Postuar më: 06 Shtator 2016

Komisioni i Ekonomisë miraton Aktin Normativ të Buxhetit të rishikuar 2016

Akti Normativ që keni përpara jush sot vjen si rezultat i një përditësimi në terma pozitivë të treguesve kyç makroekonomikë, si edhe nevojës për të dhënë stimuj të mëtejshëm në drejtim të rritjes ekonomike dhe mirëqenies sociale të vendit.

Kam kënaqësinë të deklaroj këtu se ecuria faktike e parametrave kryesorë makroekonomikë dhe fiskalë është në linjë me pritshmëritë tona të fillimvitit 2016. Kjo, e konfirmuar zyrtarisht edhe nga Misioni më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Zhvillimet aktuale makroekonomike gjatë vitit 2016 kanë qenë në linjë me pritshmëritë fillestare. Bazuar në vlerësimet paraprake të Produktit të Brendshëm Bruto Tremujor nga INSTAT, rritja reale për të gjithë vitin 2015 rezultoi 2,77%, ndërsa për tremujorin e parë të vitit 2016 rritja u përshpejtua në 2,96%. Kontributin kryesor në këtë rritje gjatë pjesës së parë të vitit 2016 e kanë dhënë degët e ekonomisë si: Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me 0,85 pikë përqindje, Administrata publike; Arsimi dhe Shëndetësia me 0,60 pikë përqindje, Ndërtimi me 0,55 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me 0,37 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me 0,23 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me 0,22 pikë përqindje, Shërbime të tjera me 0,07 pikë përqindje, Aktivitet financiare dhe të sigurimit me 0,04 pikë përqindje.

Parë nga ana e kërkesës agregate, Kërkesa e Brendshme shënoi një rritje prej 2,39%, mbështetur nga Investimet Bruto të cilat u rriten me 7,33% për T1-2016 krahasuar me T1-2015.

Edhe për tremujorin e dytë të vitit treguesit e disponueshem indirekt tregojnë për një vijimësi të përshpejtimit të aktivitetit ekonomik. Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi nivelin 100.1 në T2-2016 duke pësuar një përmirësim prej 6.2 pikësh nga tremujori i kaluar. Investimet private kanë patur një rritje gjatë gjysmës së parë të vitit. Kjo reflektohet nga ecuria e importit të mallrave kapitale, makineri, paisje dhe pjesë këmbimi, të cilat gjatë periudhës janar-korrik kanë patur një rritje prej 13,7% krahasuar me një vit më parë.

Parametrat kryesorë agregat të qëndrueshmërisë dhe shëndetit të sistemit banakar në tërësi mbeten në nivele të mira. Sistemi bankar shfaqet i mirë-kapitalizuar më një nivel të mjaftueshmërisë së kapitalit prej rreth 16%, mbi nivelin benchmark të kërkuar nga Banka e Shqipërisë prej 12%. Gjithashtu, sistemi bankar rezulton mjaft likuid dhe me rezultat ekonomik pozitiv fitim. Gjatë muajit korrik të vitit 2016 stoku total i depozitave bankare u rrit me 1.2% krahasuar me muajin korrik tw vitit 2015. Ecuria e kredisë shfaqi tendenca përmirësimi në tremujorin e dytë. E pastruar nga efekti i fshirjes së kredive të humbura nga bilanci, portofoli i kredisë bankare shënoi rritje mesatare vjetore rreth nivelit 3%.

Presionet inflacioniste edhe për gjysmën e parë të vitit 2016 kanë vijuar të jenë të dobta, në reflektim edhe të niveleve të ulata të inflacionit të importuar, ndërkohë që monedha vendase ka qëndruar përgjithësisht në të njëjtin nivel kundrejt monedhës evropiane, ndërkohë që njohur një zhvlerësim kundrejt dollarit amerikan në reflektim të konjukturave në tregjet ndërkombëtare të këtyre dy monedhave. Norma e inflacionit në muajin korrik të këtij viti arriti në 1,9 për qind. Norma mesatare e inflacionit për shtatë muajt e parë të vitit 2016 ishte 0,9%.

Sipas Anketës së Forcave të Punës, në tremujorin e parë të 2016 shkalla e papunësisë shënoi për herë të parë një rënie të nivelit të saj, pas tre tremujorësh me rritje, duke regjistruar nivelin e 16,9 për qind. Ajo pësoi një rënie tremujore prej 0,8 pikë përqindje, ndërsa në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë pësoi rënie me 0,4 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, sipas Anketës së Forcave të Punës, numri i personave të papunë është 223,448 persona, duke u ulur me 7,298 në krahasim me tremujorin e kaluar. Ndërkohë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky numër u rrit me 5,801 persona. Krahasuar me tremujorin e parë të 2015 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 5,7 për qind.

Parashikimet për rritjen reale ekonomike për vitin 2016 në tërësi mbeten të njëjta me parashikimet fillestare të rritjes prej 3,4%. Kryesisht, kjo rritje pritet të gjenerohet nga rritja e konsumit dhe investimeve.

Sidoqoftë, për të patur një garanci më shumë në arritjen e pritshmërive për këta tregues jetikë për ekonominë tonë në tërësi, e ndjemë të nëvojshme ndërmarrjen e hapave ligjorë për miratimin e këtij Akti Normativ, duke konsideruar faktin që çdo formë tjetër rishikimi buxhetor nuk do të prodhonte të njëjtin impakt pozitiv në kohë.

Më lejoni t’ju rendis më konkretisht synimet kryesore qe kerkon te realizoje Qeveria nepermjet  këtij Akti Normativ:

  • Përshpejtimi i projekteve të investimeve publike me impakt të qënësishëm pozitiv në rritjen ekonomike, me qëllim arritjen e nivelit të programuar të saj për vitin 2016;
  • Shlyerja tërësore e  detyrimeve të prapambetura të krijuara, sidomos në sektorin e transportit;
  • Reflektimi në buxhet i  të ardhurave të arkëtuara nga privatizimi i INSIG sh.a, që sjell uljen e nivelit të huamarrjes së brendshme sa 50% e të ardhurave të privatizimit.

Vlen për t’u theksuar gjithashtu, se përmes këtij Akti shmanget çdo risk i mundshëm i krijimit të detyrimeve të reja të prapambetura nga institucionet buxhetore. Gjë që, jo vetëm përmbush një nga objektivat kyç fiskal të kësaj Qeverie, por njëkohësisht respekton rigorozisht edhe një nga shtyllat më të rëndësishme të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

         Në këto kushte, lidhur me investimet publike, që janë edhe synimi kryesor i këtij Akti, dëshiroj t’ju sjell në vëmendje se nëpërmjet rialokimeve të burimeve të financimit të investimeve publike në masën 3.5 miliard LEK nga projektet me financim të huaj tek ato me financim të brendshëm, synojmë mbylljen/përshpejtimin e projekteve të rëndësishme në sektorët prioritarë. Më konkretisht:

Në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe portuale:

  • Janë akorduar rreth 1.1 miliard LEK për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura, të krijuara rishtazi, në sektorin e infrastrukturës rrugore, përmes së cilave sigurohet financimi i kontratave në vazhdim të rrugëve nacionale, dhe mbyllja e punimeve për një pjesë prej tyre.
  • Sigurohet përfundimi i segmentit Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës, pjesë e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, me vlerë rreth 396 milion LEK;
  • Garantohet financimi i projekteve të emergjencës rrugore me një vlerë 390 milion LEK, që përfshjn disa akse të riskuara, të tilla si: Elbasan-Librazhd, Milot-Skurraj dhe Burrel-Qafë Buall;
  • Sigurohet pagesa e TVSH-së për projektin me financim të huaj “Rehabilitimi i kalatës së Portit Vlorë”, me vlerë 340 milion LEK;
  • Sigurohet pagesa e TVSH-së për projektin e ndërtimit të terminalit të pasagjerëve në Portin e Durrësit, me vlerë 58 milion LEK.

Në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime:

  • Sigurohet financimi në masën 260 milion LEK, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të projekteve të ndërtimit të ujësjellsave për periudhën 2012-2014, në kuadër të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve;
  • Sigurohet financimi i TVSH-së për projektin e kanalizimeve të Tiranës së Madhe, me financim të huaj të Bankës Botërore.

Në sektorin e arsimit dhe sportit:

  • Është akomoduar përmes rialokimeve, financimi i projektit të Parkut Olimpik, në masën 202 milion LEK, në programin “Zhvillimi i Sportit”;
  • Është siguruar shlyerja e kontratave të prapambetura të vitit 2014, të projekteve të investimeve publike në kuadër të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, në masën 136 milion LEK.

Në sektorin e mjedisit:

  • Është siguruar financimi i projektit të ndërtimit të Inceneratorit Elbasan, në masën 225 milion LEK;

         Për më tepër, është me rëndësi të theksohet që ndryshimet e propozuara, edhe pse e prekin defiçitin buxhetor me 1.3 miliard lekë si pasojë e përdorimit të gjysmës së vlerës së privatizimit të INSIG sh.a. për investime publike, nuk ndikojnë aspak në nivelin e huamarrjes dhe të borxhit publik, miratuar në fillim të vitit 2016. Përkundrazi, ky nivel ulet me 1.3 miliard LEK (sa 50% e të ardhurave nga privatizimi) , krahasuar me nivelin e miratuar në buxhetin fillestar. Njëkohësisht, dëshiroj të theksoj se me anë të këtij Akti:

  • Nuk preken të ardhurat kryesore, ato nga tatimet e doganat, duke konfirmuar kësisoj objektivin tonë të realizimit periodik të tyre, nëpërmjet një angazhimi tërësor të strukturave përgjegjëse në luftën kundër informalitetit.
  • Janë korrektuar të ardhurat jotatimore me 3 miliard LEK, duke rivlerësuar treguesin e dividentit i cili ishte parashikuar në nivele tepër  optimiste, por njëkohësisht edhe duke ç’ngurtësuar fondin e përcaktuar si garanci për këtë zë.
  • Është korrigjuar me 2 miliard LEK zëri i të ardhurave nga pushteti vendor, kjo bazuar në performancën aktuale dhe atë të pritshme të tyre, deri në fund të vitit 2016.  

Në përfundim të fjalës time, Ju ftoj të miratoni këtë Akt Normativ, duke rishprehur edhe njëherë besimin e plotë që ai jo vetëm përmbush objektivat e programit të Qeverisë, por do t’i japë gjithashtu një stimul pozitiv rritjes ekonomike në vend nëpërmjet implementimit në kohë dhe me sukses të projekteve të investimeve publike.