shqipëria është larg asaj që duhet të jetë, por siç e theksova është larg 2013, skenarit grek.

Në 2017 norma mesatare e varfërisë në Shqipëri ra. Dua të bëj një krahasim, mos harrojmë që në vitin 2013 varfëria duke iu referuar teknikisht dhe statistikisht po raportit ishte 37.7%, pra thënë ndryshe në katër vite ka rënë 4.9%, pra afërsisht 5%.

Tregtia e jashtme, ka rritje në importe dhe në eksporte.

Një shifër dua ta sjell, importi makinerive dhe pajisjeve, pra vazhdon fokusi tek importi i makinerive dhe pajisjeve me rritje të lartë, vazhdon trendi pozitiv dhe në tremujorin e parë të 2018. BE vazhdon të mbetet partneri tregtar më i madh i Shqipërisë me 74% të volumit.

Politikat fiskale

Politikat fiskale të qeverisë në mandatin e parë e të dytë, kanë mbështetur rritjen ekonomike, e vërtetuar nga shifra.

Progres Raporti i KE vlerëson kombinimin e duhur të politikave makroekonomike. Në këtë këndvështrim, vazhdimi i konsolidimit fiskal, pra ulja e borxhit; vazhdimi i reformave strukturore dhe e luftës kundër informalitetit mbeten thelbësore.

Sikurse vlerëson dhe Banka Botërore, sistemi fiskal në Shqipëri po redukton pabarazine.

Pabarazia e të ardhurave të tregut, e matur nga koeficienti Gini është ulur me 5 pikë nga efekti i kombinuar i tatimeve dhe kontributeve, përfitimet sociale dhe shpenzimet sociale për shëndetin dhe edukimi.

Borxhi në trajektore rënëse

Borxhi është në trajektore rënëse në 69.9%. Politikat fiskale janë të kujdesshme. Ne kaluam një vit elektoral, e megjithatë reduktuam defiçitin dhe borxhin.

2017, është viti i dytë rradhazi me balancë primare pozitive, për ta thënë thjesht qeveria nuk krijon borxh të ri, përkundrazi kursen dhe shërben borxhin e trashëguar.

Deficiti u përgjysmua në raport me 2015

Pra, defiçiti në 2016 ra në 1.8%. Viti 2015 për shkak të korrektimit që ne bëmë në ekonomi, ishte një vit i vështirë me një deficit të lartë. Ndërsa 2017 u mbyll me 2%.

Për të ilustruar një fakt të efiçencës fiskale që kemi shumë për të bërë, në krahasim me vitin 2013 ne mbledhim në buxhet 1 miliardë dollarë më shumë, dhe krahasuar me janar 2016, ne mbledhim çdo vit 550 milionë dollarë më shumë pa asnjë ndryshim taksash.

Të ardhurat buxhetore po shkojnë në nivelin historik 27.7%, sigurisht që është një sfidë shumë e madh për ta mbajtur dhe rritur për shkak të gjithë proceseve brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos luhatjet e kursit të këmbimit që dëmtojnë drejtpërsëdrejt të ardhurat, gjithësesi sfidat aty kanë qenë dhe aty do të jenë në vazhdimësi.

Disa nisma të rëndësishme.

Kryeministri ndërmori nismën e deregulimit. Sot është e materializuar dhe institucionalizuar me rezultate.

Në vetëm 4 muajt e pare, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve janë 144,000 vërtetime online, janë zhdukur radhët nga DPT. Janë 14,000 ekstrakte online QKB dhe 800 printime me vulë elektronike që s’ka as dy muaj e gjysëm që ka nisur.

Faza e dytë e reformës:

  • Vlerësim ne qendër në doganë për importuesit dhe në 1 qershori fillojmë edhe për eskportuesit
  • 13 pagesa elektronike në tatime
  • Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Drejtoria e Akreditimit, tërësisht online brenda këtij viti.

Iniciativa tjetër është Kadastra fiskale në ndihmë të pushtetit vendor.

Më tej kemi uljen e pragut të TVSH për biznesin me xhiro 2 deri në 5 mln lekë:

Nuk ka taksë të re;

Nuk ka kosto për biznesin;

Nuk ka rritje çmimesh për qytetarët;

Nuk ka gjoba për deklarim të gabuar;

Do të vijojmë informimim dhe asistencën për secilin nga 9975 bizneset që përfshihën në skemë. Mbetemi të angazhuar të vazhdojmë të lehtësojmë biznesin.

Dhe këtu, dua të përmend heqjen e TVSH për makineritë, pajisjet në energji (fotovoltaikët). Është iniciativa e fundit për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, që do të kenë trajtim njësoj si fermerët pa prag TVSH-je;

Rishikimi i tavanit për tatim-fitimin që e përmendi Kryeministri dje në takim me biznesin e vogël dhe agroturizmi që në një paketë, shumë shpejt siç e tha dhe Kryeministri dje brenda dy muajve, do të kenë kaluar në Parlament;

E fundit, për të ilustruar një debat të djeshëm në takimin me biznesin e vogël, i cili në këndvështrimin tim ishte shumë efektiv. Në vitin 2013 në fashën e biznesit me xhiro 5 deri në 8 milionë ka pasur 13,600 biznese. Në 2017, janë 17 mijë biznese. Fakti që janë rritur, rrëzon të gjithë atë debat politik që kjo është një taksë e re dhe që do të rrisë koston. E kundërta ndodh, do të ndihmojë në antiinformalitet, në rriitjen e xhiros dhe deklarimin e bizneseve të mëdha.

Faleminderit!