Postuar më: 27 Mars 2017

Fshirja e detyrimeve, lehtësim për tatimpaguesit, një hap tjetër drejt formalizimit!

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat

Projektligji “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë si dhe proçedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore”, është një iniciativë e konsultuar gjatë. E konsultuar me sipërmarrjen, e konsultuar gjithashtu edhe me institucionet financiare, kryesisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sigurisht që janë konsultuar praktikat më të mira ndërkombëtare në mënyrë që të ketë një ekuilibër midis lehtësimit dhe fshirjes, për të mos cënuar kulturën e pagesës së taksave.

Me anë të këtij projektligji synohet të pastrohet situata e mbartur dhe të mundësohet fshirja e detyrimeve fiskale për të cilat ka kaluar afati ligjor i mbledhjes me forcë ose përdorimi i masave shtrënguese, të cilat nuk kanë dhënë rezultat. Një iniciativë e tillë ndërmerret pasi për këto detyrime janë ezauruar masat shtrënguese dhe janë të vjetra në kohë, për t’i krijuar mundësi administratës fiskale që të fokusohet në mbledhjen e detyrimeve të reja. Pra, të përafrohet, për të dhënë gjithashtu një stimul për pagimin e detyrimeve tatimore për pesë vitet e fundit duke hequr penalitetet, të përqëndrohet puna e Administratës Fiskale në mbledhjen e detyrimeve të viteve 2015- 2016.

Çfarë fshirje dhe incentivash përmban projekti?

  • Fshirjen e detyrimeve për periudhën para dhjetorit 2010, pra detyrimet që janë mbi gjashtë vjet. Këto detyrime do të fshihen për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara nga ky ligj. Totali i detyrimeve që fshihen pa kushte është 29.4 miliard lekë.

 

  • Pagimi i detyrimeve tatimore për vitin 2011, 2012, 2013 dhe 2014, duke afruar incentivën e heqjes së gjobave dhe kamatave nëse paguhet tatimi brenda gjashtë muajsh. Gjithsesi ne në Komision do të propozojmë që periudha gjashtë muaj të shtyhet deri me 31 dhjetor të vitit 2017, pra duke i dhënë sipërmarrjes gati nëntë muaj kohë që të përfitojë nga ligji. Totali i gjobave dhe kamatvonesave që falen me kusht është 62.6 miliard lekë. Totali i tatimit të pritshëm për t’u arkëtuar si rezultat i faljes së penaliteteve dhe kamatave, është 35 miliard lekë.

 

  • Në lidhje me kontributet e sigurimeve shoqërore, do të fshihen vetëm gjobat dhe kamatvonesat, jo detyrimet për kontribut.

 

  • Fshirja e detyrimeve tatimore të qeverisë qëndrore dhe asaj vendore dhe detyrime të pagueshme në doganë.

 

  • Fshihen gjobat automatike për deklarim të vonuar, gjobë 10 mijë lekë për çdo deklaratë të dorëzuar me vonesë. Kjo masë vihet me impelentimin për herë të parë (nëse ju kujtohet në qershor të 2016), të këtyre gjobave automatike nga sistemi i ri i tatimeve dhe për mos-deklarimin në afat, kryesisht të bizneseve të vogla. Pra, kemi një problem masiv që duhet rregulluar; sipërmarrja e vogël, biznesi i vogël duhet lehtësuar. Paralelisht, kemi bërë dhe zgjatjen e afatit të deklarimit në ligj. Efekti i përafërt i gjobave është 250 milion lekë.

 

  • Fshihen gjithashtu, gjobat referuar neneve të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.

 

  • Fshihen gjobat për kompanitë e kasave fiskale në periudhën e fushatës antiinformalitet që ka filluar në shtator të vitit 2015.

 

  • Fshihen detyrimet e sektorit elektroenergjetik shtetëror për vitin 2011-2013, si rezultat i kontrolleve dhe penalizimeve nga administrata fiskale. Efekti është 8.2 miliardë.

 

  • Fshihen detyrimet e sektorit shtetëror ujësjellës-kanalizime për vitet 2011-2013. Efekti është 370 milion lekë.

 

  • Fshihen efektet tatimore për detyrime si pasoj e lëshimit jo brenda të njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH, ose si pasojë e mos lëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që në çdo rast aplikimi pranë Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të jenë paraqitur deri në 31.12.2014. Ky është një rast specifik i trashëguar nga viti 2012, që nëse do të avancohej në bazë të legjislacionit aktual, gjobat dhe dëmet e shkaktuara nga papërgjegjshmëria e administratës publike do të ishin në kurriz të sipërmarjes në vlera marramëndese deri në 210 milion dollarë nëse do të materializoheshin.

 

  • Fshihen detyrimet e pagueshme në doganë për TVSH e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar sipas listës përkatëse në fuqi deri në 31.12.2016. Efekti është rreth 1 miliardë lek.

 

  • Heqja nga qarkullimi dhe ç’rregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri në dhjetor 2011, si dhe shuarja e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu, për mjetet e transportit që nuk hiqen nga qarkullimi, parashikohet shuarja detyrimeve tatimore për periudhat 2010 dhe më parë dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën 2011-2014, me kusht pagesat e detyrimeve të 2011 e në vijim, pra vazhdon i njëjti parim për periudhën. Efekti është jo i vogël, 11.9 miliardë lekë.

 

  • Përdorimi i krediteve apo mbipagesat që mund të kenë subjektet për të kompensuar fshirjen e detyrimeve tatimore sipas parimit që nëse është njëkohësisht debitor dhe kreditor, do të bëhet kompensimi tyre dhe më pas nëse ligji e parashikon si rast, do të bëhet fshirja e detyrimit të mbetur.

 

  • Nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji subjektet që kanë detyrime tatimore ose doganore që ka një vendim gjyqësor të formës së prerë si të dënuar penalisht për evazion fikal apo kontrabandë.

 

Kjo është një përmbledhje e ligjit shumë shpejt dhe për të bërë dhe këtu gjej rastin të bëj dhe një përmbledhje të profilit të borxhit të akumuluar që nga viti 1995, pra çdo shifër përmbledh një periudhë tatimore duke filluar nga viti 1995. Borxhi total i regjistruar në tatime dhe doganë që nga ’95 deri më 31 dhjetor i vitit 2016 është 172.5 miliard lekë. Nga këto, borxhi tatimor i akumuluar nga ’95 deri në 31 dhjetor 2016 është 147.7 miliard, pjesa tjetër, pra 24.8 miliardë është borxh doganor i akumuluar për të njëjtën periudhë.

Bazuar në këtë projektligj që parashtrova pak më parë, fshihen detyrimet si më poshtë:

  • Detyrimet potencialisht për t’u fshirë në total janë, 90.97 miliard lekë, pra detyrimet potencialisht për t’u fshirë në total,

 

  • Nga këto, fshirja e detyrimeve pa kusht është 29.5 miliard lekë (principal plus gjoba, plus kamatvonesa), që kanë të bëjnë me periudhën periudhën përpara 31 dhjetor 2010.

 

  • Fshirje detyrimesh me kusht janë 61.45 miliardë lekë gjoba plus kamatvonesa nëse paguhet principali që në vlerë shkon 34.96 miliard lekë. Pra, detyrimet që fshihen me kusht janë 61.4 miliardë nëse do të paguhet detyrimi prej 34.96 miliard lekë.

 

Ky ishte një parashtrim i detajuar se çfarë përfshihet dhe çfarë incentivash ka ligji. Nëse do të ketë pyetje nag ana juaj edhe për detaje, edhe për detaje teknike, edhe për shifra, jam gati që në vazhdim gjatë periudhës që do diskutojmë nen për nen t’i përgjigjem me detaje.

Faleminderit!