Postuar më: 22 Qershor 2016

Rimbursimi automatik i TVSH brenda 30 ditëve për eksportuesit, Ministri Ahmetaj: “Numri i bizneseve përfituese rritet nga 300 në 1050”.

Përshëndetje,

Sot në Qeveri kaluam një vendim shumë të rëndësishëm që ka lidhje të drejtpërdrejt me paketën e madhe fiskale lehtësuese të procedurave që Qeveria dhe Kryeministri Rama ka avancuar në publik dhe në komunitetin e biznesit.

Vendimi në fjalë, “Për një ndryshim në Vendimin nr 9053/2014 ka të bëjë për tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, pra dispozitat zbatuese, ka ndryshuar në themel një nga procedurat që deri më sot mund të ketë qenë një procedurë  penguese.

Deri më sot, rimbursim automatik brenda 30 ditëve do të merrte vetëm një biznes, i cili ishte 100% sipërmarrje eksporti. Me ndryshimin që kemi bërë, përfitojnë 50% e bizneseve, e sipërmarrjeve, në eksport duke hequr atë pengesë që ka ekzistuar deri më sot për rimbursimin e tvsh në eksport.  Dhe më konkretisht, nëse deri më dje vetëm sipërmarrjet 100% eksportuese përfitonin rimbursim automatik dhe kur ishin nën kontroll tatimor, sot të gjitha sipërmarrjet që kanë një qarkullim në eksport 50% e sipër të qarkullimit të tyre total, përfitojnë rimbursim automatik të TVSh të rimbursueshme, pa asnjë pengesë edhe kur janë nën kontroll tatimor.

Pra për ta shpjeguar më thjesht për eksportuesit, brenda 30 ditëve do të marrin rimbursimin e tvsh edhe në rastet kur Tatimet janë në sipërmarrje për kontroll, qoftë për rimbursimin apo për kontrolle të tjera.

Deri më sot nga rimbursimi automatik në eksport, me këtë kusht, përfitonin vetëm 12.3% e bizneseve dhe dua të ndaj me publikun që sot, pra në fund të 2015, rezultojnë 515 subjekte eksportues dhe deri më dje përfitonin nga rimbursimi automatik pa kushte brenda 30 ditëve i TVSh, vetëm 300 sipërmarrje. Sot me këtë ndryshim që ka bërë Qeveria përfitojnë 1050 ndërmarrje ose 40% e totalit të eksportuesve. Pra ka një kërcim shumë serioz në lehtësimin e  procedurave dhe të kësaj procedure, e cila është kërkuar në vazhdimësi nga eksportuesit.

Kjo është një masë tjetër e drejtpërdrejt lehtësuese e Qeverisë shqiptare për sipërmarrjen dhe eksportuesit në vend. Shkon me frymën e Qeverisë dhe Kryeministrit për të mbështetur eksportuesit shqiptarë dhe eksportuesit e mallrave shqiptare.

Gjej rastin të ndaj me ju dhe që në datën 20 qershor është përmbyllur procesi i gjerë i konsultimit me sipërmarrjen dhe partnerët tanë në vend mbi draftin e thjeshtësimit të procedurave tatimore dhe doganore në favor të sipërmarrjes.

Jam shumë i kënaqur që në mëse 2 muaj, mblodhëm mbi 400 propozime dhe sugjerime të sipërmarrjes, të cilat prekin drejtëpërsëdrejti mbi 50 procedura. Shumë shpejt drafti final do të jetë gati për t’u dorëzuar në Qeveri dhe me këtë hap, realisht hapim një kapitull të ri të klimës së përmirësuar të biznesit

Pra ekonomia shqiptare më në fund kalon në fazën e dytë të zhvillimit të saj. Kemi lënë krizën mbrapa dhe jemi futur në një trend shumë të konsoliduar të rritjes ekonomike. Kemi mbyllur dhe pastruar të gjitha ato gropa që gjetëm nga qeveria e vjetër dhe e gjithë kjo paketë dhe të gjitha këto thjeshtësime procedurash, tregojnë më së miri se ekonomia shqiptare ka hyrë tani në një cikël, shpresojmë të gjatë, të rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Faleminderit!