Postuar më: 13 Dhjetor 2016

Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin, vlerë e shtuar për ekonominë në rajonin e jugut

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Ceremoninë e Nënshkrimit të Marrëveshjes mes Bankës Botërore dhe Qeverisë shqiptare për Projektin e Zhvillimit të Integruar Urban dhe Turizmin në rajonin e jugut.

I nderuar Kryeministër,

Zonja Goldstein,

Zonja Sayeed,

E nderuar kolege,

Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Bankën Botërore dhe mbështetjen e saj në vite, për Shqipërinë, për ekonominë e vendit duke filluar që nga viti 1991 në sektorët kyç të ekonomisë, duke mbështetur reformat kyçe dhe të domosdoshme të vendit.

Marrëveshja që nënshkruajmë sot është e lidhur me projektin për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin në zonën e Jugut, një projekt mbi të cilin është punuar që në vitin 2015.

Do të ndalem tek ajo që besoj është thelbi jo vetëm i kësaj marrëveshjë, por edhe këndi i duhur për të parë çdo projekt që realizohet në ekonomi – Sfida jonë është të investojmë, të investojmë zgjuar aty ku ka kthim të garantuar në ekonomi dhe që krijon ose inicion një zinxhir vlere jo vetëm për atë sektor, por edhe për sektorët e tjerë.

Kur flasim për projekte zhvillimi, cili është qëllimi final? Qëllimi është që në kohë, ta bëjmë të prekshëm zhvillimin për zonën apo rajonin ku projekti zbatohet, qoftë në termat e infrastrukturës, të mundësive të shtuara për punësim, të zhvillimit të sektorëve apo industrive direkte dhe atyre të lidhura dhe në të gjithë zinxhirin që reflektohet në rritje ekonomike.

Çfarë është ky projekt që firmosim sot? Është një projekt që kombinon të dy komponentë në gjykimin tim tejet të rëndësishëm, sidomos kur ato ndërthuren ato me njëri- tjetrin.

Së pari garanton zhvillim të integruar urban dhe garanton promovimim dhe zhvillimin e turizmit në një zonë, ku të dy këto elemente, të trajtuar siç duhet, me projekte të duhura që “kthehen” mbrapsht në ekonomi, mund dhe do të bëjnë diferencën.

Flasim për katër bashki që preken, është Bashkia e Sarandës, Përmetit Beratit dhe Gjirokastrës. Një rajon që edhe në aspektin turistik, edhe atë urbanistik ka nevojë të domosdoshme të jetë më tej I ndërlidhur nga ana infrastrukturore dhe nga ana e zinxhirit ekonomik.

Nëpërmjet këtij projekti krijojmë, në këndvështrimin tim nga herët e param një projekt të integruar të zinxhirit dhe të unazës së turizmit të jugut.

Ky është synimi i projektit: (i) përmirësimi i infrastrukturës urbane, (ii) përmirësimi i aseteve turistike, dhe (iii) forcimi i kapaciteteve institucionale për të mbështetur këtë zhvillimin ekonomik lokal të lidhur me turizmin në zonat e sipërmendura të përzgjedhura nga projekti.

Komponenti i dytë I lidhur ngushtë me komponentin e parë është turizmi, është sektor prioritar për ekonominë shqiptare që më duhet të them, ende performon nën kapacitete. Kemi ende sfida për të adresuar në industrinë e turizmit, kapaciteti pritës është ai kryesori dhe më tej është cilësia e shërbimit, por shtrati është infrastruktura dhe zhvillimi I integruar i industrive të lidhura direkt me turizmin dhe industrive që përfitojnë në mënyrë të vazhdueshme, ndoshta dhe jo direkte nga zhvillimi I turizmit .

Kosto e realizimit vlerësohet të jetë 63.8 milionë EUR, e cila do të financohet e gjitha nga IBRD. Institucionet kryesore për realizimin e këtij Projekti do të jenë Ministria e Zhvillimit Urban, (MZhU) dhe agjencia zbatuese që është Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FShZh), si dhe bashkitë e mësipërme që do të përfitojnë nga projekti. MZhU do të jetë institucioni përgjegjës për realizimin dhe mbarëvajtjen në tërësi të projektit, ndërsa FShZh do të jetë agjencia që do të realizojë zbatimin e projektit, duke përfshirë ndër të tjera aktivitetet e manaxhimit financiar, prokurimit dhe manaxhimit të kontratave të lidhura në kuadër të projektit.

Unë ju falenderoj sërish për mbështetjen dhe suksese në zbatimin sa më efikas të projektit që do të jetë patjetër një vlerë e shtuar për ekonominë dhe unazën turistike të jugut.

Faleminderit!