Postuar më: 02 Dhjetor 2016

Lufta kundër tregtisë së paligjshme të duhanit, bashkëpunim serioz mes qeverisë dhe biznesit.

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Të nderuar të pranishëm,

Sot jemi mbledhur për ceremoninë e firmosjes së Memorandumit të Mirëkuptimit në luftën kundër tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Kompanisë së mirënjohur Philip Morris International.

Është një rast i mirë jo vetëm për të materializuar frymën e bashkëpunimit qeveri-sipërmarrje, por edhe për të theksuar faktin se ligjshmëria në ekonomi, është një përpjekje e përbashkët reciproke mes të dy palëve.

Mua më vjen mirë, që edhe në Raport progresin e fundit të BE-së kriteri ekonomik kishte një avancim të konsiderueshëm pozitiv dhe sigurisht që është detyra e qeverisë, patjetër në bashkëpunim me sipërmarrjen e ndershme, për të avancuar luftën kundër informalitetit dhe paligjshmërisë.

Lufta kundër tregtisë së paligjshme dhe informalitetit dhe duhani, si një nga industritë që është prekur vazhdimisht nga ky fenomen, ka pasur nga ana e qeverisë një fokus të veçantë.

Vetëm në dy vitet e fundit janë zhvilluar një numër i madh aksionesh, nëpërmjet organeve ligjzbatuese ku padyshim Dogana luan rolin kryesor, sidomos për mallrat e akcizës. Këto aksione rezultuan në mbylljen e disa fabrikave ilegale, sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të duhanit dhe në ndërprerjen e zinxhirëve ilegal të prodhimit dhe furnizimit me këto produkte.

Krahas kësaj, ne po implementojmë politika fiskale të përgjegjshme dhe si rezultat, të ardhurat e mbledhura nga duhani dhe produktet e tij,  janë rritur me pothuaj 17%. Rezultati i pritshëm i deklarimit  të importit të cigareve me rreth 500 ton më shumë, se viti i kaluar, është tregues patjetër i suksesit të administrimit fiskal.

Në disa takime me Industrinë e duhanit personalisht kam kërkuar me ngulm bashkëpunimin e të gjithë aktorëve që të bashkojmë forcat kundër këtyre fenomeneve, janë gërryese për ekonominë shqiptare dhe sigurisht janë gërryese edhe për bilancin e kompanive të ndershme.

Ndaj gjej rastin ta falenderojë Philip Morris International dhe Philip Morris Albania, por edhe të kompanive të tjera që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Ministrisë së Financave për të nxitur dhe mbështetur aplikimin e metodikave më  bashkëkohore kundër kontrabandës dhe falsifikimit të produkteve të duhanit.

Ndaj me ju gjithashtu që dje në Parlament kemi kaluar në parim Buxhetin e shtetit dhe Paketën Fiskale. Në Paketën Fiskale ka disa ndryshime, të cilat janë disiplinuese, por edhe relaksuese për sa i përket prodhimit të duhanit vendas, duke ulur akcizën gati gjysëm për gjysëm me atë të importit, shkojnë të gjitha si masa drejt antiinformalitetit dhe formalizimit deri tek fermerët dhe prodhuesit e duhanit.

Ju uroj suksese!

Faleminderit!