Postuar më: 06 Dhjetor 2016

Rritja e pagave të ushtarakëve, rikthimi i dinjitetit, shpërblim për sakrificën, nderim për kontributin madhor për vendin

Fjala e Ministrit Ahmetaj

I nderuar Kryeministër

E nderuar kolege

Të dashur pjesëmarrës ushtarakë dhe ushtarake,

Për mua është kënaqësi që të ndaj me ju që për herë të parë në 25 vite një qeveri ka mundësi që të akordojë një fond kaq të qënësishëm, 100 mln USD brenda një viti për rritjen e pagave dhe pensioneve të administratës dhe të qytetarëve.

Është vërtet më e larta dhe ka një specifikë tjetër që secili nga ne këtu brenda, secili nga ju, s’do të duhet kurrë të harrojë: Jemi duke rritur pagat dhe pensionet për herë të parë në 25 vite duke ulur borxhin.

Nuk është aspak keq që ta përsërisim gjithmonë që ditën që morëm detyrën, ekonomia shqiptare ishte në pikët e vetë më të ulët të 15-16 viteve të fundit. Ishte hera e dytë e falimentimit të shtetit. Herën e parë e keni provuar edhe ju vetë drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë të dhimbshme në ’97. Dhe 2013 ishte një falimentim i ngjashëm, i një dimensioni tjetër. Me një rritje ekonomike nën 1%, me borxhe 726 mln USD dhe me financa të shtetit të shkatërruara, ku do ta përsëris çdo ditë që do të jem në një përgjegjësi zyrtare, që nëse nuk do të kishim bërë asgjë, në 23 tetor 2013 dhe ju që jeni këtu, dhe policët, dhe pensionistët, dhe mjekët do të kishin mbetur pa paga.

Ajo që ka bërë Qeveria për ju, si kthim i përgjegjshëm i sakrificës që ju bëni çdo ditë në emër të vendit dhe në emër të qytetarëve, qoftë brenda Shqipërisë, qoftë jashtë, ka qenë patjetër detyrë dhe premtim i Qeverisë Rama dhe jo më kot, dua të ripërsëris atë kthim mbrapa që ne i bëjmë me 10 mln USD të gjithë ish-ushtarakëve, 5400 ish-ushtarakëve, të cilët do të detyroheshin t’i kthenin shtetit ato para nga xhepi i tyre. Është një e drejtë e fituar, e mohuar, e premtuar nga ne dhe e mbajtur si premtim dhe nuk ishin pak, ishin 10 mln USD.

Dua të kthehem tek tre element dhe dua t’i përsëris sepse ky grup njerëzish, ndër më të disiplinuarit dhe më të përgjegjshmit, do të duhet patjetër të bëhet misionar i fjalës së vërtetë sesi kemi ardhur deri këtu. 

100 mln USD për pagat dhe pensionet për herë të parë në 25 vite që një qeveri ka mundësi të avancojë brenda një viti.  Nuk është hera e parë që rriten pagat tuaja në këto tre vite e pak. Janë rritur për herë të parë nëpërmjet heqjes së famëkeqes taksë e sheshtë. Dikur ju paguanit 10%, sot paguani të paktën gjysëm për gjysëm të asaj takse që ne e premtuam që do ta hiqnim.

E dyta që është po kaq e rëndësishme, ka të bëjë me rritjen e pagave pa borxh, përkundrazi duke ulur borxhin. Është përgjegjshmëri e një qeverie për të mos e ngarkuar, përkundrazi ta lehtësojë barrën e qytetarëve vit pa viti. Ne këtë vit kemi filluar për herë të parë që nga vitit 2010, të ulim borxhin publik dhe vitin tjetër shkojmë nën nivelin që e morëm, shkojmë pra në 69.1% dhe me tendencë për ta ulur në vitet që vijnë deri të paktën në fund të mandatit të dytë në 60%.

Nuk do t’ju jap një shifër të rritjes suaj të pagës. Paga juaj rritet në mënyrë dinjitoze, por dua t’ju zbuloj një të vërtetë. Shuma e rritjes së pagës suaj është llogorja e fundit “e betejës”së Kryeministrit me FMN. Dua të ndaj me ju diçka që nuk është sekret, por gjithësesi nuk është publike, Kryeministri ka debatuar me FMN për çdo kategori, duke filluar që nga mjekët, për rritjen e pagës së kategotive të mjekëve, mësuesit,  policët , administratën publike dhe sigurisht nuk më takon mua sot supriza, supriza është e Kryeministrit.

Faleminderit dhe ta gëzoni!