Postuar më: 01 Qershor 2018

Taksa progresive çliroi punësimin. Avantazhi konkurrues i ekonomisë, jo më thjesht kostot e ulëta, por rritja e produktivitetit.

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Përshëndetje të gjithëve!

I nderuar z. Angjeli

I nderuar profesor Kabo, Katia.

Përshëndetje të gjithë kolegëve deputetë, profesorëve dhe studentëve.

Unë do ta nis fjalën time duke trajtuar në retrospektivë të gjithë çështjen e punësimit, për të kuptuar edhe pikënisjen e asaj çfarë ka ndodhur në ekonominë shqiptare dhe tregun e punës, në dinamikë, përgjatë viteve të fundit, sepse është realisht e rëndësishme të dimë nga vijmë, për të kuptuar më mirë të tashmen dhe për të projektuar patjetër më mirë të ardhmen.

Në vitin 2013, për shkak të një kombinimi të një sërë faktorësh, si efektet e akumuluara të post-krizës globale të vitit 2008, keqmenaxhimi dhe mungesa e politikave të mirëfillta apo vizionet e zhvillimit që shoqëroi konsumimin e qeverisjes së kohës dhe patjetër, mbyllja e ciklit të një modeli ekonomik që i shteroi resurset e veta dhe një nga simptomat më të rënda ishte rritja ekonomike pa punësim, dhe ndërkohë që e gjithë kjo gamë politikash të pakoordinuara solli vitin 2012, i cili është viti me kulmin e varfërisë në Shqipëri dhe me punësimin më të ulët, ku ekonomia humbi ritmin e rritjes, papunësia u shtua dhe sigurisht që, edhe në bazë të raporteve ndërkombëtare, varfëria arriti kulmin.

Ne prezantuam një qasje të re për politikat e zhvillimit të vendit, të orientuar jo më nga konsumi, apo thjesht remitancat dhe ndërtimi, por nga rritja e prodhimit vendas dhe promovimi i eksporteve.

Po të kthehemi në retrospektivë, në momentin e parë kur ne prezantuam modelin e ri ekonomik, patjetër kishte dhe ironi nga të gjitha anët, qoftë nga politika, qoftë nga opinion-bërësit, dhe patjetër skepticizëm, pse jo, edhe në terrenin ekonomik, edhe në terrenin akademik. Cili është modeli i ri ekonomik? Si do promovohet modeli i ri ekonomik? Çfarë do të prodhojë modeli i ri ekonomik? Dhe për të mos hyrë në detaje, modeli i ri ekonomik ka filluar ka shenja serioze të përmbysjes së logjikës së vjetër, në një logjikë të re, bazuar tek prodhimi vendas, tek rritja e eksporteve dhe tek rritja e eksportit të shërbimeve, duke iu referuar turizmit, por jo vetëm. Ka dhënë ato rezultate që ne sot i shohim në shifra dhe qytetarët patjetër i prekin.

Unë do ta ritheksoj atë që tha Kryeministri, që të gjitha arritjet që ne i përmendim në shifra nuk janë të mjaftueshme, por do të duhet ta kuptojmë, ta mendojmë, që është shumë e rëndësishme të dimë se çfarë lamë pas. Lamë atë momentin e krizës greke.

Besoj këtu ka njerëz që e kanë përjetuar, e kanë prekur, kanë punuar për ta frenuar atë krizë në Shqipëri. Nuk është një klishe politike potenciali i krizës greke në 2013. Përkthehet drejtëpërsëdrejti në humbje punësimi, përkthehet drejtpërsëdrejti në ulje pensionesh dhe në ulje pagash. Po, pse njësoj është ta kishe rrogën 300 mijë lekë, pastaj për shkak të krizës ta kishe 150 mijë lekë, të vjetra? Po pse njësoj është që pensioni të ishte aq sa është, dhe aq është i pamjaftueshëm, 150 mijë lekë, 200 mijë lekë apo 250 mijë lekë të vjetra, dhe për shkak të krizës të shkonte në 100 mijë lekë të vjetra? E njëjta gjë është që ta kesh depozitën 100 mijë lekë dhe për shkak të krizës të zbresë në 60 mijë lekë?

Të gjitha këto, kur i dëgjoni në parlament, duken si një debat brenda suazës politike por, në jetën e përditshme të qytetarëve të vendit, janë realitete të mundshme që mund të bëhen, që mund të materializohen për shkak të papërgjegjshmërisë së grupimit politik apo të grupimeve politike që qeverisin.

Që në krye të herës, siç e theksova, zbatuam politika mbështetëse për sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe do të dua që t`ju tërheq një sekond vëmendjen në një dinamikë shumë interesante të mënyrës se si ka menduar qeveria.

Në 2014 ne avancuam një paketë dhe e quajtëm “Paketa e mbështetjes së fasonit”. Çdokush filloi të thoshte që “po si, tani ne të gjithë do të punojmë në fason? Po kjo është një ekonomi me vlerë të ulët?!” Dhe të gjithë ramë dakord me këtë, që po, kështu është! Është një sektor që sjell vlerë jo shumë të konsiderueshme, përsa i përket vlerës së shtuar në ekonomi, por vlerën e shtuar në punësim e sjell të konsiderueshme dhe këtë do ta lidh me promovimin që i bëjmë tani ICT-së dhe të gjithë specialiteteve teknike që na çojnë në produktivitet më të lartë dhe në prodhim të orientuar nga eksporti.

Katia është në dijeni të një procesi që unë personalisht si Ministër i Financave dhe Ekonomisë, por edhe stafi im së bashku me GIZ dhe me dy kompani të rëndësishme gjermane, jemi duke punuar për të sjellë një bërthamë ekselence shumë interesante në një sektor që fillon dhe balancon vlerën e shtuar në ekonomi, jo si e vetme, por si fenomen.

Ndërmorëm reforma të vështira por të domosdoshme, që e kthyen Shqipërinë dhe ekonominë në shtratin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe me punësim. Mos harroni që, kjo është e rëndësishme, kur morëm detyrën, borderoja në Tatime numëronte 425-430 mijë të punësuar. Sot që flasim, dhe akoma nuk kanë dalë shifrat e vetëpunësimit, janë 667 mijë të punësuar. Pra, janë mbi 240 mijë vende të reja pune si rezultat i zhvillimit ekonomik, i rritjes së numrit të vendeve të punës dhe patjetër të formalizimit.

Kryeministri iu referua një elementi fiskal, që në fakt dhe raporti me rekomandime i grupit të deputetëve drejtuar nga Profesor Angjeli e ka përmëndur, taksa progresive. Taksa progresive çliroi punësimin. Për këtë të jeni të bindur, sepse shifrat janë atje dhe ka dy korsi të rëndësishme që preken. E para është konsumi.

Mos harroni që nëpërmjet taksës progresive, me një lëvizje fiskale, u kthyen mbrapsht në xhepat e qytetarëve 100-120 milionë dollarë në vit. Hajde ta diskutojmë, kur na dëgjoni në Parlament me ato klishetë, taksa e sheshtë, taksa progresive. Po e shpjegoj fare thjeshtë. Unë kudo që takoj qytetarë në Republikën e Shqipërisë, në takimet e llogaridhënies, kërkoj të komunikoj me dikë që është mësues, infiermier, ose punon në sektorin privat dhe e ka pagën rreth 60-70 mijë lekë në muaj. E pyes sa e kishte taksën para 2013-ës? Thotë 6500 lekë në muaj, pra taksën e sheshtë. Po tani e pyes sa paguan? 2500 lekë të vjetra. Po të bëni llogarinë, është shumë e thjeshtë që gjithë pjesa tjetër që ishte taksë e shkonte në buxhet të shtetit dhe bëhej rrush e kumbulla me ato 300 milionët e vjedhura të rrugës së Kombit, sot është në konsum të familjeve. Pra, i bie gati paga e 13-të dhe të gjitha këto kanë çliruar konsum dhe patjetër që në xhiron e punësimit, konsumi është një prerogativë shumë i rëndësishëm.

Ka disa elementë që duhen ritheksuar. Për herë të parë në vitin 2017 punësimi në sektorin jo bujqësor kaloi sektorin bujqësor, që është lëvizje cilësore në formacionin e punësimit në Republikën e Shqipërisë.  Dhe, po referuar raporti të Bankës Botërore, të cilit iu referua dhe Kryeministri, Shqipëria është një ndër vendet me punësimin më të lartë të forcës së punës, po kap nivelin e 60 % dhe papunësia është në nivelin më të ulët të 10 viteve. Në tremujorin e fundit të 2017 shkoi në 13.4 %. Papunësia tek të rinjtë është 26 %. Janë shifra që patjetër kur debatojmë për fuqinë blerëse, apo për rritjen ekonomike, dikush në legjitimitet të plotë do të thotë se nuk mjaftojnë. Po, nuk mjaftojnë, nuk diskutohet, por gjithmonë për të kuptuar ku jemi dhe ku shkojmë, ka një element retrospektive. E po të kthehemi mbrapsht, ne erdhëm nga shifra 17.6 % papunësi dhe tani po zbresim, dhe e kemi objektivin njëshifror të papunësisë.

Unë dua të ndaloj në disa elementë konkretë. Këtu diskutohet shumë, qoftë brenda qeverisë, qoftë në rrethet akademike, qoftë në donatorë, apo në terrenin ekonomik të ndërmarrjeve, gjithë formimi profesional. Për t’iu referuar asaj që u tha këtu, për të punuar qoftë me ofertën, qoftë me kërkesën për punësim dhe kuptohet që në mes është ndërmjetësimi, po i referohem si “matching” të aftësive me vendet e punës.  

Këtu dua të jem shumë i sinqertë me veten, me ju dhe të gjithë ata që na dëgjojnë. Kemi një sfidë shumë të madhe. Kemi një sfidë shumë të madhe sepse nuk ka kompani në Republikën e Shqipërisë që nuk thotë: “Po, unë kam vende të lira pune, por realisht e kam të vështirë të gjej punonjës të cilët përputhen me aftësitë e domosdoshme të atyre vende të punës që ne kemi nevojë për të mbushur”.

Këtu po kaloj tek elementi tjetër, krahasimi 2014 me 2017. Në vitin 2014 fokusi tek fasonët, që e realizoi qëllimin dhe tani ka filluar, e ne shpresojmë që edhe me mbështetje, të kalojë në cikël të plotë, pra nga një vlerë e ulët në një cikël të plotë me vlerë më të madhe; tani në 2017 po fokusohemi tek tre elementë shumë të rëndësishëm. E para dhe mbi të gjitha është ICT;  e dyta është manifaktura, dhe e treta është ajo që ne tani kemi filluar t’i referohemi si shërbimet e biznesit apo shërbimet në tërësi, të fokusuara tek turizmi, sepse kanë mundësinë që të sjellin një shumëngjyrshmëri me vlerë shumë më të lartë në ekonomi.

Do ju sjell një shembull përsa i përket ICT. Mos harroni që ne e promovuam nga ana fiskale ICT-në me një ulje drastike nga 15% në 5% të tatim-fitimit dhe sot presim mendime nga sektori se si mund ta mbështesim akoma më mirë.

Dy ditë më parë isha në një takim me dy kompani gjermane. Njëra nga ato është Lufthansa IT Solution. Para se t’ju tregoj pse kanë ardhur në Shqipëri po ndaj me ju një statistikë. Sot sistemi akademik shqiptar nxjerr 600-700 studentë që janë IT apo të lidhur me IT, inxhinierë telekomunikacioni apo inxhinierë që lidhen me këta sektorë. Paga mesatare e këtij sektori, e deklaruar, është 70 mijë lekë në muaj. Për mua është sërish akoma e ulët dhe kjo edhe për shkak të nevojës për ta deklaruar akoma më pastër e më të formalizuar. Pra, është gati tre herë e gjysëm më e madhe se sa paga minimale dhe është dy herë e gjysëm më e lartë se sa paga mesatare, dhe Lufthansa erdhi me një ekip ku prezent ishin dhe kompani IT Indiane, që ju e dini shumë mirë se janë të famshme në këtë sektor.

Cila është gara e Shqipërisë? Gara e Shqipërisë është të tërheqë këto kompani. Lufthansa IT Solution është këtu për të bërë potencialisht një partnership, për të prodhuar për kërkesën globale në industrinë e aviacionit, pra softëare, dhe kërkon inxhinierë apo specialistë të kualifikuar. Kjo është sfidë dhe këtu sfida është së pari tek pjesa e qeverisë, pastaj tek sipërmarrja.

Si e furnizojmë ne këtë sektor me investime në kapitalin human për të rritur aftësi, pra për të punuar në atë që iu referuam, ana e ofertës. Unë mendoj që ne akoma, megjithëse kemi bërë shumë, nuk e kemi fleksibël mënyrën se si e mbështesim arsimin profesional dhe formimin profesional. Do të duhet të jetë shumë fleksibël. Për shembull, çfarë mund të bëjë brenda kuadrit legal qeveria me kërkesat që ka Lufthansa, së bashku me kompaninë tjetër gjermane, për investim në kapitalin human në formimin profesional? Ne e kemi akoma qasjen pak të përgjithshme, nuk e kemi akoma pak individuale. Do të duhet ta kemi individuale sepse në këtë fazë jemi.

Kam një rast tjetër në Elbasan që kanë filluar të punojnë, është një kompani që ka procese teknologike shumë specifike të përpunimit të gomës dhe praktikisht kërkon punonjës të kualifikuar. Nuk kushton pak t’i kualifikosh. Sot në mënyrën se si e kemi ndërtuar legjislacionin dhe nën-legjislacionin, nuk kemi mundësi që të bëjmë një paketë individuale për të mbështetur, por imagjoni se kështu është bërë Singapori, kështu janë bërë shumë vende të tjera, kanë krijuar qendra ekselence pune si këto që po flasim, dhe mbi të është ndërtuar edhe ofertë, dhe kërkesë, dhe pastaj e kanë kthyer në sektor të konsoliduar.

Ndërkohë, sfidën tek punësimi e kemi tek rritja e produktivitetit të forcës së punës. Çfarë problemi ka Shqipëria, që ështe e lidhur me vlerën e shtuar? Produktivitetin. Forca e punës në Shqipëri ka akoma produktivitet të ulët. Kjo na bën që ne të mburremi vetëm me koston e ulët të fuqisë punëtore. Nuk mund të jetë më normale. Do të duhet të kalojmë në nivel tjetër sepse kalimi në nivel tjetër shoqërohet pastaj me rritje ekonomike, me rritje pagash, me rritje fuqie blerëse, me rritje konsumi, me rritje dije, të kalojmë tek ekonomia e dijes që realisht akoma jemi shumë larg.

T’ju sjell një shembull interesant se çfarë po ndodh sot në terrenin ekonomik? Lëvizja e kursit të këmbimit, pra mbivlerësimi i lekut, ka bërë që marzhet e fitimit të disa kompanive që e kanë bazuar fitimin te kosto e lirë e punës, të ngushtohen. Pra do të thotë, që për herë të parë në shumë e shumë vite, kompanitë shqiptare po thirren të provojnë veten për të rritur produktivitetin, në mënyrë që të qëndrojnë konkurruese, që do të thotë duhet t’i kthejnë sytë nga kapitali human.

Këtu do të sjell një shembull të një produkti që vjen në vazhdën e punës që bën Ministria e Financave jo thjesht në atë strategji, nëse mund ta quaj kështu, që po bëjmë për rritjen e punësimit, por brenda kësaj po bëjmë një përpjekje pak më specifike me Universitetin e Harvardit, dhe jemi fokusuar se ku kanë kapacitet sektorët që të sjellin punësim dhe çfarë do të duhet të bëjmë ne që ky punësim të materializohet. Dhe, më besoni që nëse ne si Ministri, qoftë Universiteti i Harvardit, qoftë në punën e përbashkët, fokusohemi tek potenciali që ka turizmi, pra sektori i shërbimeve, që ka dhe ICT. Dhe, këtu unë dua që të marr një angazhim që të komunikoj me Ministren e Arsimit dhe të kemi një strategji të përbashkët sepse besoj që grantet që jep buxheti i shtetit do të duhet të targetohen më drejt. Çfarë dua të them me këtë? A kemi nevojë ne sot, që të mbështesim shkencat politike, apo jurisprudencën me para buxheti, apo Fakultetin e Ekonomisë? Unë mendoj, megjithëse pjesa e dekanateve të Fakulteteve që unë përmenda do më marrin inat, unë mendoj që jo.

Ne do të duhet të fokusohemi tek Matematika, tek Inxhinieria dhe tek Shkencat Kompjuterike ose Inxhinieri të Teknologjisë dhe të Informacionit. Aty po, ia vlen të shpenzojmë në mënyrë të zgjuar, në mënyrë që unë sot po të kisha mundësi, pas një reflektimi të thellë, grantet që merr Ministria e Arsimit do t’i hidhja tek këto Fakultete, në mënyrë që gjithë kjo qendër ekselence të funkisionojë për rritjen e produktivitetit në ekonomi, në mënyrë që kërkesa dhe oferta të fillojnë e të arrijnë pikën e “matching”.

Unë këtu do ta mbyll fjalën time, por besoj që sfida e punësimit është sfida e parë dhe do të duhet të kalojmë tek sfida e punësimit cilësor dhe të qëndrueshëm, dhe besoj që është një fenomen ekonomik, është një fenomen financiar, është një fenomen social, është një fenomen politik.

Ju falënderoj sërish për ftesën dhe ju uroj një konferencë të këndshme dhe me konkluzione në ndihmë të politikëbërësve, por edhe terrenit ekonomik.