Postuar më: 17 Janar 2018

Punonjësit e rafinerisë së Ballshit dhe Fierit, do të përfitojnë pagesat e papunësisë

Deklaratë për mediat e ministrit të Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj pas mbledhjes së qeverisë:

Përshëndetje,

Dëshiroj të ndaj me ju një informacion për diskutimin në qeveri për sa I përket punonjësve të rafinerisë së Ballshit dhe rafinerisë së Fierit.

Është marrë angazhim nga qeveria që Zyra e Punës në Qarkun e Fierit dhe zyrat përkatëse në qytetet përkatëse, të jenë në ndihmë, në shërbim të punonjësve të dy rafinerive, për t’i ndihmuar për aplikimin e statusit të papunësisë, në mënyrë që ata punonjës që sot janë pa punë në të dyja rafineritë, të përfitojnë menjëherë në bazë të ligjit pagesën e papunësisë.

Ndërkohë, qeveria qëndron e angazhuar e vëmendshme deri në detaje, për të mbështetur çdo investitor serioz që do të vijë me një projekt serioz, për zhvillimin e biznesit në Rafineritë e Ballshit dhe të Fierit, apo një ofertë nga investitor serioz, për zhvillimin e një biznesplani në sektor, ku përshin vënien në punë të të dyja Rafinerive.

Pra, qeveria qëndron të jetë e angazhuar pranë naftëtarëve, duke i ndihmuar me procedurat, duke i vënë në dispozicion Zyrat e Punës, në mënyrë që ata punonjës, ata naftëtarë dhe ata familjarë të përfitojnë menjëherë pagesën e papunësisë.

Jemi në gatishmëri, të vëmendshëm deri në detaje për të mbështetur çdo iniciativë private për vënien në punë të rafinerive.

Faleminderit!