Postuar më: 07 Nëntor 2017

Thjeshtësim i legjislacionit, njësi të specializuara monitorimi dhe auditimi të marrëveshjeve hidrokarbure.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Workshop-in e organizuar nga Ambasada Amerikane për Trajtimin fiskal në sektorin hidrokrabur.

Z. Ambasador, unë dua ta filloj me një falenderim për ju dhe për Departamentin e Shtetit. Ne kemi folur pak më pak se një vit më parë në detaje për domosdoshmërinë që administrata shqiptare, qoftë Ministria  e Infrastrukturës dhe Energjisë, qoftë autoriteti fiskal, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Ministria e Financave, nevojën për ekspertizë, për këshillë dhe pastaj për ndërtim kapacitetesh.

Grupi që ju keni sjellë ka ardhur nga Departamenti i Shtetit dhe diskutimi që ne patëm dje, ishte një diskutim më duhet të them shumë i detajuar dhe shpresëdhënës për mua, që shumë shpejt do të kemi brenda Ministrisë së Financave dhe brenda Ministrisë së Infrastrukturës, njësi të specializuara, qoftë të monitorimit të marrëveshjeve hidrokarbure, qoftë të auditimit fiskal dhe të përmirësimit të legjislacionit në fushën e hidrokarbureve.

Pse e bëjmë gjithë këtë diskutim? Dikush përtej kësaj tryeze mund të pyesë, çfarë është gjithë ky diskutim për fushën e hidrokarbureve? Shqipëria sigurisht që ka naftë, ka dhe gaz. Pyetja e çdo qytetari dhe një qeverie të përgjegjshme është: A po e nxjerrim në sipërfaqe? Si po e përdorim? A po merr buxheti i shtetit, vendi, atë që i takon?

Në historikun e shkurtër 27 vjeçar, ne kemi arritur në konkluzionin që, mënyra se si janë trajtuar marrëveshjet, nuk po gjykoj mirë apo keq, pra nuk i quaj një mënyrë e mirë ose një mënyrë e keqe, por unë besoj që mënyra se si janë trajtuar lë shumë për të dëshiruar, në atë që vendi dhe qytetarët shqiptarë do duhet të marrin.

Ministri Gjiknuri e theksoi konceptin e faktorit R, pra, të konceptit të marrjes së fitimit pasi është mbuluar i gjithë shpenzimi i zhvillimit të fushës naftëmbajtëse. Ky moment, pra 50 % i tatim fitimit mund të mos vijë kurrë, për 1 mijë arsye fiskale, për një mijë arsye të manaxhimit të fushës, apo për arsye të tjera të paaftësisë, dhe duhet ta pranojmë, të administrates, për të menaxhuar faktorin R. Ky është fakti edhe sot që ne kemi pasur konflikte të padëshiruara me kompani nafte në prodhim, vetëm sepse marrëveshja, diku- diku edhe legjislacioni, ka zona gri. Është detyra jonë që të bëjmë një hap përpara, pikë së pari për të sqaruar dhe për të identifikuar, sqaruar zonat gri dhe të shkruajmë një legjislacion, i cili i bën investitorët shumë të rehatshëm në një klimë normale biznesi dhe me një qartësi totale legjislacioni, që të dëshirojnë të investojnë më shumë në vend.

E dyta, e bën administratën më gati, më të qartë që të menaxhojë, qoftë në aspektin e vend burimit, qoftë në aspektin fiskal, marrëveshjet në favor të vendit.

Ne po diskutojmë shumë edhe me Universitetin e Harvard-it, me një skuadër të përbashkët me Ministrinë e Infrastrukturës dhe do ta ndajmë të gjithë informacionin edhe me grupin e ekspertëve që ka ardhur nga Departamenti i shtetit.

Unë u ndjeva shumë i kënaqur në bisedën dhe me eksperiencën që ekspertët kanë, qoftë në trajtimin fiskal, qoftë në menaxhimin e vendburimeve, menaxhimin gjeofizik nëse duam t’i referohemi ashtu. Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një sistem trajtimi fiskal ndaj marrëveshjeve hidrokarburve shumë më të thjeshtë.

Unë do ta mbyll duke shpjeguar fare fare thjesht se çfarë janë sot marrëveshjet dhe ku duam të kalojmë.

Sot marrëveshjet janë komplekse, e detyrojnë administratën të auditojë shpenzime të cilat janë specifike, ku kombinimi midis AKBN-së dhe Autoritetit Fiskal, megjithëse në harmoni, bëhet i vështirë për të kalkuluar me kujdes se cilat janë shpenzime të njohura, e cilat nuk janë shpenzime të njohura. E pastaj, a janë këto shpenzime reale në kosto, apo janë të inflatuara dhe të kalojmë në një sistem shumë më të thjeshtë, ku vendi të jetë në gjendje, Shqipëria të jetë në gjendje, të marrë që në momentet e para benefitet që i takojnë vendit dhe buxhetit të shtetit.

E në anën tjetër që është po kaq e rëndësishme, investitori që vjen, dhe ne po kërkojmë investitorë në nivelin e Shell-it, apo në nivelin kompanive të mëdha amerikane apo europiane të naftës, që të punojnë e të eksplorojnë, e të prodhojnë në blloqet tona hidrokarbure. E që të kemi mundësi t’i tërheqim këto kompani prestigjoze që punojnë në transparencë të plotë ndaj vetes së vet, ndaj qeverive, ndaj qytetarit, do duhet të kemi një legjsilacion të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë në mënyrë që administrata të ketë mundësi ta menaxhojë.

E fundit, ne kemi rënë dakord edhe me ekspertët e Departamentit të Shtetit, të punojmë në dy drejtime kryesore. Pikë së pari është, logjika që iu referua ministri Gjiknuri, menaxhimi i marrëveshjeve dhe një kapacitet më i përpunuar i negociimit të këtyre marrëveshjeve.

E dyta, një njësi brenda administratës fiskale që të ketë mundësi të auditojë këto marrëveshje specifike, sepse marrëveshjet hidrokarbure nuk janë marrëveshje të zakonshme si çdo lloj biznesi tjetër në terrenin ekonomik, janë pak më komplekse, janë më pak specifike dhe kërkojnë njohuri dhe kapacitete specifike.

Unë sërish ju falenderoj Ambasador, falenderoj edhe Departamentin e Shtetit dhe jam i bindur që të gjithë të pranishmit do kenë munësi që të vazhdojnë punën me ato gjetje që ekspertët do ndajnë me ne.

Faleminderit!