Postuar më: 20 Qershor 2016

Për një kulturë të re të menaxhimit të financave publike dhe reduktimit të risqeve ekonomike e sociale.

Për mua është kënaqësi e veçantë që adresoj dhe përshëndes këtë konferencë shkencore, e cila jam i bindur që në fund të saj do të ketë konkluzione të vlefshme jo vetëm për institucionet audituese siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe për njësitë audituese, qoftë ato të jashtme publike, qoftë edhe për auditët e brendshëm.

Unë e ndoqa me vëmendje fjalën e Kryetarit dhe më duhet të them që në fjalën e tij e preku pothuajse të gjithë hartën e riskut të menaxhimit të fondeve publike dhe unë shumë shkurt dua që t’i adresoj, duke bërë dhe një paralelizëm midis punës që bën Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe atë që bën qeverisja dhe Qeveria nëpërmjet reformave, jo thjesht nëpërmjet akteve ligjore apo nënligjore, por edhe nëpërmjet kulturës së re të adresimit të riskut dhe të risqeve.

Kryetari përmendi me të drejtë atë riskun e madh politiko-ekonomik, që ka në menaxhimin e fondeve publike dhe dua t’ju sjellë në vëmendjen tuaj atë risk të vazhdueshëm në 20 vite, që ka pasur menaxhimi i buxhetit të shtetit, i cili në finale është instrumenti bazë që ka qeveria për të bërë diferencë, por edhe për të shpenzuar. Në vite është diskutuar për atë që ne rëndom i referohemi si rregulli fiskal, që ka të bëjë me vendosjen ligjore të tavanit të borxhit dhe e mbani mend mire që para disa viteve, (sigurisht që çdo referencë timen zhvisheni nga ngjyrat politike, sepse nuk është ky qëllimi, më tepër është adresimi i fenomenit) ka pasur një nivel të lartë, pra tavan borxhi prej 60%, i cili ishte referues dhe jo taksativ, dhe nëse do ta lidhim me riskun e borxhit publik, borxhi publik në të paktën 10 vite njohu një rritje prej 12%. 12 % duke patur edhe një event ligjor dhe politik të thyerjes së tavanit. Pse? Për dy arsye  kyesore. E para kultura e borxhit, e riskut dhe e dyta sigurisht, mungesa e rregullit taksativ.

Çfarë ka ndryshuar në të mirë të menaxhimit të fondeve publike? Sot në Parlament kemi kaluar ndryshimet në Ligjin Organik të Buxhetit ku ka një nen taksativ, i cili i detyron të gjitha qeveritë që vetëm të ulin borxhin. Pra asnjë Qeveri nuk ka të drejtë, nuk ka mundësi dhe nuk ka asnjë instrument që të rrisë borxhin publik, të vijë me teka politike apo me ego ekonomike përtej mundësive të vendit dhe të shkatërrojë financat publike, pra është një Qeveri e cila e qartë, e ndërgjegjshme i vë kufizime vetes, në mënyrë që të mos ushtrojë egon e vetë ekonomike përtej mundësive, në dëm të tatimpaguesve.

Një nga elementët që është shumë interesant por dhe shumë i drejtpërdrejtë, është kufizimi që i bën ligji Qeverive për të shpenzuar deficitin në vit elektoral. Ka një referencë të drejtpërdrejtë, taksative në fakt, që në një vit elektoral parlamentar, një qeveri nuk mund të shpenzojë në gjysmë të vitit më shumë se 55% të deficitit buxhetor, pra për ta korrektuar, disiplinuar ligjërisht dhe në mënyrë numerike atë fenomen që është vënë re në 20 vite, që Qeveritë në vite elektorale kanë tendencë për të “shpërthyer” deficitin dhe borxhin. Mjafton që unë t’ju kujtoj që në 2013, në 23 tetor, nëse nuk do të kishim bërë atë që bëmë, realisht deficiti buxhetor vjetor do ishte i ezuruar komplet.

Me të drejtë i referohemi riskut të borxhit publik si një nga të këqijat më të mëdha të risqeve të ekonomisë. Trajektorja e borxhit në ulje por dhe kontrolli i deficitit dhe politikat afatmesme dhe afatgjata, kanë bërë të mundur që të kemi një risk në ulje nga 83% në afërsisht 70% sot, pra një ulje risku gati 13%. Këto janë risqe që disbalancojnë drejtpërdrejtë financat publike, ekonominë dhe sjellin një risk më të madh që është risku social dhe me të drejtë Kryetari iu referua papunësisë si një nga risqet më të mëdha sociale, që sigurisht mund të jenë jashtë vëmendjes së kësaj Konference shkencore, por janë rrjedhojë, le të themi e një menaxhimi të keq të risqeve në tërësi dhe fatmirësisht lajmet janë të mira, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme. Për shkak të reformave por dhe të uljes së risqeve, sot papunësia është në ulje nga viti 2015 në 2016, tremujori i parë ka nxjerrë statistika pozitive me një ulje prej gati 0.4% të papunësisë dhe fatmirësisht, ulje të papunësisë së të rinjve.

Po brenda hartës së risqeve, një nga risqet më të mëdha që ka sot buxheti i shtetit, është risku i pronave. Në 25 vite, politika e pronave është menaxhuar në mënyrë emocionale, politike dhe jokoherente dhe sot më duhet të them që nëse ne nuk bëjmë gjënë e duhur (dhe do e them se cila është gjëja e duhur), ky do të jetë risku më i madh që mund t’i kalojë 99% të qytetarëve shqiptarë, pra mënyra se si është menaxhuar çështja e pronave sot mund të sjellë një risk nga Strasburgu, i cili mund të kalojë, nëse prap ne nuk bëjmë gjënë e duhur, në mbi 1 mld në dy-tre vitet e fundit. Që do të thotë se çdo shqiptar do të duhet të punojë për të shlyer gjithë pagesat për pronat apo dëmshpërblimet për pronat, jo më në një apo në dy apo tre vite, por besoj në 30 vitet që vijnë. Dhe ligji i pronave, i bërë nga Qeveria dhe i kaluar në Parlament megjithëse është në Gjykatën Kushtetuese, nuk është perfekt, por bën zgjidhjen më të mirë të mundshme duke adresuar atë risk që është një nga risqet kryesore për ekonominë dhe buxhetin.

Në të njëjëtën kohë, dua të ndalem tek institucionet e auditit. E vërteta është që kultura e auditit akoma është larg të qenurit në nivelet e duhura, dhe këtu i referohem edhe auditit të brendshëm. Ne jemi në përfundim të ligjit të auditit të brendshëm. Sigurisht që ligji është bërë drejtëpërsëdrejti me një konsulencë jashtëzakonisht shumë intensive nga Komisioni dhe besoj që do t’i shërbejë kontrollit më të mirë të financave publike dhe uljes së risqeve.

Ndërkohë dua t’i referohem edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe precedentëve që Kontrolli i Lartë i Shtetit krijon. Puna e Kontollit të Lartë të Shtetit është një domosdoshmëri dhe me rekomandimet apo dhe me referencat që bën kur auditon, kontrollon, qoftë procedurat, qoftë fondet publike dhe këtu më duhet të them, se kemi nevojë për një bashkëpunim më të thellë, më intensiv dhe më të mirëpërcaktuar midis Kontollit të Lartë të Shtetit dhe njësive shpenzuesve, pra Qeverisë në rastin konkret, në mënyrë që të gjitha ato rekomandime, precedentë të kthehen më pas në standarde të mirëqeverisjes dhe të mirëadministrimit të fondeve publike. Këtu do të doja që t’i sygjeroja Kryetarit dhe Kontollit të Lartë të Shtetit krijimin e precedentit. Çfarë dua të them me këtë? Nëse në vite Kontolli i Lartë të Shtetit auditon procedura apo projekte apo manaxhim total të fondeve publike është shumë e rëndësishme që të dilet me një komentar precedentësh, në mënyrë që ato rekomandime të mos  mbeten në dorë të individëve për t’i zbatuar apo për t’ju referuar, por të kthehen si precedentë të cilat kanë një interpretim të vetëm për menaxhimin e fondeve publike .

Dua të ndaj gjithashtu me ju që të dy institucionet, Ministria e Financave dhe Kontolli i Lartë i Shtetit,  kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht shumë të mirë dhe po kalojmë në një etapë të re bashkëpunimi, duke negociuar një marrëveshje bashkëpunimi intensiv, i cili do të fokusohet kryesisht tek evidentimi i hartës së risqeve dhe pastaj pikërisht piketimi i fenomeneve të risqeve deri në detaje. Sigurisht pastaj dhe në projekte të ndryshme.

Dua të ndaj gjithashtu edhe trajnimin e auditëve të brendshëm  apo i auditëve të Kontollit të Lartë të Shtetit është jetik. Shpesh tentojmë, edhe për shkak të kulturës së mangët që akoma e kemi, dhe më duhet ta them, të gjithë, nuk i referohem aspak vetëm Qeverisë, por edhe institucioneve të tjera, trajnimi bën diferencë . Kryetari më tha numrin e trajnimeve, unë nuk do të bëj garë, por dhe Qeveria ka bërë goxha trajnime, por janë gjithmonë të pamjaftueshme, përderisa akoma p.s.h në njësitë shpenzuese vetem 19% e tyre kanë një hartë shumë të saktë referimesh të riskut dhe të auditimeve.

Së fundmi, dëshiroj të theksoj se personalisht si Ministër Financash, por edhe institucioni që drejtoj, do të dua ta vazhdojë bashkëpunimin me institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ta thellojmë atë, në mënyrë që në atë rol që ka Kontrolli i Lartë të Shtetit dhe në atë rol që ka Ministria e Financave, të inspektimit të njësive publike, ta çojë transparencën dhe kulturën e auditimit në një shkallë më të lartë.

Përfundimisht unë i uroj punime të mbara dhe të suksesshme Konferencës dhe sigurisht që konkluzionet dhe kumtesat jemi të interesuar që t’i kemi edhe zyrtarisht, në mënyrë që t’i ndajmë me punonjësit tanë, qoftë me auditin e brendshëm, qoftë me inspektimin.

 

Faleminderit!