Postuar më: 25 Janar 2018

Varfëria nuk matet me emocione çadrash. Në 2012, varfëria arriti kulmin, 195 mijë qytetarë jetonin me 2.5 $ në ditë. Në 2016, varfëria u ul 18%

Diskutimi i Ministrit Ahmetaj në Parlament.

Ahmetaj: “Varfëria nuk matet me emocione cadrash. Në 2012, varfëria arriti kulmin, 195 mijë qytetarë jetonin me 2.5 $ në ditë. Në 2016, varfëria u ul 18%”

E mora fjalën për respekt të asaj që tha zonja Tabaku, por më tepër në respekt të së vërtetës. Unë do t’ju sjell tre fakte dhe dy kategori për të ndarë të vërtetën e asaj që iu referua, se ky Parlament është bërë realisht një bolori fjalësh ku të gjithë vijnë flasin, por asnjëherë me fakte dhe mbi sytë dhe veshët, vendosin emocionet e momentit, të protestës, të çadrës, por asnjëherë nuk vendonin emocionin e së vërtetës tek statistika.

Dje apo pardje, opozita doli e foli për varfërinë. Dua të tërheq vëmendjen e të gjithë kolegëve, deputetëve majtas dhe djathtas, por edhe të qytetarëve për të vërtetën. Dje opozita tha se varfëria, në bazë të raportit të Bankës Botërore, është rritur dhe për të përqasur “të vërtetën” e opozitës unë ju kam sjellë qytetarëve dhe kolegëve të mi të vërtetën e raportit.

Do t’i lutesha kujtdo qytetari që është i interesuar ta shohë, është faqja e parë e përmbledhjes ku grafiku tregon qartë që varfëria në vitin 2012 ka arritur kulmin e në Republikën e Shqipërisë. Ky është raporti i Bankës Botërore. Pra, e vërteta nga podium i Partisë Demokratike, rrallë është e vërtetë dhe kur është e vërtetë, është e përmbysur dhe tjetra, ja ku i keni dhe grafikët ku tregon që numri i popullsisë në periudhën 2008-2012 që jeton me 2.5 dollarë dhe me 5 dollarë në ditë është rritur.

Kam nxjerrë nga raporti një tabelë që jua vë në dispozicion të gjithë deputetëve, majtas, djathtas dhe në qendër, se cilat janë shifrat. Në vitin 2008 kanë qenë 179.844 qytetarë që jetonin me 2.5 dollarë në ditë. Në vitin 2012, 194 mijë, rritur me gati 10-11%. Doni t’ju sjell të vërtetën e 2012-2016 po nga Banka Botërore? Është e njëjta tabelë e Bankës Botërore. Pra, t’i referohemi statistikave të Bankës Botërore dhe të mos bëjmë bolori gënjeshtrash me emocione çadrash.

Në vitin 2016 është ulur numri i qytetarëve që jetojnë me 2.5 dollarë në ditë, nga 194 mijë në 159 mijë, ose 17.8% më pak. Nuk po them që kemi bërë çudira, nuk po them këtë, por po them se e vërteta qëndron ndryshe dhe e vërteta ndërtohet në statistika, jo në qejfe emocionale për të hedhur shifra sa andej-këndej. Kjo është e para.

E dyta, dy kategori që këta i kanë përfaqësuar “demek” me ngjyrë, por që i kanë shtypur gjatë gjithë periudhës që kanë qenë në pushtet janë pronarët e vjetër dhe ish-të përndjekurit politikë. I lanë pa i dhënë asnjë lek që i takonin ish-të përndjekurve politikë. Sot, ka mbaruar kësti i tetë i të gjallëve. Me demek kjo partia ish-komuniste që nuk i deshte këta, i paska paguar cep më cep detyrimet ligjore që ka ndaj tyre, ndaj të gjallëve. Po pronarët, që me demek i ka përfaqësuar kjo parti? Asnjë kokërr leku. Qeveria e Partisë Socialiste vendos 50 milionë dollarë çdo vit në buxhet në 10 vitet që vijnë që t’i kompensojë financiarisht dhe ka vendosur një formulë shumë dinjitoze të kompensimit fizik.

Unë e kuptoj shumë mirë që nga podiumi i Partisë Demokratike dalin emocione çadrash, gjera të pavërteta, por sinqerisht, me të vërtetën jeni bërë qesharakë. Jeni bërë qesharakë me të vërtetën, se vini e thoni është rritur varfëria. Varfëria nuk është ulur mjaftueshëm, patjetër, por u rrit midis 2008-2012. Papunësia është ulur  nga 17.6% që e latë ju, në 13.6 %, është ulur 4 pikë. Nuk është rritur, është ulur. Nuk është ulur mjaftueshëm, por ju e rritët papunësinë.

Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur, ka shkuar në 68.7%. Nuk është rritur akoma mjaftueshëm, por ju e ulët pjesëmarrjen në forcat e punës, i dekurajuat  njerëzit. Këto janë të vërteta. Unë gjatë ditës jam përgatitur që t’ju përgjigjem, por po pres që të vijë “ai” dhe “ai”. Edhe pallavrat e tjera, ato që nxirrni ndonjë mavri me bojë aty tek podiumi e s’di se ç’thotë. Ju kam sjellë të gjitha vendimet e Komisionit të Ndihmës Shtetërore e do qeshni, do qeshni me veten dhe me atë që nxirrni atje, dhe me ligjin e me strategjinë tuaj, por mezi po pres që të vijë ai sepse ka firmosur strategjinë që ka kaluar në vitin 2011, e vendimet që ka kaluar në 2007. Edhe ato pronësitë imagjinare të X-it dhe të Y-it. Megjithatë, këtu jemi, vazhdojmë me të vërtetën.

Faleminderit.