Postuar më: 17 Qershor 2016

Nënshkruhet Marrëveshja IADSA 2, Ministri Ahmetaj: Financim për projektet që sjellin zhvillim.

Përshëndetje,

Kam kënaqësinë që sot së bashku me Ambasadorin Italian z. Cutillo të nënshkruajmë marrëveshjen për Programin e Konvertimit të Borxhit – IADSA 2, marrëveshje që lidhet me Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë.

Kjo marrëveshje ka disa objektiva të rëndësishëm që synojnë promovimin e kohezionit social në bazë territoriale, zhvillimin rajonal të balancuar, barazinë sociale dhe krijimin e vendeve të punës, me synim mbështetjen e aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e Konvertimit të Borxhit për Zhvillim parashikon mospagimin e detyrimeve që Republika e Shqipërisë i detyrohet Qeverisë Italiane kundrejt borxhit të huazuar prej kësaj të fundit (interes + principal), deri në shumën 20 milionë euro. Këto shuma do të depozitohen në 9 këste, në një Llogari Fondi Kundërparti pranë Bankës së Shqipërisë.

Në fazën e parë të Programit, pra na IADSA 1, janë financuar gjithsej 42 projekte për një vlerë totale prej 15,6 milionë euro. 14 projekte janë përfunduar me sukses dhe janë mbyllur nga ana financiare. 17 projekte janë duke u zbatuar, ndërsa 11 projektet e thirrjes së katërt (maj 2016) janë në fazën e tyre fillestare, që nëse i mbani mend ne i lançuam një muaj më parë. Projektet janë zbatur në mënyrë koherente në pothuajse të gjitha zonat e Shqipërisë dhe kanë prekur sektorët parësor në fushën sociale, si parashikohet edhe në vetë filozofinë e programit.

Projektet që aktualisht kanë mbaruar ose janë në fazën përfundimtare të aktiviteteve të tyre, përveç aktiviteteve të ndryshme, kanë bërë të mundur rikonstruksionin në mënyrë bashkëkohore të 5 shkollave, 3 kopshteve dhe 3 qendrave sociale në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe rikualifikimin nëpërmjet rrugëve të reja, urave të vogla dhe kanalizimeve në bashkinë Fushë-Krujë dhe Komunën Moglicë.

Gjithashtu 4 projekte kanë ndërhyrë në përmirësimin e infrastrukturës bujqësore dhe turistike duke rritur punësimin dhe vetëpunësimin në zonën e Përmetit, Barmashit, Skraparit dhe Vau të Dejës.

Në sektorin e shëndetësisë ka pasur një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të Qendrës Kombëtare të Gjakut, e cila sot është pajisur me mjete dhe aparatura bashkëkokohore, në Repartin Onkologjik të QSUT, ku ne ishim dje, me blerjen e pajisjeve të reja për kemioterapi dhe përmirësimin e ambienteve dhe së fundmi në sistemin e dixhitalizmit të recetave dhe diagnostikimeve mjekësore.

Në sektorin social është ndërhyrë në Bashkinë e Fierit me rikonstruksionin dhe pajisjen e një Qendre ditore për fëmijët me aftësi të kufizuar, e cila u përuruar përpara 3-4 ditësh, në Shkodër dhe Tiranë nëpërmjet përmirësimit të kushteve në 4 struktura të Shërbimit social kombëtar për fëmijët dhe të moshuarit.

Hapësirë kanë gjetur edhe inkubatorët e biznesit, duke financuar rikonstruksionin dhe pajisjet për 2 të tillë: një në Korçë dhe një në Tiranë. Arsimi profesional është financuar nëpërmjet 2 projekteve që parashikojnë blerjen e makinerive të reja, ristrukturimin e ambienteve dhe trajnimin e personelit në 2 shkolla profesionale, përkatësisht në Durrës dhe Shkodër.

Edhe në fazën e dytë, atë që po fillojmë sot, programi do të jetë i orientuar në financimin e projekteve të identifikuara bashkërisht nga palët nëpërmjet thirrjeve periodike për propozime, të cilat synojnë të investojnë në zhvillimin e burimeve njerëzore, punësimit, nxitjen e barazisë gjinore, nxitjen e përfshirjes sociale me një vëmendje të veçantë ndaj të papunësuarve të rinj, gratë në nevojë, minoritetet e njerëzit me paaftësi, si dhe mbështetjen e mbrojtjes sociale për grupet e rrezikuara, në një kontekst të verifikueshëm të pjesëmarrjes sociale dhe përdorimit të qendrueshëm të burimeve mjedisore.

Realizimi i Programit do të vijojë të mundësohet nëpërmjet strukturave të ngritura gjatë zbatimit të fazës së parë të tij: (i) Komiteti Manaxherial (Komiteti) dhe gjej rastin ta falenderojë për eficencën dhe punën shumë intensive; dhe (ii) Njësia e Mbështetjes Teknike, që do të shërbejë edhe si Sekretariat Teknik i Komitetit dhe do të raportojë direkt në Komitetin e Manaxhimit, një njësi që është shembull në mënyrën se si punon, qoftë nga ana e integritetit, transparencës dhe intensitetit.

Sigurisht që gjej rastin, kam kënaqësinë të falenderoj Qeverinë italiane për këtë kontribut në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe sigurisht Ambasadorin Cutillo, si një nga bashkëpunëtorët e drejtëpërdrejtë dhe partnerët e drejtëpërdrejtë në këtë projekt të madh.

Faleminderit!