Postuar më: 09 Nëntor 2017

Zhvillimi i tregjeve financiare, sfidat dhe oportunitetet e ekonomisë shqiptare

I nderuar z. President,

I nderuar Guvernator,

Të nderuar pjesëmarrës.

Unë e falenderoj Bankën e Shqipërisë për këtë inisiativë të përvitshme dhe konstatoj me kënaqësi që një pjesë e mirë e këtij auditori, ka qenë në këtë tryezë edhe në vitet e shkuara, gjë që e bën të lehtë të ndajmë së bashku përvojën e këtyre viteve, duke qenë të gjithë dëshmitarë të asaj që ka ndodhur, apo asaj që është ndaluar të ndodhë, sepse qeveritë, apo dhe autoritetet, gjykohen njësoj në të dy rastet.

Nuk do të kthehem mbrapa në kohë, por sigurisht në këtë tryezë së bashku kemi ndarë shqetësimin për rimëkëmbjen e një ekonomie buzë kolapsit në 2013. Çdokush prej jush e mban mend atë vjeshtë të vitit 2013, kur skenari grek nuk ishte aspak virtual për Shqipërinë, në respekt të plotë për atë që kanë bërë qytetarët dhe qeveritë greke për ta parandaluar krizën, pa asnjë lloj paragjykimi, apo për ta zbutur në kohë.

Ka patur një mal me borxhe të padeklaruara ndaj të tretëve, përmbi borxhin publik që edhe pa to, ishte mjaftueshëm shqetësues, apo për nivelin e lartë të kredive me probleme që në 2013 ishte rreth 25% të PPB-së (nga 6.5 në 2008)

E ndaluam të ndodhte ai skenari famëkeq që shumëherë shumëkush i është referuar, e përsëris sërish, si skenari më i mundshëm për Shqipërinë në atë kohë.

Dhe nuk u ndalëm aty.

Ishte bashkërendimi i të gjitha forcave dhe këtu padyshim, më duhet të them që Banka e Shqipërisë ka luajtur rolin e saj kyç, ishte pra bashkërendimi i të gjitha forcave dhe koordinimi i të gjithë aktorëve që na dha mundësinë të ndërmarrim me sukses një program të vështirë, ambicioz reformash, me qëllim stabilizimin makroekonomik dhe konsolidimin fiskal.

E meqë shumë prej jush e kanë ndjekur bashkë me ne këtë proces, sot mund të vlerësojmë së bashku edhe rezultatet e kësaj përpjekje të vazhdueshme për ta vendosur ekonominë në kontekstin e një ecurie pozitive dhe të prekshme nga të gjithë aktorët e saj.

Sot ekonomia shqiptare rritet rreth 4 herë më shumë në raport me katër vite më parë. Ne kemi projektuar një rritje mesatare 4.5% gjatë mandatit të dytë, për të arritur në fund të mandatit nivelin 5.5% - 6%, një rritje që nuk është më thjesht sasiore, por bëhet konkrete, e prekshme për qytetarët dhe sipërmarrjen shqiptare.  

Ne jemi optimist e shumëkush mund edhe të më akuzojë për optimizëm të tepruar, por me një lexim shumë të shpejtë të prezantimit që do të bëjë z. Baker më vonë, i bie që nuk jam vetëm unë optimisti këtu, por qenka edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si një nga ato herët e pakta që Fondi shpreh optimizëm të drejtpërdrejtë.  

Pra, ne jemi optimistë jo thjesht për shkak të projeksioneve tona, jemi optimistë pikë së pari për ato që kemi bërë, reformë pas reforme, sepse kanë provuar se kanë funksionuar duke e shpërblyer ekonominë dhe qytetarët dhe së dyti, sepse një sërë projektesh konkretë në sektorët prioritarë, do të kenë një impakt të shtuar në ekonomi. Trendi përshpejtues i ritmit të rritjes tashmë të faktuar, që nga momenti që Qeveria ndërmori axhendën e reformave, është garancia më e mirë për rrugën e drejtë në të cilën po ecën ekonomia e vendit.

Këtu patjetër që dua të theksoj, atë që kemi gjithashtu të përbashkët me zotin Baker, me Fondin Monetar Ndërkombëtar, vazhdimi i reformave është kyç. Çdo ngadalësim i reformave do të sjellë procese “reverse”, për t’u kthyer aty ku e filluam para 5 vitesh.

Rritja ekonomike siç e tha edhe Guvernatori, është mbështetur në rritjen e konsumit dhe investimeve private. Të dy këto zëra performojnë në një terren tejet pozitiv prej disa tremujorësh. Në vitin 2016, Investimet e Huaja direkte arritën një rekord historik prej 1.1 miliardë dollarë dhe ne shprehim besimin se politikat tona incentivuese dhe nismat për të afruar aktivitetin ekonomik sa më pranë nivelit të vet potencial, do të reflektohen në mbajtjen e niveleve të larta të investimeve në ekonomi, edhe në aspektin afatmesëm.

E kjo më duhet të them është një sfidë për qeverinë dhe për terrenin ekonomik shqiptar, edhe për arsye se dy nga projektet e mëdha TAP-i dhe Devolli janë në fazën e fundit të investimit dhe po hyjnë në fazën e operimit.  

Një nga aspektet më pozitive të zhvillimit ekonomik të 4 viteve të fundit është edhe përgjigja e tregut të punësimit ndaj rritjes ekonomike. Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur në 66.8% ndërsa papunësia ka rënë në 13.9% në tremujorin e dytë të vitit 2017. Janë më shumë se 65 mijë vende të reja pune vetëm në vitin 2016. 65 mijë vende të reja pune referuar gjithashtu jo thjesht Institutit të Statistikës, por borderosë së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pra listë-pagesës.

Të gjithë këto zhvillime ekonomike tashmë janë reflektuar edhe tek besimi i biznesit dhe konsumatorit tek ekonomia. TNE në tremujorin e katërt të vitit 2016 arriti nivelin më të lartë në 10-vjet, duke qëndruar 18.6 pikë mbi mesataren historike afatgjatë. Luhatja gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, në reflektim edhe të situatës politike në atë periudhë, na tërheq vëmendjen drejt përgjegjshmërisë dhe vlerësimit që marrim për atë që bëjmë, apo për atë që nuk lejojmë të ndodhë.

Borxhi publik vijon në një trajektore rënëse për të dytin vit rradhazi, e po konsolidohet vit pas viti. Qeveria e ka shprehur shumë qartë qëndrimin e vet edhe falë ndërhyrjes shumë të kujdesshme që bëmë me Ligjin Organik të Buxhetit në vitin 2016, një vit përpara zgjedhjeve, duke detyruar vetveten, pra dhe të gjitha Qeveritë që do të vijnë më pas, për përgjegjshmëri dhe konsolidim të borxhit. Është e para herë që në Ligjin Organik të Buxhetit vendoset ai që ne i referohemi si rregulli i artë i borxhit. Asnjë qeveri nuk ka të drejtë të rrisë borxhin publik, por përkundrazi, çdo qeveri është e detyruar në vazhdimësi ta ulë borxhin publik.

Sot borxhi publik është në nivelin 71.7% dhe në 2018 do të ulet me 2.5%, duke kapur nivelin e 68.6%. Këtu dua të ndaj me ju të gjithë, një moment skepticizmi të shumë aktorëve ndaj autoriteteve, jo thjesht ndaj qeverisë shqiptare por ndaj autoriteteve shqiptare, që lidhet me atë se “çfarë do të ndodhë tani që do të ikë FMN”.

Kam dy komente, FMN nuk ka ikur, thjesht ka një marrëdhënie monitoruese në bazë të Artikullit 4, edhe sikur të donte Jensi të ikte ne nuk do ta linim. E dyta, ja ku jemi, edhe pa një marrëveshje detyruese me Fondin Monetar Ndërkombëtar, konsolidimi fiskal vazhdon.

Këtë vit dolëm me balancë primare pozitive në një vit electoral, gjë që s’ka ndodhur asnjëherë në 27 vite dhe viti 2018 sërish parashikon balancë primare pozitive të konsiderueshme. Sërish nuk na detyron marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por na detyron përgjegjshmëria politike ndaj qytetarëve.

Do t’ju risjell në vëmendje që viti 2017 ishte viti i parë në historinë 25 vjeçare të Shqipërisë, që në një vit elektoral parlamentar, buxheti del me suficit primar. Defiçiti buxhetor për vitin 2018 planifikohet të jetë në nivelin 2.0% të PBB. Për të tretin vit radhazi, balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.6% duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse.

Kriza financiare globale, edhe pse nuk preku direkt tregjet financiare të rajonit tone, qartësisht pati ndikimin e saj nëpërmjet kanaleve indirekte. Në kontekstin e Shqipërisë, ngadalësimi konstant i ritmeve të rritjes që kulmuan në vitin 2013, kriza ekonomike që goditi Greqinë, apatia e rritjes së EU-së (veçanërisht Italisë- partnerit tonë kryesor tregtar), pasqyruan sfida jo të vogla për tregun tonë financiar.

Ndërkohë, gjatë periudhës 2014-2017 janë ndërmarrë masa të shumta në favor të modernizimit të sistemit financiar, mbështetur edhe në Programin e modernizimit të sistemit financiar (FSM-DPL 2014). Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë rishikoi masat mbikëqyrëse dhe rregullatore, Agjencia e Sigurimit të Depozitave u përforcua ndjeshëm si në mundësitë e mbulimit, ashtu edhe në operimin e saj duke e sjellë më pranë principeve Bazë të Sistemeve Efektive të Sigurimit të Depozitave. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare tashmë zotëron autonomi të zgjeruar, ndërsa është përmirësuar gati e gjithë baza ligjore e sistemit financiar jo-bankar, sistemit të pensioneve dhe sigurimeve. Shumë shpejt ne do të prezantojmë përmirësime të këtij legjislacioni, përmirësime të mëtejshme në bashkëpunim me të gjithë aktorët.

Sot, falë një pune tejet të mirë dhe bashkëpunimit intensiv ndërmjet Qeverisë Shqiptare me Bankën e Shqipërisë dhe sërish dua ta falenderoj Bankën e Shqipërisë dhe Guvernatorin Sejko, si dhe me asistencën e vazhdueshme të partnerëve tanë ndërkombëtar (FMN dhe BB), ne kemi një infrastrukturë rregulative të sistemit financiar shumë më të aftë për të detektuar risqet që i shfaqen sistemit si dhe set më të kompletuar masash mbrojtëse për t’u përballur me to.

Pra, në pikëpamjet e modernizimit të sistemit të infrastrukturës të themi qeveria ka bërë pjesën e vet. I referohemi përpjekjes të përvitshme, mitikuloze për të kaluar reformën e vjeshtës së vitit 2016 dhe ndërkohë së bashku me Bankën e Shqipërisë ne kemi punuar në funksion të atij aksioni dhe të asaj reforme që ka ndërmarrë Banka, për të ulur kreditë me probleme.    

Problematika e kredive me probleme, u trajtua gjerësisht gjatë mandatit tonë të parë 2014-2017. Ne për dijeninë tuaj kemi një grup të përbashkët pune midis Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, në rastin konkret e firmosur nga Kryeministri dhe nga Guvernatori dhe e përfaqësuar në nivel teknik për qeverinë nga Ministria e Financave.

Pavarësisht uljes së nivelit në rreth 15.2% (gati 10% më ulet se viti 2013) ne jemi të ndërgjegjshëm se fenomeni kërkon trajtim edhe më të thellë për të adresuar problematikat sistemike. E më besoni që shpesh sistemi mund të jetë dhe në trajtim të ndryshëm, si në rastin e trajtimit të procesit të ekzektimit të kolateraleve, një rast që bankat e nivelit të dytë janë duke e diskutuar me qeverinë dhe me Bankën e Shqipërisë në marrëdhënie me përmbaruesit privat. Siç ju ka premtuar Kryeministri, ai problem do të zgjidhet shumë shpejt. Jam i bindur që ju e keni në vëmendje edhe për ta përmendur.

Lidhur me kreditimin, dua të them që ecuria është modeste në këndvështrimin tim. Shpesh bëjmë pyetje, patjetër që kemi përgjigje teknike, por edhe logjike e emocionale. Pse kreditë konsumatore, kreditë për individin, apo kreditë mortgage kanë ecur aq mirë dhe koorporatat janë në nivele modeste. Gjithsesi, besoj se kreditimi mbetet ndoshta një aspekt kryesor që nuk reflekton të njëjtën ecuri pozitive si indikatorët e tjere që përmenda më sipër, e aq më pak nuk jemi rritur.

Vazhdimi i konsolidimit nga njëra anë dhe avancimi i masave që përmenda më lart për reduktimin e NPL, besoj do të bëjnë të mundur që kreditimi nga afatshkurtër në afatmesëm të reflektojë ato ritme dhe atë optimizëm që reflektojnë qoftë konsumatorët, qoftë aktorët e tjerë ekonomik në ekonominë shqiptare.

Së fundmi ju falenderoj për vëmendjen dhe besoj që mendimet që ndajmë bashkë sot në këtë tryezë të shërbejnë si kontribut i vogël i secilit për atë që vjen më pas, në favor të sektorit që ju përfaqësoni dhe padyshim në favor të ekonomisë dhe të qytetarëve të këtij vendit.

Falenderoj Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë sërish për punën e vëmendshme dhe koordinimit midis të gjithë aktorëve.

Faleminderit!