Postuar më: 11 Nëntor 2016

Ministri Ahmetaj prezanton Projekt-Buxhetin 2017, “Buxheti më optimal në 25 vjet”

Buxheti 2017,  është buxheti më optimal në 25 vitet e fundit sa i takon financave publike, duke iu referuar rritjes ekonomike të qëndrueshme, konsolidimit të financave publike në kuadrin makroekonomik, kontrollin tashmë të strukturuar të risqeve makrofiskale, rritjen e të ardhurave, realizimin e shpenzimve dhe uljen e borxhit publik dhe defiçitit.

Buxheti i vitit 2017 është buxheti i parë i ligjit të ri organik, por dhe një ndër komponentët më të rëndësishëm të reformës së financave publike që prezanton konceptin e rregullave fiskale, ndër të tjera duke bërë të detyrueshëm uljen e borxhit nga viti në vit, me të paktën 1%.

Ky është është buxheti i përshpejtimit të rritjes ekonomike. Rritja në 2017 përshpejtohet në 3.8%, gati 4-fishi i asaj që ishte në vitin 2013.

Projektbuxheti i vitit 2017, është buxheti i reformave, rreth 20 miliardë lekë për akomodimin e reformave thelbësore në ekonomi, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, reforma në pensione, reforma e pronave, reforma e decentralizimit, reforma në shëndetësi dhe reforma e ujit.

Buxheti i vitit 2017 është buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve. Për herë të pare, rreth 100 milion dollarë (me efekt 12-mujor) për rritjen e pagave e pensioneve; është fondi më i madh për pagat e pensionet akorduar brenda një buxheti në 25 vite.

Është buxheti i investimeve publike. Buxheti i vitit 2017 ofron nivel optimal të investimeve publike, rreth 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe këtu i referohem investimeve qendrore, FZHR dhe mbështetjes për sektorin energjitik, duke patur defiçitin më të ulët të arritur ndonjëherë prej rreth 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto; balancën korrente më pozitive në 25 vite rreth 2.9% që kapërcen madje dhe kufirin e rregullit të artë.

Në 2017 ulim borxhin publik me pothuajse 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 71.8% që është i pritshmi i këtij viti, në 69.1% në vitin 2017. Dua të theksoj që viti 2016 fillon trajektoren ulëse të borxhit publik afatgjatë dhe vitin tjetër, e konsolidon trendin ulës të borxhit publik në mënyrë të konsiderueshme. Siç e theksova, viti 2017 do të ketë një defiçit prej 2%, është më i ulëti në 25 vite dhe patjetër që dua të përsëris që në 2017, balanca primare është me sufiçit +0.7 dhe më pozitivja në 25 vite, thënë ndryshe për publikun, shpenzimet për aktivitetet e qeverisë janë më të ulta.

Në 2017 rritim pagat dhe pensionet duke ulur borxhin publik me reformën e konsolidim fiskal, e në të njëjtën kohë me investimet në një nivel optimal. Rritje e pagave dhe pensioneve dhe ulje e borxhit publik, e shoqëruar me nivele rekord, qoftë të balancës primare, qoftë të balancës së përgjithshme!

Çfarë kosto kanë reformat të shtrira në kohë? Reforma në drejtësi ka një kosto prej 1.8 miliardë; reforma e kompesimit të pronave, në reflektim dhe të vendimmarrjes së fundit, ka kosto 3.8 miliardë; reforma e ujit ka kosto 1 miliardë; reforma e decentralizimit, i shtojmë 2 miliardë në vitin 2017; reforma në administratën publike, pra rritja e pagave dhe pensioneve, kanë kosto totale 10 miliardë; reforma në shëndetësi - zgjerohet kujdesi shëndetësor parësor, kontrolli bazë për grupmoshën 35-70 vjeç për rreth 1.3 milion rezidentë në Shqipëri dhe ofrimi falas i mjekut të familjes për këdo të përfshirë deri më tani dhe 600 mijë persona të rinj, të pasiguruar deri tani. Pra, futen në skemën e rimbursimit të listës së aprovuar të ilaçeve të rimbursueshme edhe 600 mijë qytetarë shqiptarë që janë të pasiguruar dhe nuk kanë mundur ta përfitojnë deri tani këtë benefit.

Të ardhurat totale parashikohen me një rritje 7.6% në 2017 krahasuar me 2016, duke kapur nivelin 436 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimet, doganat e sigurimet paarshikohen me një rritje 5.8% më të larta se në 2016, pra ka një parashikueshmëri realiste të të ardhurave në mënyrë që të planifikojmë edhe shpenzimet realiste. Shpenzimet totale shkojnë në 467 miliardë lekë, me një rritje 3.8% krahasuar me vitin 2016.

Po vazhdoj t’i referohem balancës së përgjithshme dhe balancës primare, e parashikuar në afatmesëm. Balanca primare në 2017 do të jetë 0.7 me sufiçit dhe në vazhdimësi, është projektuar në 2018 me sufiçit 1% dhe në 2019 me sufiçit 1.8%. Balanca e përgjithshme, defiçiti përgjithshëm -2% në 2017, -1.8% në 2018 dhe në -1% në 2019. Dua ta theksoj që buxheti në tërësinë e vet reflekton përgjegjshmëri fiskale në një vit elektoral parlamentar. Pra, është viti i parë që shkëputemi nga një traditë 20 vjeçare me tendencën që gjatë viteve elektorale, financat publike pësojnë turbulenca të influencuara nga versioni politik i rradhës dhe e përsëris, vitin tjetër do të vazhdojmë trendin ulës të borxhit publik, duke zbritur në 69.1% dhe më tej me një trajektore ulëse në 2018 deri në nivelin 66.5% për të kapur në 2019-2020 një borxh publik nën nivelin 60%.

Sigurisht që është për t’u përmëndur menaxhimi i borxhit. Kemi një kapitull të detajuar për koston mesatare të borxhit të brendshëm për interesat. Dua të them që maturimi ka ndryshuar cilësisht; borxhi publik ka ndryshuar pozitivisht, është rritur maturimi nga afërsisht 530 ditë në më shumë se 730 -733 ditë, dhe sigurisht interesat, qoftë për arsye globale, qoftë për arsye të financimit të ofertës për financimin e brendshëm, janë në nivele të ulta rekord. Patjetër që në parashikimin e risqeve afatmesëm, interesat mund të përbëjnë një nga risqet, sigurisht të kontrollueshme, që mund të ketë pjesa e kostos së shërbimit të borxhit publik.

Sa i takon mbështetjes sektoriale, kemi një prezantim shumë të detajuar të çdo ministrie, por dua të ndalem vetëm tek disa nga sektorët kyç të ekonomisë.

Bujqësia - Gjatë 2013-2016, në reflektim edhe të prioriteteve të qeverisë, kemi bërë një diferencë serioze nga shumë e shumë vite, duke rritur financimin për skemat mbështetëse nga 847 milion lekë në vitin 2013, në 1.5 miliardë lekë në 2016. Numri i përfituesve nga skemat është rritur me 37% në vit, pra përfituesit në terren bujqësor nga skemat, janë rritur 37% çdo vit.

Sipërfaqja e ujitshme nga 120 mijë hektar është rritur në 156 mijë hektar, duke futur në ujitje për herë të parë 35,400 hektar, ndërsa në 56,800 hektar është përmirësuar ujitja nëpërmjet rehabilitimit.

Rimëkëmbja nga përmbytjet në 6 qarqet e përmbytura në vitin 2015, duke zhdëmtuar rreth 4,100 familje nga dëmtimet nga përmbytjet si dhe është ende në zbatim e sipër granti prej 2.7 milionë eurosh për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e zonave të përmbytura. Janë vaksinuar çdo vit mbi 2 milonë e 470 mijë bagëti të imta.

Në 2017, parashikohet rehabilitimi i proceseve të skemave ujitëse kryesore, që është vazhdim i reformës dhe i logjikës së vitit 2016, në Projektin e Bankës Botërore në investimet e brendshme, në koherencë të plotë me investimet nga vetë bashkitë për të mundësuar objektivin për vetë-ujitje në 225 mijë hektar tokë bujqësore. Do të vazhdojë procesi i identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve. Do të ristrukturohet dhe modelohet flota e peshkimit nëpërmjet projektit IPA II, qeveria dhe Ministria e Bujqësisë është e përgatitur të fillojë asimilimin e fondeve IPA II, për investime serioze në bujqësi.

Përsa i përket Transportit, dua të theksoj që janë ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore 232 km rrugë dhe këtu dua të sqaroj Komisionin që Ministria e Financave, Ministria e Transporteve dhe qeveria, nuk do të sjellin si rëndom ka ndodhur në shumë vite, si të mbaruar, km rrugë të pafilluara, po thjesht të tenderuara me 1/100 e fondeve të kostos totale.

Unë kam nxjerrë një listë të detajuar të projekteve të rrugëve që kanë filluar me 1/100, me 1/30, me 1/50 e fondit, është hapur tenderi. Psh. unaza e Tiranës, me 200 mijë dollarë është hapur tenderi për një kosto totale 23 milion dollarë dhe është konsideruar si rrugë e bërë në proklamimet publike. Kemi hequr dorë nga kjo logjikë që nuk qëndron. Dua të qendroj profesionalisht tek targeti i Ministrit të Financave, pa e politizuar, kemi hequr dorë se është jo e drejtë dhe krijon konfuzion nga ana buxhetore, nga ana fiskale, dhe ka qënë arsyeja kryesore pse ka krijuar detyrime të prapambetura në 2009-2013.

Në 2013-2016, janë rikonstruktuar 164 km rrugë, janë ndërtuar 79,310 metra linear linja të reja të furnizimit me ujë.

Në 2017, ka një rritje të konsiderueshme të financimit. Fokusohet kryesisht tek mbarimi i rrugëve të hapura, i akseve kryesore me logjikë përmirësimin e konektivitetit pra të ndërlidhjes, të fokusuar në vepra të rëndësishme publike, qoftë me financim të huaj, qoftë me financim të brendshëm. Ka vepra në infrastrukturë, është një listë e gjatë në fakt, të pambaruara, megjithëse janë konsideruar si të përfunduara nga qeveria e mëparshme, janë vepra serioze që kanë penguar konjektivitetin.

Sigurisht që logjika e 2017 në buxhet, është që të vazhdojë të financojë ato rrugë për t’i mbyllur të gjithë ato “pengesa”, qoftë në vepra arti, qoftë në sinjalistikë, qoftë edhe në mirëmbajtje. Ka pasur një logjikë të re në buxhetin e shtetit në akordim serioz fondesh për mirëmbajtjen e rrugëve. Kjo është një diferencë thelbësore e buxhetit të Ministrisë së Transportit. Ministria e Transportit ka marrë gati 95% të rritjes nominale të investimeve publike në krahasim me 2016-ën.

Ministria e Shëndetësisë, këtu diferenca është shumë e madhe dhe pozitive. Financimi publik i shëndetësisë mbulon aktualisht 55%, pra më shumë se gjysmën e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetin.

  • Është hequr tatimi mbi vlerën e shtuar për barnat dhe materialet mjeksore.
  • Çmimet e barnave në treg janë ulur ndjeshëm me 30%;
  • Shërbimi i urgjencës mjeksore është rithemeluar duke dekoncentruar vendosjen e flotës së autoambulancave në territor;
  • Janë shtuar 20 autoambulanca dhe 1 helikopter mjekësor;
  • Eshtë ngritur qendra kombëtare e urgjencës mjeksore;
  • Janë hapur 25 qendra shëndetësore, 24/7 në mbështetje të sezonit turistik;
  • Funksionon urgjenca kardiake 24 orëshe dhe në pranverë 2017, do të vihet në funksion urgjenca vaskulare celebrale 24 orëshe;
  • Është zëvendësuar libreza e shëndetit me kartën e shëndetit ndërsa receta është kthyer nga 1 mujore në 2 mujore;
  • Po zbatohet dosja elektronike e shëndetit, receta elektronike, referimi elektronik i pacientëve dhe nënshkrimi elektronik i profesioneve të shëndetësisë dhe janë vendosur 2 njësi moderne të radioterapisë për të përmirësuar kujdesin për të sëmurët me kancer.

Në vitin 2017, financimi publik për shëndetësinë parashikohet të jetë rreth 2.9 % e prodhimit të brendshëm bruto ndër nivelet më të larta të finacimit në 25 vite. Shpenzimet publike për banor, është një shifër shumë e rëndësishme për të kuptuar se çfarë i shkon qytetarit, do të rriten nga 12,295 lekë që ishin në 2013 në 16,000 lekë në 2017. Pra, një rritje rreth 30.1 %.

  • Është përfshirë në kujdesin shëndetësor parësor kontrolli bazë për moshën 35-70 vjeç, duke i dhënë këtë mundësi 1 milion qytetarëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë. Sic e theksova, mjeku i familjes është falas për këdo, përfshirë dhe 600,000 persona të pasiguruar, një hap më tej drejt shëndetësisë falas.
  • Tarifat e vizitave, shumë e rëndësishme për ta fiksuar edhe për qytetarët, dhe ekzaminimet për personat e pasiguruar që ndjekin sistemin e referimit, janë ulur në 300 lek, nga 5000 lekë që ishte më parë.
  • 600 mijë persona të pasiguruar, për herë të parë në 2017, nëpërmjet kësaj reforme do të fillojnë të përfitojnë nga rimbursimi i barnave.

Ministria e Punëve të Brendshme, nuk do të fokusohem gjatë, por dua të theksoj që i është kthyer dinjiteti policisë së shtetit, jo vetëm në funksione, por edhe në trajtim. Rroga e policisë së shtetit që nga 2013 është rritur me gati 35% dhe në këndvështrimin tim, është reflektuar në punën e policisë.

Patjetër që duhet të ndalemi tek formimi profesional dhe përkujdesja sociale.

  • Është investuar për krijimin e kushteve bashkëkohore mësimore në 30 shkolla të arsimit të mesëm profesional dhe 10 qendra të formimit profesional.
  • Në proçes vazhdon reforma e ndihmës ekonomike që ka sjellë trefishimin e nivelit të ndihmës ekonomike nga 1,500 - 3,000 lekë që ishte në vitin 2013,  në 4,500- 8,000 lekë që alokohen aktualisht. 
  • Pastrimi i listës së përfituesve të ndihmës ekonomik nga abuzuesit. Sot 81 mijë përfitues marrin një pagesë mujore 25% më të lartë se në vitin 2013. Pra, reforma ka funksionuar, pastrimi i listës ka sjellë një rritje me 25% të shumës që përfitojnë qytetarët që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.
  • 59 mijë fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, kanë përfituar kompesim monetar për shkollim. 18 mijë fëmijë të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, kanë përfituar kompensim për vaksinimin.
  • Reforma e sistemit të aftësisë së kufizuar ka sjellë rritje me 25% të pagesës mujore për personat me aftësi të kufizuar krahasuar me vitin 2013.
  • Është rritur me 1.2 miliard lekë fondi i pensioneve për zbatimin e reformës historike të pensioneve. Në skemën e re, është hequr pensioni tavan dhe është realizuar rritja e pensioneve për të gjithë përfituesit nga 2% deri në 4%. 
  • U vendos pensioni social për herë të pare, është një revolucion social që ka ndodhur në këtë mandat nga 2013 në 2016. Çfarë do të thotë pensioni social? Ka pasur qytetarë të Shqipërisë që për shkak të kushteve nuk kanë arritur të kontribuojnë në fondin e tyre të pensioneve. Me logjiken e dikurshme, do të ishin persona të braktisur në moshën e 3-të. Sot, nëpërmjet pensionit social prej 6,700 lekë, këta persona sigurisht e kanë mjet jetese në duart e tyre dhe besoj kjo është një nga le të themi theksimet e filozofisë të kësaj qeverie përsa i përket përkujdesjes sociale dhe vëmendjes ndaj njerëzve në nevojë.
  • U ul mosha e daljes në pension për minatorët nga 60 në 55 vjeç.
  • U rriten pensionet e 6,600 veteranëve të luftës në masën e 15.6%.
  • Ndërkohë që fondet e nxitjes së punësimit janë shumëfishuar në tre vitet e kësaj qeverie, fondet e nxitjes së punësimit që nga viti 2013 janë 5-fishuar nga 90 milion lekë që ishin në 2013 në 490 milion lekë në 2016, 5 fishuar.
  • Formimi profesional - shkolla të ndërtuara, të kompletuara me bazë prodhuese e pajisje të nevojshme. Eshtë filozofia e kalimit nga një sistem arsimor thjesht akademik, në një sistem profesional.
  • Zgjerimi i numrit të familjeve që do të trajtohen në skemën e ndihmës ekonomike nga 79 mijë familje të trajtuara në vitin 2016, në 83 mijë familje përgjatë 2017.
  • Nga trajtimet e formimit profesional, do të përfitojnë rreth 16,200 persona.
  •  Për punëkërkuesit e papunë do të kryhen rreth 16,700 ndërmjetësime për punë.

Përsa i përket zhvillimit urban dhe strehimit, në fushën e planifikimit urban do të vijojmë të mbështesim pushtetin vendor nëpërmjet planifikimit, projektimit të përgjiithshëm të planeve vendore në 10 bashki të reja.

  • Brenda viti 2017, 46 bashki nga 61 bashki në total, do të kenë hartuar dhe miratuar instrumentat e tyre vendore, duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm urban, ekonomik, social, mjedisor dhe duke i hapur sigurisht rrugën investimeve strategjike në këto bashki.
  • Zbatimi i projekteve pilot në bashkitë Tiranë, Korçë, Belsh dhe Himarë për rivitalizimin urban dhe rijetësimin e infrastrukturës.
  • Në fushën e strehimit, për të garantuar kushte të përmirësuara jetese dhe kushtet e një strehimi të përballueshëm për qytetarët, kemi parashikuar rikonstruksionin e 185 banesave të komunitetit rom dhe egjiptian në bashki. Përfitues do të jenë 740 qytetarë të komunitetit rom dhe egjiptian, jo pa qëllim i kam sjellë këto shifra, në reflektim të raport progresit të KE, ishte një nga pikat ku qeveria duhet të bënte më shumë dhe këto investime janë në reflektim të rekomandimeve të raport progresit.
  • Rehabilitimi i godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit fillestar me qëllim strehimin e shtresave në nevojë për 162 familje të pastreha.
  • Subvencionimin e interesave të kredisë me përfitues 4,300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin. Pra, le të themi një avancim i logjikës sociale dhe në zhvillimin urban dhe strehimin.
  • Në fushën e legalizimeve ku diferenca është madhore për vitin 2017, janë parashikuar për ALUIZMI-n 127 milion lek për intesifikimin e proçesit të legalizimit me rreth 30,000 objekte të reja në zonat masive informale deri në muajin maj 2017, duke mundësuar legalizimin e 100,000 objekteve për periudhën qershor 2014- maj 2017.

Legalizimi sigurisht është kthyer edhe një nga flamujt e betejës të qytetarit, fenomeni i legalizimit ka qenë dhe është i përhapur, por është zvarritur marrja e pronësisë dhe sqarimit të proçedurave dhe gjithë hallakatjeve në vite dhe intensiteti i përfundimit të proçedurave apo marrjes së dokumentit të pronësisë, tregon që është shumë herë më shpejt në krahasim me vite më parë.

Tek buxheti vendor do të shtohen fondi prej 2 miliard lek për reformën e decentralizimit. Buxheti vendor i viti 2017 është 3.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 2.1% në 2013.

  • Buxheti vendor në 2017, do të jetë 70% më i lartë se viti 2013.
  • Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore parashikohen të jenë rreth 900 milion lekë më shumë se në vitin 2016, ose 43% më të larta se në vitin 2013.
  • Financimi i funksioneve të transferueshme në nivel vendor do të jenë në vlerën 7 miliard lek pra, fondi për mirëmbajtjen e digave në vlerën 20 milion lek. Është një reflektim i drejtpërdrejt i reformës administrative territoriale pra, rritje fondi në përputhje me kalimin e funksioneve drejt pushtetit vendor.
  • Do të ketë fond për investime për kanalet ujitëse kulluese 380 milion lek dhe mirëmbajtjen e eskavatorëve që u blenë në 2016, në funksion dhe në pronësi të pushtetit vendor, në vlerën 400 milion lek.
  • Parandalimi i dëmeve dhe zjarreve në pyje, që ka të bëjë me funksionin e kaluar,  48 mln lekë
  • Ngritja e stacioneve të reja të zjarrfikësve 200 milion lekë
  • Fondi për rritjen e pagave për financimin e funksioneve të reja, 450 milione lekë.
  • Në 2017, shuma e transfertës së pakushtëzuar rritet në 15,5 miliard lekë, transferta e pakushtëzuar është 2.5 miliard lekë më e madhe ose 20% më e lartë se ajo e vitit 2016. Krahasuar me vitin 2013 është 4.3 miliard lekë më e madhe, 43 milion dollarë ose 40%. 

Dua gjithashtu të përmend një kapitull shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me Buxhetin për qytetarin. Rëndom kemi diskutuar në terma makro, edhe të detajuar, por unë dua të sjell për Komisionin reflektimin tonë për Buxhetin ndaj qytetarit.

  • Së pari është taksimi i ndershëm në periudhën 2014-2017. Janë ulur taksat për 97% të të punësuarve dhe këtu i referohem taksimit progresiv në ndryshim nga tatimi i sheshtë.
  • Taksimi progresiv ka ulur barrën për qytetarin. Listëpagesa në total është 623 mijë persona të cilët kanë paga nga 0-130 mijë lekë në muaj, që do të thotë, se vetëm me këtë politikë, kemi lehtësuar barrën fiskale për 623 mijë qytetarë që shkojnë në punë cdo mëngjes.
  • Me taksën progresive, të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale janë 860 milion lekë në muaj. Me taksën e sheshtë, të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi të ardhurën personale do të ishin 1.9 miliard lekë, pra afërsisht 1.1 miliard lekë në muaj që për shkak të taksës progresive, nuk shkojnë në buxhetin e shtetit, por i kthehen mbrapsht qytetarëve në xhepat e tyre, për konsumin e famlijeve të tyre. Në vit, kjo shumë shkon afërsisht 110 milion dollar. Kemi kthyer në xhepat e qytetarëve 1 miliard lekë në muaj, ose 12 miliard lekë në vit, ose rreth 50 miliard lekë në katër vite, 500 milion dollare mbrapsht. Pra qytetarët shqiptarë që na besuan, kanë përfituar 500 milion dollare më shumë.
  • Vetëm në një vit e rritëm fondin e pagave 2.2 herë më shumë se qeveria e mëparshme. Fondi i rritjes së pagave 2010-2013 ka qenë 3.2 miliard lekë; fondi i rritjes së pagave vetëm në një vit, në 2017 (me efekt 12-mujor) do të jetë 7.2 miliard lekë, janë shifra nominale të drejtpërdrejta.
  • Pagat për mësuesit. Janë 326,638 punonjës të sistemit arsimor që përfitojnë mesatarisht 10% rritje page në vitin 2017. Paga mesatare bruto për një mësues të shkollës 9-vjeçare në 2013 ka qenë 61,100 lekë, në 2017 bëhet 64,650 mijë lekë. Për mësuesit e shkollës së mesme, nga 64,100 lekë në 2013, shkon në 68,000 lekë në 2017.                         
  • E njëjta gjë edhe për sistemin shëndetësor të lënë pas dore në shumë e shumë kohë. Për vitin 2017 reforma e ndërmarë për rritjen e pagave në administratën publike shoqërohet edhe me rritjen e pagave të sistemit shëndetësor publik. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 10%, përfitojnë 18,415 personel mjekësor dhe infermierë nga të cilat 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar është 1.5 miliard lekë.
  • Me sistemin e vjetër nuk ka ekzistuar koncepti i pensionit social. Në 2013, mbi 1,775 përfitues do të ishin lënë në mes të rrugës. Sot, ekziston koncepti i penisonit social, përfitim i drejtpërdrejtë për qytetarin. Në 2016, është dyfishuar numri i përfituesve; në 2017 numri i përfituesve të pensionit social shkon në 5,070 qytetarë.
  • Kategoria e ish-ushtarakëve. Zgjidhet përfundimisht problemi i 5,130 ish-ushtarakëve të cilët kishin detyrim 1 miliardë lekë ndaj shtetit për shkak të diferencës në llogaritjen e pensioneve.
  • Për herë të pare, në mandatin tonë, sëmundja nuk tatohet. Që prej fillimit të vitit 2014, TVSH e ilaceve dhe shërbimeve mjekësore është zero. Efekti i kësaj mase në buxhet është rreth 2.1 miliard lekë në vit që ia kemi kursyer qytetarëve që kanë përdorur shërbimin mjekësor apo kanë marrë ilace. Imagjinoni, janë 21 milionë dollarë që vetëm nëpërmjet një lëvizje fiskale, heqjes së tvsh për ilacet dhe shërbimet mjeksore, u janë kthyer mbrapsht në xhep qytetarëve.
  • Në total janë rreth 63 miliardë lekë për periudhën 2013-2017 që programi i qeverisë u ka kthyer qyetarëve vetëm nëpërmjet këtyre masave dhe sigurisht që nuk do lë pa përmendur, indeksin e çmimeve të shëndetësisë në rënie që nga viti 2013.

Politikisht do të thoja se është një premtim i mbajtur dhe nuk jemi ende në përfundim të rrugës së shëndetësisë falas, por jemi në një trend jashtëzakonisht të konsoliduar për qytetarët që megjithë probemet që ka sistemi, kanë mundësi t’i prekin me duart e tyre këto përmirësimie.

Nuk mund të lë pa përmendur përfitimet për biznesin. Hoqëm taksën e biznesit të vogël, 70 mijë biznese të vogla u lehtësuan me një taksë 0; 1.3 miliard lekë në vit më shumë për biznesin e vogël. Për biznesin me xhiro nga 5-8 milionë lekë, ulja e taksimit në 5%, preku 15,650 biznese duke i lehtësuar nga barra fiskale. Edhe në raport-progres vlerësohej përmirësimi i klimës së biznesit.

  • Pjesë e paketës fiskale është dhe ligji i procedurave tatimore, që sjell përmirësime të konsiderueshme proceduriale në favor të sipërmarrjes dhe sigurisht në favor të përmirësimit të klimës së bizneseve.
  • Mos harroni që kthyem gjobat elektorale të vitit 2013. Efekti ishte 3 miliard lekë.
  • Vendosëm garancitë si mundësi e biznesit për apelim, rreth 2 miliard lekë garanci të përdorura nga biznesi për apelime vendimesh për periudhën 2014-2016. Janë 2 miliard lekë të shpëtuara nga xhirot e biznesit, që në vend të ishin garanci në cash, janë garanci nëpërmjet letrave bankare apo të sigurimeve, të cilat përbëjnë garanci për sipërmarrjen.
  • Hoqëm penalitetin pas korrigjimit të deklaratës fillestare; rimbursim i TVSH; sistemi i ri tatimor; netim të detyrimeve me kreditet në mënyrë automatike; shlyem rreth 17.9 miliard lekë detyrime të prapambetura TVSH për 630 biznese.
  • Përjashtim nga TVSH për makineri dhe pajisje me një efekt 9.3 miliard lekë për periudhën 2014-2016. Përjashtimet në 2016, janë 4.8 herë më shumë se viti 2013 për këtë kategori dhe është reflektuar me rritjen e importit të makinerive dhe pajisjeve dhe në finale, është përkthyer në rritje ekonomike, në përshpejtim të rritjes ekonomike nga 1 në 2013 në 3.4% në 2016, siç dhe përmendet në raport progresin e Komisionit Europian.
  • Renta minerare ulet nga 6 % në 3% për mineralet, pra për grupin metalor të përpunuar në vend, sektori i industrisë përpunuese nëpërmjet zerimit të taksës doganore të një grup-kodesh, lehtësim i drejtpërdrejtë.
  • Kemi Paketën e Bujqësisë nëpërmjet instrumentit të garancisë, që është i drejtpërdrejtë dhe me atë kontribut që bën buxheti i shtetit, këtë vit prej 1.4 miliardë lekësh dhe afërsisht 0.3 miliard lekësh vitin tjetër, e çon kontributin qeveritar në gati 12 milionë Euro, që respektivisht së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të kishte mundësi që t’i afronte kreditim sipërmarrjes.

Do të ndaloj një sekondë këtu për të treguar rritjen e mbështetjes nga fondet buxhetore, nga 847 milion lekë në 1.8 miliarde lekë, dhe skemën kredituese, pra një kombinim shumë i shëndetshëm nëpërmjet mbështetjes, subvencionit të drejtpërdrejtë të prodhimit bujqësor dhe ofrimit të mundësive të kreditimit, që është pjesë e premtimit që kjo Qeveri ka bërë.

Do të përmend shkurtimisht edhe Paketën fiskale. Janë 4 ligje fiskale, të cilët synojnë thjeshtim procedurash, disiplinim procedurash dhe lehtësim të atyre industrive, që unë iu referova drejtpërsdrejti. Sigurisht që në atë paketë ka një disiplinim akoma më të madh në sektorin e naftës. Dua të jem shumë i sinqertë, që ligji i akcizës i bërë në vitin 2012 është një ligj shumë i mire. Përmirësimet që kemi sjellë, e bëjnë këtë ligj akoma më disiplinues dhe besoj se ka nevojë që sektori të disiplinohet më tej.

Ka një listë të gjatë të thjeshtëzimit të procedurave, gjithsesi ne e kaluam së bashku ligjin e procedurave tatimore, kështu që unë po ndaloj këtu duke ju falendruar për vëmendjen dhe duke ju kërkuar ndjesë që detyrimisht duhet të ishte një prezantim i gjatë, për shkak edhe të buxhetit të fundit, të mandatit të parë.

Faleminderit!