Postuar më: 16 Qershor 2016

Themelohet Confindustria Albania, Ministri Ahmetaj: “Shqipëria, treg interesant e në rritje. Përmirësimi i klimës së biznesit, betejë e rëndësishme që vazhdon”

Së pari dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, ju uroj suksese dhe jam i bindur që brenda një kohe të shkurtër do të gjeni veten si në shtëpinë tuaj.

Do t’i shfytëzoj pesë minutat e fjalës sime për të ndarë me ju disa momente të rëndësishme që lidhen me klimën e biznesit në Shqipëri dhe në përgjithësi me atë që po ndodh me konsolidimin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qendrueshëm.

Në të njëjtën kohë do të dëshiroja të ndaja gjithashtu me ju një statistikë shumë shpresëdhënëse, që flet për tregun shqiptar si pjesë e tregut të rajonit, por dhe një zgjatim i tregut Italian dhe patjetër frytdhënës për kompanitë italiane, vetëm në dy vitet e fundit janë  gati 1300 kompani italiane të regjistruara rishtaz dhe së fundmi Indeksi i punësimit, që është një kënaqësi e veçantë ta ndaj me ju, tregon që papunësia është në rënie megjithëse pjesëmarrja në  forcën e punës është rritur dhe rënie të ndjeshme ka dhe papunësia tek të rinjtë.

Të gjitha këto janë elementë që tregojnë për drejtimin e duhur të ekonomisë shqiptare dhe ndërkohë ne jemi shumë koshient, që çdo ditë do të duhet të punojmë nga pak, për të përmirësuar imazhin e vendit dhe klimën e biznesit. Kjo është një betejë që nuk mbaron kurrë, sepse dhe pritshmëria e sipërmarrjes për sa i përket përmirësimit të klimës është e pafundme.

Së fundmi, Qeveria shqiptare, pas 25 vitesh, paraqet një paketë procedurash fiskale, që për mendimin tim personal përbën një revolucion në marrëdhënien e administratës me sipërmarrjen. Dua t’ju përmend shumë shpejt disa nga elementët, është heqja e TVSh për makineritë dhe pajisjet; është rimbursimi automatik i TVSh-së për eksportuesit brenda 30 ditësh dhe e kemi ndryshuar logjikën e eksportuesit, jo më vetëm ata që e kanë 100% xhiron në eksport, por edhe ata që janë deri në 50%, rimbursim automatik që i shërben 60% të ndërmarrjeve të eksportit, pra një kërcim nga 12% në 60% e bizneseve që e përfitojnë; shërbim automatik për ndërmarrjet e eksportit dhe shkurtimi i kohës së regjistrimit dhe çregjistrimit, e cila ka qenë kuptohet, një problem i përmendur nga sipërmarrja.

Në të njëjtën kohë paketa proceduriale heq përfundimisht atë frikën e 25 viteve që ka sipërmarrja ndaj burokracisë abuzive, nëpërmjet mundësisë për vetëkorrigjim për 5 vite dhe njoftimit të kontorllit nga ana e fiskut 45 ditë në avancë dhe shumë elementë të tjerë, të cilët e bëjnë realisht tregun shqiptar një treg jashtëzakonisht shumë interesant, më interesantin patjetër në Ballkan dhe patjetër, tregun që ka mundësi t’i kthejë mbrapsht sipërmarrjes italiane por dhe gjithë sipërmarrjeve investimin e tyre, sepse më duhet t’ju përmend atë që thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar, risku i kësaj ekonomie në tre vitet e Qeverisë Rama ka rënë nga 83 % nën 70% në konceptin e Bordit, pra në dy vite, risku është ulur nga maja të frikshme në nivele normale dhe vazhdon të bjerë për shkak të reformave.

Unë me kaq po e mbyll, ju uroj mirëseardhjen dhe besoj se pas jush do të vijnë të regjistrohen shumë e shumë ndërmarrje italiane në vazhdim.

Faleminderit!