Postuar më: 15 Dhjetor 2016

Paketa e solidaritetit, mirënjohje dhe shpërblim historik për shtresat në nevojë.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend

“Rruga e Shqipërisë është Bashkimi Europian, për një Shqipëri me drejtësi më të mirë, ekonomi më të mirë, zhvillim social më të mirë! Vettingu është instrumenti kushtetues në dorën e qytetarëve për të jetësuar procesin historik të vendit në rrugën e Integrimit.

Rritja dhe zhvillimi ekonomik, reformat dhe mirëmënaxhimi në financat publike, shpërblejnë sakrificën e qytetarëve. Paketa e solidaritetit, është vëmendje e posacme e qeverisë për shtresat në nevojë. Fondi më I madh për shpërblime në 25 vite!”

E falenderoj deputeten që i rikujtoi sallës se jemi duke diskutuar për një ligj, i cili ratifikon një marrëveshje midis Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Qeverisë Shqiptare, e cila në thelb mund të shpjegohet me dy fjalë: një borxh afatshkurtër dhe me kosto shumë të lartë për qytetarët dhe buxhetin e shtetit, po zëvendësohet me një borxh me kosto shumë më të ulët dhe maturim afatgjatë. Dhe është një fakt shumë i thjeshtë që duhet t’i rikujtoj të gjithë qytetarëve dhe jo kësaj salle, se çfarë ka ndodhur me sistemin energjitik në vite dhe çfarë do të thotë ky zëvendësim.

Unë dua t’u kujtoj qytetarëve që kjo është një përpjekje e qeverisë për të vazhduar për të konsoliduar më tej sistemin energjetik shqiptar. Gjithmonë në favor të qytetarit. Pyetja do të ishte fare e thjeshtë dhe do t’ju lutesha me modesti qytetarëve të mos harrojnë asnjëherë të zezën që kemi lënë mbrapa, nëse harrojmë të zezën që kemi lënë mbrapa, kemi rritur riskun që ta rishohim prapë.

Dhe është e udhës dhe vendi i duhur, madje edhe moment i duhur, për të kujtuar që janë të njëjtat fytyra që kanë falimentuar vendin në 2013, që kanë falimentuar vendin në ’97 që vijnë sot e flasin për banda. Që vijnë sot dhe bëjnë të njëjtën këngë, anti-integrimi.

Dua t’u kujtoj qytetarëve që cmimi mesatar I energjise është ulur, ndërkohe që po ju kujtoj se në buxhetin e shtetit kishte një ngarkesë borxhi 150 mln euro çdo vit që rëndonte drejtpërdrejtë mbi qytetarët, edhe nëpërmjet atyre faturave të papaguara, asgjë nuk është e rastësishme, por janë të lidhura.

Ai keqmenaxhim në energji, ai keqmenaxhim në financa, ai keqmenaxhim në ligjvënie dhe ligjzbatim për 8 vite rresht, sigurisht që do të sillte për herë të dytë falimentimin e shtetit. Mos harroni se sistemi energjetik ka pasur 1.1 mld dollarë borxh.

Cdonjëri nga ne ka të drejtën legjitime të vijë dhe të thotë në këtë foltore: “Kemi nevojë të bëjmë më shumë”. Të parët që e themi jemi ne, që kemi nevojë të bëjmë më shumë, komuniteti ka nevojë të shohë më shumë nga ne. Por dua t’u kujtoj sërish qytetarëve, nëse e harrojmë të zezën çfarë fytyre ka dhe nga se ka ardhur, ke rrezik të na përsëritet sërish dhe një falimentim të tretë, ky vend nuk e mban dot në kurriz.

E vetmja mënyrë se si shpëtohet, është puna e përditshme drejt BE dhe është legjitime të debatosh për ligj-zbatimin në vend. Patjetër. Dhe është legjitime të jesh i kënaqur krahasimisht me atë që kemi lënë pas dhe i pakënaqur me atë që kemi si pritshmëri dhe kanë si pritshmëri qytetarët. Dhe këtu është rasti për të ngulur këmbë për një fenomen. Pse fshiheni pas gishtit të nderuar deputetë qoftë të mazhorancës, qoftë të opozitës? Çfarë ka ndodhur së fundmi, që këtu flitet me këtë gjuhë? Këtu ka ndodhur një ngjarje ku Këshilli Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave me një kusht: Vettingun! Dhe me shumë kritere, por me një kusht parësor që është Vettingu dhe kritere për të përmirësuar jetën e vendit, në çfarëdo kategorie, në çfarëdo fushe, janë kushte dhe kritere të patjetërsueshme gjatë gjithë periudhës, si të periudhës së përgatitjes, si të periudhës së negociatave, si të periudhës pasi ke hyrë, se edhe vetë vendet e BE janë në proces përmirësimi dhe Direktiva, zgjatja e saj, shtimi i saj, standardet, nuk mbarojnë kurrë.

Po kthehem tek Vettingu dhe po e lidh me ngjarjen që ka ndodhur me lirimin e të dënuarit që u përmend këtu. Çfarë ka ndodhur? Ka një trup gjykuese që e ka liruar. Ne jemi mësuar të mos i gjykojmë ata që na gjykojnë, atëherë nëse vijmë në këtë pikë ku jemi të gjithë të pakënaqur, qoftë ju që shtireni, qoftë ne që kemi shtyrë reformën kushtetuese në Drejtësi, atëherë pse nuk bini dakord me Vettingun? Pse ju nuk doni që të gjykoni në mënyrë kushtetuese ata që gjykojnë gabim?

Nëqoftëse ne këtu, do të duam të gjykojmë nëpërmjet instrumentave kushtetues ata që s’i gjykojmë dot rëndom, që janë gjykatës të korruptuar apo të pakorruptuar, të aftë apo të paaftë, atëherë le t’i hapim rrugën Vettingut. T’i hapim së bashku rrugën Vettingut. Kemi rënë dakord të gjithë së bashku që kemi një sistem drejtësie, i cili ka nevojë të përmirësohet? Kemi rënë dakord të gjithë së bashku që ka gjyqtarë, ka prokurorë të korruptuar? Kemi rënë dakord të gjithë, dikush me vërtetësi, dikush me shtirje, që ai sistem duhet operuar në mënyrë të thellë nga kanceri që mund të ketë brenda. Cili është instrumenti? Cila është bisturia? Vettingu. Pse doni ta hiqni nga dora e qytetarit instrumentin kushtetues? Cila është arsyeja? Për çfarë e çuat në Kushtetuese? Pse doni ju të ndaloni një pastrim të sistemit të drejtësisë? Cila është arsyeja? Nuk ka dy Shqipëri, nuk ka një Shqipëri tuajën dhe një Shqipëri tonën. Ka një Shqipëri dhe nëse ne vërtet jemi të interesuar ta shohim Shqipërinë pas 5 apo 10 viteve ndryshe, atëherë ka vetëm një rrugë. Ajo është rruga e Bashkimit Europian. Dhe pse e pengoni Vettingun? Cila është arsyeja?

Dhe vini këtu dhe nxirrni instrumenta tipikë, të paqënë. Dilni, tërhiqeni prej kryetarit tuaj faktik, prej kryetarit tuaj juridik, ta tërheqi ankesën nga Gjykata Kushtetuese, të kalojë Vettingu dhe në instrument kushtetues të kalohet me një bisturi të pastër për të pastruar një sistem, që edhe ju bini dakord që është dhe ka nevojë të pastrohet si çdo organ i kësaj shoqërie. Pse ky grup duhet të ngurtësohet në pakushtetueshmërinë e vet duke i dhënë ne një mundësi që të mos kalojë në Vetting? Pse ju kaloni në Vetting, pse ne kalojmë në pastërti figure, pse ata nuk duhet të kalojnë? Cila është arsyeja që ju i mbroni dhe vini këtu dhe sillni argumenta, të cilët na bëjnë qesharak. Ka gjyqtarë që kanë dhënë dënime të padrejta, në dëm të komunitetit? Hapini rrugën Vettingut. Ai është instrumenti, ai është bisturia konstitucionale në dorë të komunitetit dhe është një instrument I pranuar nga një arbitër përtej nesh.

Tani pse ne e bëjmë pis gjithë këtë gjë? Pse ne e komplikojmë me arsyetime teknike-juridike? Ka ndonjë arsye? A ka ndodhur para disa ditësh në gjykatë ajo që ndodhi? A s’duhet të ndodhte? Çfarë janë këta gjyqtarë, para kujt përgjigjen? A ka një instrument që I bën këta të përgjegjshëm? A ka një instrument që edhe i dënon, edhe i nxjerr jashtë rradhëve? Pse e pengoni? Silleni Vettingun, ne e kemi votuar, tërhiqeni ankesën në Gjykatën Kushtetuese, pranojeni Venecian dhe vazhdojmë.

Dhe nuk ka trup politik që të gëzohet në keq-leximin e vendimit të Këshillit Evropian.  Këshilli Evropian ia ka hapur rrugën Shqipërisë dhe ajo nuk është vetëm Shqipëria jonë, e Partisë Socialiste, e Lëvizjes Socialiste për Integrim, është dhe Shqipëria juaj dhe po të ketë probleme ka probleme edhe Shqipëria juaj. Dhe nëse Shqipëria juaj dhe Shqipëria jonë është një, atëherë për çfarë gëzoheni? Nëqoftëse do të ishte siç thoni ju, se na paska mbyllur derën Bashkimi Europian, kujt i gëzoheni, kush ngeli jashtë? Ju? Ne? Apo qytetari? Po të keni dëshirën sic e kanë qytetarët dhe sic e kemi ne, që vërtet të fillojmë negociatat, atëhere ju e dini po kaq mirë sa unë, që një Shqipëri me negociata të hapura me BE bëhet më mirë në sistemin e drejtësisë, bëhet më mirë ekonomikisht, bëhet më mirë nga ana sociale, bëhet më mirë në imazh, bëhet më mirë në zgjedhje.

Askush nuk thotë që të gjitha këto janë perfekte, por do një shtrat ku e gjitha të përmirësohet dhe kjo është rruga e BE dhe ajo rrugë kalon nëpërmjet hapjes së negociatave. Dhe do të ishte turp për këdo nga ne, sidomos për ju, që të gëzoheshit nëse ne do të ishim refuzuar.

Po, ju gëzoheni me keqleximin, po kur të lexohet tamam nga qytetarët, po kur rekomandimi të jetë publik, po kur Vettingu të jetë problemi kryesor, atëherë a do të vini ju dhe t’u kërkoni falje qytetarëve që i penguat?! Nuk do të vini, se nuk e keni zakon.

Tani, nëse këtu ka ndonjë bandë, këu ka vetëm një bandë, banda që ka vrarë në 21 Janar, ajo është bandë, ajo është bandë që mburret me vrasje, banda e 21 Janarit.

Nëqoftëse ka ndonjë bandë këtu brenda është banda që ka vjedhur zgjedhjet në ’96. Nëqoftëse ka një bandë këtu brenda, është banda që ka bërë kontrabandë nafte në ’94. Nëqoftëse ka një bandë këtu brenda, është banda që ka vjedhur naftën Virgin disa vite më pare. Nëqoftëse ka një bandë këtu, është banda që ka falimentuar shtetin 2 herë, ajo është bandë, jo ne që 2 herë rresht në historinë 25- vjeçare, vijmë me sakrificë e rindërtojmë vendin nga e para dhe detyrohemi, patjetër në legjitimitet, t’ju dëgjojmë edhe ju, por të paktën të merreni me gjëra që vërtet nuk ecin.  

Vendi ishte në falimentim në 2013, rritet me 3.4% sot, rritet me 3.4% dhe e bëni debatin sikur çdo gjë është rozë, nuk është rozë po është më mirë se çfarë ishte dhe sigurisht nëse ka ndonjë kredit modest, i takon kësaj force politike, këtij grupi politik, kësaj aleance.

Unë nuk do mbaj këngën që çdo gjë është rozë, pasi do isha realisht i padrejtë me të vërtetën, por që diferenca është e madhe me 2013, këtë e di dhe fëmija, dhe më tej dua t’ju sjell disa shembuj që ju i keni shumë qejf, shumë qejf i keni.

Këtu kam Anketën e punës. Anketa e punës është tregues statistikor që na sinjalizon se çfarë ndodh me punësimin dhe indirekt patjetër, që na sinjalizon çfarë ndodh me ekonominë.

Atëherë nëse INSTAT thotë që është shtuar punësimi dhe është ulur papunësia në 14.7% dhe është ulur papunësia e të rinjve në 27.4%, ose me 2.5 % e krahasuar vit më vit, atëherë do duhet ta pranojmë, do të duhet të vijmë këtu dhe të themi po, ka një ulje të papunësisë, që është trend 3 -vjeçar dhe është rasti më i mirë  ku edhe ju si opozitë ta pranoni dhe të legjitimoni kritika që diku- diku mund të jenë dhe reale po jo të vish e të thuash broçkulla këtu se Saliu ka rritur rrogën çdo vit 100%. Të lutem se këto janë të papranueshme.

Paketa e solidaritetit. Po pse u quajt Paketa e solidaritetit? Sepse ka një Aleancë që mendon modestisht, pa mburrje, prandaj e quan Paketa e solidaritetit dhe ka tre shtylla kryesore:

E para vendi ka kaluar në një ristrukturim të vështirë ekonomik për shkak të falimentimit të 2013 dhe ajo sakrificë do të duhet të njihet dhe të shpërblehet qoftë edhe sikur të ishte simbolike, për t’i treguar një komuniteti të tërë që detyrohet, për shkak të papërgjegjshmërisë së një force politike që sot është në opozitë, të kalojë në sakrificë ekonomike për dy vite dhe kthimi i rritjes ekonomike ka mundësi t’i shpërblejë ata.

Paketa e solidaritetit do të thotë dhe një gjë tjetër: Ne jemi të vëmendshëm ndaj shtresave në nevojë, shtresave në nevojë të cilat për shkak të zhvillimit jo gjithmonë të njëtrajtshëm nuk përfitojnë dot aq shumë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe kjo është gjëja më e natyrshme në botë.

Atëherë çfarë ndodh? Jepet një bonus për pensionistët, për personat me aftësi të kufizuara dhe për familjet me ndihmë ekonomike. Është solidaritet, se ne e dimë që pensionistët nuk kanë ato mundësi financiare dhe 6 mijë lekëshi është rekord historik. Është rekord historik i bërë i mundur për shkak të mirëmenaxhimit të financave publike dhe rritjes ekonomike.   

Po çfarë kemi me këtë ju? Ju duhet patjetër që të gëzoni, sepse edhe ju në familjet tuaja keni pensionistë dhe ata pensionistë kokë më kokë do të marrin në fund të vitit 6 mijë lekë dhe nuk e kemi bërë për kryefamiljar, e kemi bërë për 643 mijë pensionistë.

Janë 220 mijë familje me ndihmë ekonomike që përfitojnë nga 2 mijë lekë. Patjetër që do të ishte shumë më mirë sikur të ishte 40, 60, 80, por këto janë mundësitë e vendit, ky është momenti i zhvillimit ekonomik, këto janë sakrificat që kemi bërë, kaq mund të shpërblenim tani. Por ka dhe një ekuilibër midis asaj që kemi kaluar dhe Paketës së solidaritetit, sepse është Aleancë që solidarizohet edhe me vështirësinë e atyre njerëzve dhe atyre shtresave në nevojë.

Po të tjerat? U ngrit një deputet këtu dhe foli nga një zonë që zakonisht përmbytej dhe thotë: “Pse nuk i keni dëmshpërblyer ata të Shkodrës”? Ju jo vetëm I përmbytët, e bëtë Shkodrën det jo liqen, po i mohuat dëmshpërblimin. Ia mohuat dëmshperblimin. Ne ia kthyem mbrapsht. Tani kemi mundësi që edhe atë grup familjesh që e kanë pësuar nga një fatkeqësi natyrore apo nga disa fatkeqësi natyrore, të dëmshpërblehen. Çfarë bën qeveria? Solidarizohet me ata njerëz të cilët e kanë vuajtur atë moment të natyrës.

Po me fermerët? Ju e dini shumë mirë sepse jam i bindur që në të mirë apo në të keq, keni bredhur Shqipërinë, I keni parë fermerët sa të lidhur janë me gjënë e gjallë. Dhe ngordhja e gjësë së gjallë është fatkeqësi jo thjesht monetare, por edhe fatkeqësi psikologjike. Çfarë bën një qeveri? Solidarizohet. Ka mundësi që t’i marrë 3 mln USD dhe t’ua kthejë gjënë e gjallë në shtëpi. Është simbolike. Por nuk është vetëm simbolike, është edhe ekonomike dhe është e ndjerë dhe kjo është diferenca midis dy botëve tona dhe të vish të flasësh këtu për drogë, për banda në Parlament, nuk bëni asnjë gjë tjetër, përveçse se nxini imazhin tuaj, sepse ka vetëm një Shqipëri, jo një Shqipëri jona dhe një Shqipëri juaja, është një Shqipëri përtej këtyre mureve që në fakt nuk ju përket as juve, as neve, por I përket qytetarëve dhe sa herë që e pengojmë atë Shqipëri ta dini se keni penguar qytetarin shqiptar të bëjë përpara.

Faleminderit!