Postuar më: 07 Dhjetor 2017

Kompanitë e biznesit me një bilanc të vetëm në banka dhe tatime. Në fillim 2018, rregullore e posaçme nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Përshëndetje,

Sot së bashku me Guvernatorin Sejko, duam të ndajmë publikisht dakordësimin që kemi në nivel institucional, për një masë të përbashkët, në kuadër të strategjisë së qeverisë shqiptare për reduktimin e nivelit të kredive me probleme në ekonomi, por patjetër edhe në kuadër të aksionit që vazhdon, kundër informalitetit.

Sot është fakt, që kompanitë e mëdha mbajnë dy bilance, një që deklarohet në tatime dhe një që dorëzohet në bankat tregtare për qëllime kredimarrje.

Ne kemi marrë angazhim, që kompanive të biznesit t’u njihet vetëm një bilanc zyrtar, që është i përputhur me deklaratën e tyre tatimore.

Kryeministri e ka artikuluar si masë në ditët e fundit dhe ne po e avancojmë, besoj do të konkretizohet me të gjitha detajet teknike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë, në një rregullore të posacme, në fillim të vitit 2018.

Ka dy aspekte që unë do të doja t’I theksoja në kuadër të kësaj nisme.

Së pari, reduktimi i nivelit të kredive me probleme në ekonomi.

Problematika e kredive me probleme u trajtua gjerësisht gjatë mandatit tonë të parë 2014-2017. Grupi i përbashkët i punës mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë, hartoi një strategji dhe plan konkret veprimi me qëllim reduktimin e NPL, ku një ndër masat e parashikuara ishte pikërisht “Dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore”.

Sigurisht që ky plan masash është konsultuar në masë të gjerë edhe me bankat e nivelit të dytë dhe unë besoj që ky është momenti që të vendoset një normë e re në marrëdhënien mes bankave dhe kompanive të biznesit.

Sot niveli i kredive me probleme është rreth 14.4% (gati 10% më ulet se viti 2013 ku arriti kulmin e 25% të totalit të kredive në ekonomi. Aktiviteti kreditues sigurisht që ka një gjallërim, ende modest gjithsesi, por padiskutim që aftësia paguese e kredimarrësve, është një faktor kyc në sjelljen e bankave në raport me kreditimin.

Prandaj, me qëllim frenimin e fenomenti të kredive të këqija, dhe nxitjen e kreditimit të shëndetshmën në ekonomi, ne kemi avancuarkëtë nismë që besoj është një hap tejet I rëndësishëm që ndihmon edhe sistemin bankar që në vetvete përfaqëson sektorin më transparent dhe të formalizuar të ekonomisë.

Dhe ky është elementi I dyte që dua të theksoj. Në këtë fzë aktuale të aksionit tonë kundër informalitetit, ne kemi një fokus të posacëm tek biznesi i madh, duke bërë një skanim të thellë dhe më kompleks të fenomeve të riskut që janë shfaqëur si rezultat i të gjithë analizave tona të deritanishme.

Bilancet fiktive janë absolutisht një nga fenomenet kryesore, që jo vetëm shmangin pagesën e detyrimeve tatimore por reflektojnë edhe pasoja të tjera si deklarimi i pagave tejet të ulta, në raport me referencën e tregut të punës duke sjellë deformime të shumëfishta në treg.

Unë dëshiroj t’ia kaloj fjalën Guvernatorit dhe të përsëris edhe njëherë thirrjen për reflektim qoftë nga ana e sistemit bakar, ashtu edhe nga sipërmarrjet, sepse unë realisht besoj tek bashkëpunimi me sipërmarrjen, në favor të përmirësimit të terrenit ekonomik, nga I cili përfiton sipërmarrja, përfitojnë qytetarët dhe natyrisht, arrin të realizojë politikat e saj zhvilluese edhe qeveria.

Falenderoj Guvernatorin dhe Bankën e Shqipërisë e cila si në cdo rast, ka një rol thelbësor në koordinim e të gjithë aktorëve.

Faleminderti!