Postuar më: 24 Janar 2017

Program i suksesshëm me FMN, fuqizim i mëtejshëm i rritjes ekonomike, konsolidim fiskal, vazhdimësi e reformave

Konkludimi i Programit me FMN, Fjala e Ministrit Ahmetaj

Përshëndetje,

Sot konkludojmë rishikimin e fundit dhe së bashku me të edhe një program tejet të suksesshëm të qeverisë shqiptare me FMN, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

Dëshiroj së pari të falenderoj Anitën dhe të gjithë ekipin, ashtu si edhe Bankën e Shqipërisë, Guvernatorin gjithashtu, sepse e nisëm nga një pikë aspak e lehtë. Kemi pasur shpesh qëndrime të ndryshme, negociata të vështira por edhe bindjen e plotë se Shqipëria do duhet të bënte definitivisht një kthesë të rëndësishme ekonomike për të hyrë në një cikël pozitiv afatgjatë zhvillimi, sikurse e shohim sot të reflektuar në shifra dhe statistika.

Sigurisht që sot mbyllim një program, por jo bashkëpunimin tonë me FMN. Fondi mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë, një mbështetje dhe ndihmesë edhe për qeverinë shqiptare, me ekspertizën që kanë sjellë dhe konsulencën e tyre vecanërisht në aspektin e administrimit të taksave dhe menaxhimin e financave publike, dhe do të vazhdojnë të mbeten të tillë edhe pas përfundimit të programit aktual.

Programi ynë me FMN ka arritur të gjithë objektivat e tij për korrektimin e disbalancave makroekonomike, që askush nga s’duhet t’I harrojë në mënyrë që të mos përsëriten më, duke mundësuar kthimin e trendit ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, pa cënuar, përkundrazi, përforcuar stabilitetin fiskal.

Gjatë këtyre viteve programi me FMN ka qenë një nxitës i rëndësishëm për të gjithë programin qeveritar dhe sidomos për reformat në fushën e financave publike, të cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë tejet të rëndësishme si për aspiratat integruese të vendit, ashtu edhe për modelin tonë të rritjes ekonomike.

Për të tretin vit radhazi kemi konsoliduar rritjen ekonomike.  Rikonfirmojmë projeksione për mbylljen e vitit 2016 me një rritje prej 3.4% të PBB, me një përshpejtim në krahasim me rritjen me të ulët që nga viti ’97, prej 1% në vitin 2013.  Rritja reflekton kryesisht rritjen e kërkesës së brendshme, si konsumin final ashtu dhe investimet totale në ekonomi.

Ndër arritjet më kryesore të programit do të vecoja:

Konsolidimi i qëndrueshëm fiskal, ku në sajë të zbatimit të një politike të kujdesshme fiskale u bë e mundur që në vitin 2017 të synojmë një balancë primare, më pozitivja në 25 vite prej +0.7% e PBB, nga një deficit primar prej -1.7% e PBB në vitin 2013. 

Kjo politikë e kujdesshme fiskale ka mundësuar një deficit të përgjithshëm prej 2%, gjithashtu më I ulëti në 25 vite apo ndjeshëm më I ulët se ai I vitit 2013 kur shënonte 5%, duke sjellë një reduktim të borxhit nga 70.4% në vitin 2013 në 68.9% në vitin 2017. 

Viti 2016 ishte viti I parë pas shumë e shumë vitesh kur borxhi fillon trajektoren e vet rënëse. Ndërkohë prespektiva për reduktimin e ndjeshëm të borxhit publik në vijëmesi është vënë në një shtrat të konsoliduar. Vetëm në dy vitet e fundit, sic e theksova, 2016 dhe 2017, borxhi publik reduktohet me rreth 4% e PBB.

Gjithashtu si rezultat i politikës fiskale si dhe një sërë reformash strukturore që janë ndërmarrë në sektorë kyç si energjia, pensionet, menaxhimi i financave publike, reforma e administratës publike, reforma në pushtetin vendor etj, reforma në administrimin fiskal, është arritur rimëkëmbja e rritjes ekonomike, rritja e punësimit dhe ulja e papunësisë.

Një tjetër arritje e rëndësishme e programit, është shlyerja në kohë rekord e detyrimeve të prapambetura të trashëguara para vitit 2013 dhe krijimi cdo vit e më intenisv, e më rigoroz, i mekanizmave monitoruese, parandaluese dhe të shlyerjes së detyrimeve të reja që mund të akumulohen në të ardhmen. Strategjia e menaxhimit te Financave Publike dhe në kuadër të saj, miratimi i ligjit të ri organik të buxhetit, ka qëne një arritje e rëndesishme në këte drejtim.

Modeli ynë ekonomik si qeveri, ka qenë padyshim reformat e thella, në sektorët kycë, për të cilat qeveria shqiptare ka angazhimin e plotë dhe që tashmë kanë filluar të shpërblejnë ekonominë shqiptare dhe qytetarët, duke sjellë rezultate të prekshme në terrenin ekonomik.

Reforma në pensione – sot kemi një skemë funksionale, me një raport tejet të përmirësuar të kontributeve me përfitimet dhe forcimit të lidhjes mes tyre. Deficiti i skemës së pensioneve, nese nuk do të kishim ndërmarre reformën, do të shkonte në 2.2% të PBB. Sot deficit është ulur ndjeshëm, në 1.84% të PBB. 

Reforma në energji – ishim në situatën kur financat publike rëndoheshim nga humbjet e sektorit me 150 milionë euro çdo vit. Sot humbjet në rrjet janë ulur nga 45% në 2013, në 28%  dhe në një vit electoral si 2017, synohet të zbritet në 25% -26%. Financimi nga buxheti I shtetit ka rënë nga 0.9% e PBB në 2014, në rreth 0.1% në 2017. Dhe për herë të parë pas 6 vitesh, Shqipëria në 2016 u kthye në eksportues neto të energjisë.

Reforma në klimën e biznesit – këtu dua të vecoj paketën e thjeshtimit të procedurave tatimore, një revolucion në klimën e biznesit në 25 vite, të reflektuar në mbi 40 procedura të thjeshtuara, me qëllim reduktimin e kohës, kostos dhe burokracisë, në favor të sipërmarrjes.

Nga ana tjetër, në kuadër të betejës tonë kundër informalitetit, prezantimi i fazës së dytë, të orientuar nga instrumentet intelgjentë të riskut dhe vendosja e një komunikimi intenisv me sipërmarrjen, me qëllim promovimin e një kulturë të re të pagimit të taksave përmes parimit të vetëkorrigjimit, kanë shënuar gjithashtu një standard të ri në klimën e të bërit biznes në vend, reflektuar edhe në anketën e fundit.

Në vitin 2017 avancojmë reforma të tjera të rëndësishme, sic është ajo në drejtësi, reforma administrative territoriale përmes një mbështetje të rëndësishme për njësitë e pushtetit lokal, reforma e ujit, reforma në administratën publike me rritjen e pagave dhe pensioneve, etj.

Të gjitha këto reforma japin sigurinë që zhvillimi i vendit është mbi baza të qëndrueshme pavarësisht luhatjeve që mund të pësojnë faktorët e jashtëm dhe ata të brendshëm.

Së fundmi, dëshiroj të falenderoj Kryeministrin e Shqipërisë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë këtij procesi dhe Ministrisë së Financave si dhe kolegun tim, ish-Ministrin Cani për kontributin e tij.

Faleminderit.