Postuar më: 13 Shtator 2016

Performanca e 8-mujorit, rritja ekonomike mbi mesataren e rajonit. Tremujori i parë, rritja më e madhe në 5 vjet

Siç e kemi bërë traditë besoj tani, jemi përballë për prezantimet e fundit ekonomike çdo tre muaj. Kemi ndarë së bashku, të gjitha ngjarjet ekonomike qoftë në shifra, qoftë ato ligjore dhe procedural. 
Unë me kënaqësi ndaj me ju që lajmet ekonomike vazhdojnë të jenë të përmirësuara në favor të ekonomisë dhe konsumatorëve dhe jam i bindur sot më shumë se kurrë, se arsyeja e vetme është këmbëngulja e qeverisë shqiptare për të bërë reformat e duhura makro-fiskale, financiare, apo të gjithë reformat e tjera si reforma e pensioneve, reforma në sistemin energjetik, reforma në rivendosjen e shtetit ligjor dhe së fundmi, jehona dhe shumë shpejt dhe eksperienca e reformës në drejtësi.
Unë e them shpesh, shifrat ekonomike bëhen objekt i debatit politik, është gjëja më normale dhe e natyrshme por, e kam theksuar dhe do ta theksoj se përtej këtij debati, statistika është statistikë, pavarësisht se dikush tenton ta interpretojë në një mënyrë apo në një tjetër, statistika është kokëfortë. 
Dua t’ju tërheq vëmendjen tek rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2016, është 2.96%. Ende nuk është publikuar tremujori i dytë, besoj se del në gjysmën e dytë të tetorit, por të gjitha indikacionet janë shumë pozitive. 
Jo pa qëllim ju kam sjellë në prezantim si ka qenë rritja ekonomike në tremujorët e parë të 5 viteve të fundit:  2.96% është rritja më e madhe në tremujorët e parë të pesë viteve të fundit; në tremujoriun e parë të 2012 rritja ishte -0.65%; në tremujorin e parë 2013 ishte 1.5%; në tremujorin e parë 2014 ishte 1.2%, në tremujorin e parë 2015 ishte 2.54% dhe 2016 është 2.96%. Pra, kemi një rritje jashtëzakonisht shumë të rëndësishme, në krahasim me të gjithë tremujorët e tjerë dhe besoj kjo tregon se çfarë është duke ndodhur me ekonominë shqiptare.
Ndërkohë dua t’ju sjell edhe qëndrimin e Bankës së Shqipërisë për çfarë ka të bëjë me ecurinë ekonomike. Raporti tremujor i politikës monetare që ka dalë në gusht të 2016, i referohet drejtpërsëdrejti:  “aktiviteti ekonomik pritet të shënojë përmirësim të vazhduar gjatë viteve 2016 -2018, në afatshkurtër konsumi dhe investimet private pritet të mbështesin rritjen, duke përfituar nga kushtet monetare stimuluese dhe përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë. Financimi I tyre pritet të gjenerohet nga kursimet e akumuluara nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte dhe përmirësimi I tregut të punës” – thotë BSH, gje që u konfirmua edhe me statistikën e para disa ditëve për tregun e punës. 
Rritja ekonomike e tremujorit të parë 2016 është padyshim më e madhja në 5 vite dhe është një indikacion i drejtpërdrejtë për atë që po ndodh në ekonomi. 
Nuk ka ndryshuar asnjë parashikim për rritjen ekonomike dhe për herë të parë në shumë e shumë vite, ekonomia shqiptare do të thyejë nivelin e 3% dhe arsyet do të jenë, siç rikonformohet edhe nga FMN, formimi i kapitalit, konsumi i popullatës dhe eksportet, në përputhje të plotë edhe me atë që thotë BSH.  
Kam sjellë një slide për të dalluar dhe për të ndarë me njëri-tjetrin se ku ndodhet rajoni sot dhe ku ndodhemi ne. Rritja e tremujorit të parë është konsiderueshëm mbi mesataren e rajonit, sigurisht që ka vende të rajonit që ka rritjen më të lartë dhe ka dhe rritje më të ulët por ne ngelemi mbi mesataren e rajonit.
Dua të ndaj me ju performancën e 8- mujorit për të ardhurat. Siç e shikoni kemi mbledhur këtë vit 8 mujor me 8 mujor, 17.2 miliard lekë më shumë, pra totali I të ardhurave të krahasuara ndër vite, është shumë e rëndësishme për të treguar efektivitetin e mbledhjes së të ardhurave.
Pra, totali I të ardhurave në 8-mujor është rritur me 7%. Mesatarja e rritjes së 8-mujorit të 3 viteve të fundit 2014-2016 është 8.2%, ndërsa mesatarja e rritjes së 8-mujorit në tre vitet 2011-2013,  ishte vetem 0.7%, pra është një statistikë e drejtpërdrejtë për të parë se sa ndikim ka efektiviteti I mbledhjes së të ardhurave.  
Të ardhurat nga tatime, dogana dhe sigurime, që janë përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e qeverisë (sepse në slide e mëparshëm ishin edhe të ardhurat nga pushteti vendor), kemi mbledhur 19.4 mld më shumë, rritja në 8-mujor është 9.1 % pra, me rreth 190 mln USD më shumë se 8-mujori 2015. Mesatarja e rritjes së të ardhurave në 8-mujor në vitet 2014-2016 është 8.5%; mesatarja e rritjes së 8-mujorit në tre vite 2011-2013 ishte vetëm 0.9%.
Në interesin tuaj, por dhe të publikut të gjerë kam sjellë një slide me realizimin e mallrave të akcizës që rëndom janë objekt debati dhe patjetër që duhet të jenë, me të vetmin produkt që kemi rënie në 2016 krahasuar me 2015, është vetëm birra. 
Është pak e pazakontë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është duke bërë një analizë të detajuiar, importues më importues dhe prodhues më prodhues për të parë se cila është arsyeja, por po t’i shohim të gjithë produktet me rradhë, cigaret kanë një rritje gati 19%, pijet alkoolike 35.8%, vera 14%, pijet energjike 13%, kafeja është pothuajse në të njëtin nivel, karburantet rritje 3.2%. Pra, përvec birrës, janë të gjitha me rritje. 

Kam sjellë disa elementë nga menaxhimi i borxhit publik, unë e kam theksuar se maturimi ka kaluar në 733 ditë pra një maturim goxha i shëndetshëm dhe afatgjatë mund të them, ndërkohë që po të shikoni dhe koston për interesat, ka rënë konsiderueshëm për shkak të manaxhimit, por dhe të faktorëve ndërkombëtarë. 
Ndërkohë kemi yieldin mesatar që ka rënie të konsiderueshme, por ajo që dua të shikoni është ekuilibri midis borxhit afatshkurtër dhe borxhit afatgjatë, pra sot ngarkesa në borxh ka kaluar në favor të borxhit afatgjatë që është një ndryshim cilësor tejet I rëndësishëm për menaxhimin e financave publike. 
Treguesi i ndjesisë ekonomike, unë kam shumë dëshirë ta sjell gjatë gjithë kohës, edhe kur është në rënie, edhe kur është në rritje, sepse natyrshëm diku-diku edhe i keqinterpretuar, kthehet pjesë e një debati politik. Ndjesia ekonomike ka një përmirësim të theksuar në tremujorin e dytë, unë besoj që edhe tremujori i tretë do të ketë lëvizje pozitive, gjithsesi presim statistikat. Është një indikator shumë I rëndësishëm për ne, sepse tregon ndjesinë ekonomike që aktorët ekonomikë transmetojnë në treg. 
Shkalla e papunësisë patjetër që është një statistikë jashtëzakonisht shumë e politizuar. Unë kam sjellë shifrat që nxjerr Instituti i Statistikës dhe nuk kam sjellë fare të gjitha ato raporte të përmirësuara që nxjerr BB apo institucionet e tjera. 
Papunësia është në rënie, ka kaluar në nivelin 15.9%, ndërkohë që ne e kemi ribërë definicionin e papunësisë, po të kishim të njëjtin definicion si në vitin 2012, sigurisht që do të ishte shumë më e ulët, por definicioni dhe metodologjia e përdorur është shumë më transparente, është në bazë të standardit ndërkombëtar dhe sipas INSTAT, ka një rënie megjithëse të lehtë, edhe në papunësinë e të rinjve. Kjo shifër duhet t’u mbetet në sy qytetarëve, sepse ka njerëz, ka familjarë, ka qytetarë të cilët tashmë kanë një punë, pra ka shumë më shumë qytetarë që kanë një punë në krahasim me 2013, kuptohet në raport të rritjes së forcave të punës dhe të pjesëmarrjes në punë dhe kjo është një shifër shumë e rëndësishme; ky është reflektim i drejtpërdrejtë i funksionimit të reformave dhe i rritjes ekonomike. Mund ta bëjmë debatin si të doni, politik, teknik, statistikor, por shifra është kokëforte, papunësia ka rënë.
Kredia padyshim është debat, nganjëherë kthehet në debat qesharak, më besoni. Është statistikë shumë e rëndësishme, megjithatë përveç kredisë për individët, pjesa tjetër është ose e njëjtë ose me rënie fare të lehtë dhe ky është një nga problemet që kemi sot. Imagjinoni që ne po rritemi 3.4%, ndërkohë që kredia është akoma në këto nivele, kredia konsumatore është rritur me 2 shifra dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e mirë, por për bizneset e vogla dhe të mesme si dhe koorporatat, akoma është në nivele gati-gati të sheshta, pra pa ndryshim.  Ndërkohë që likuiditetet në banka janë përtej asaj që edhe vetë bankat dëshirojnë. Në një slide tjetër ne i kemi zhveshur efektet e kursit të këmbimit, ato efekte që kanë ndodhur midis euros dhe lekut dhe sigurisht që ka një rritje të lehtë, por është një rritje e lehtë që akoma s’do duhet ta quajmë. Ajo që Qeveria po bën, reforma sidomos në legjislacionin qoftë për falimentin, qoftë ndërhyrjet në Kodin Civil që kanë të bëjnë me trajtimin e kolateralit, të jeni të bindur që kanë për ta ndryshuar këtë trend, edhe për korporatat. Edhe depozitat kanë një rritje të lehtë. 
Ndërkohë që numri I bizneseve të reja është shumë i rëndësishëm për ne dhe është në rritje. E kemi parasysh ndonjëherë atë debatin politik dhe të pazakontë, u c’regjistruan aq apo u regjistruan kaq? Tregu është dinamik, ata që hyjnë në proces falimentimi janë të tjerë dhe janë shumë pak, rritja neto është shumë e rëndësishme, e furnizuar edhe nga Indeksi I ndërmarrjeve publikuar disa muaj më pare dhe jo pa qëllim unë I kam sjellë në formë kaskade të gjitha lajmet, qoftë ato që janë të mira, qoftë ato që janë jo të mira, fatmirësisht për shkak të punës dhe reformave lajmet për ekonominë janë gjithmonë dhe më të mira dhe të konsoliduara. Kjo është një shifër që do të duhet realisht të gëzohemi që është përtej çdo lloj debati politik, është iniciativë private në rritje. 
Debatin për inflacionin, që bëhet edhe debat politik patjetër, por mbi të gjitha debate për inflacionin ndikon çfarë ndodh në treg. E mbani mend që para gati 7-8 muajsh diskutimi ishte deflacioni, megjithëse nuk kishim arritur fatmirësisht në deflacion, por ishim shumë afër zeros dhe unë me ju e kam ndarë që është një goditje e ofertës dhe shumë shpejt do të kemi rimëkëmbje. Ja ku jemi sot. Niveli I inflacionit është 2%. Kjo tregon se ekonomia po pulson dhe i ka gëlltitur të gjitha ato goditje të ofertës që në përgjithësi erdhën për shkak të uljes drastike të çmimeve të materialeve dhe lëndëve djegëse, nafta apo gazi dhe mineralet, por edhe një ulje në bllokun e ushqimeve.
Konsumi final i popullatës dhe tremujori i dytë ka sinjale shumë pozitive, ka një trend në tre tremujorë rradhazi, i treti 2015, i katërti 2015 dhe i pari 2016. Të gjithë indikacionet janë shumë pozitive.
Tregtia me jashtë. Nëse shohim totalin e eksporteve, paraqitet me rënie, por po ta zhveshësh nga mineralet, energjia dhe lënda djegëse, ku çmimet kanë rënë në mënyrë drastike, shikoni eksportin në rritje. Pra janeë dy kategori që kanë rënie, jo për shkak të ekonomisë dhe zhvillimeve ekonomike të tregut shqiptar, por atij global. Pra, nëse e zhveshim eksportin nga efekti I këtyre dy kategorive, ka rritje serioze me 7.5%. Ndërkohë, për t’i lidhur shifrat e eksportit me grupet, mineralet dhe lëndët djegëse kanë rënie me 42% të vlerës në eksport; e njëjta gjë dhe me materialet e ndërtimit e metalet, rënie 24% në vlerë. Makineri dhe pajisje, në volum dhe në vlerë, ndërsa dy grupet e tjera që janë shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare kanë rritje të ndjeshme. Unë kam sjellë këto 5 kategori që përbëjnë gati 80% të totalit të eksporteve. 
Importi sipas 7 mujorëve në vite është një trend goxha i kënaqshëm, është i lidhur dhe me konsumin patjetër, por më duhet të them që ka një rritje të konsiderueshme të importit të makinerive, dhe pajisjeve, prej 12.5 % në krahasim me 7 mujorin e vitit 2015. Cfarëdo që të themi, kjo është një statistikë kokëfortë pozitive për zhvilimet ekonomike në vend. 
Së fundi, kemi pasur dhe ligjin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme që u jepnim mundësi qytetarëve të bënin vlerësimin në favor të uljes së tatimit, që ato do duhet të paguajnë në rast se do duhet ta shisnin.
Faleminderit!