Postuar më: 23 Shkurt 2017

Çadra e vetmisë së madhe, si rikthim në vendin e krimit!

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend

Neve nuk na shqetëson, madje e kemi flamur, që po, ata që i përkasin shkallës së më të paguarve për një milion arsye legjitime, ne do t’i taksojmë më shumë sesa 97% e shqiptarve dhe ky është një koncept themelor ndarës midis të majtës dhe të djathtës. E majta jonë është një e majtë sociale, në një vend me ekonomi ku tregu fokusohet tek ekuilibri dhe rishpërndarja e të ardhurave në favor të klasës së mesme dhe ato shifra që Kryeministri solli këtu, po, ato janë teori tashmë bazike.

Unë kam një qëndrim kohët e fundit se shpesh i kthehemi debateve bazike, debateve të vendosura para 20 vitesh, i rikthehemi për shkak të emocionit politik, paditurisë, nxitimit apo qëllimit, nuk diskutohet.

Ndoqa debatin me deputetin Braçe për të njëjtin element dhe do t’ i rikthehem. Më vjen keq ta them, ishte si një ndeshje në kampionatin Italian, Juventusi dhe një ekip amator, flas për ekonominë.

Do të sugjeroja realisht miqësisht që, për konceptet ekonomike do ia vlente të debatoje në parim midis të majtës dhe të djathtës dhe jo në detaje, sepse detajet realisht duan vëmendje. Tani do duhet t’i marrim një nga një për t’u rikthyer tek ekonomia dhe meqë këtu s’e kemi opozitën dhe me të drejtë ti vendose që të qëndrosh në opozitë me këtë qeveri, e shprehe dhe drejtpërsëdrejti, the “Unë do të punoj për ta rrëzuar këtë qeveri” dhe ju referove si “Republika e Korrupsionit”.

Tani unë bashkëbisedimin e kam me kolegët, me qytetarët, po sigurisht edhe me ju, për hir të asaj të vërtete që do të duhet të qëndrojë në themel të punës, diturisë, të qëllimshmërisë të gjithësecilit nga ne.

Një qeveri që bën reforma dhe e ka flamur reformën në drejtësi, kujt republike i përket, republikës së vjetër të korrupsionit apo republikës së re të një drejtësie më të mirë? Kjo është pyetje retorike dhe këtu i kemi ndarë anët. Madje edhe ju i keni ndarë anët, megjithëse nuk keni vendosur të jeni i majtë ose i djathtë. E majta dhe e djathta kanë një ideologji të vetën, qoftë politike, qoftë emocionale, qoftë ekonomike, qoftë individuale dhe ndër vite, diku-diku vijat ndarëse janë thelluar, diku-diku vijat ndarëse janë zbutur, por tek rishpërndarja e të ardhurave vija është e qartë, e ndarë dhe nuk ka më debat.

Dëgjova deputetin Aldo Bumçi kur i bërtiste një gazetari në fytyrë, i thoshte: “A e di ti që këta të taksojnë ty 23%”? Po, e kemi me qëllim, ne e kemi qëllim lehtësimin e barrës fiskale, pra të taksave, për 97% të shqiptarëve. Ky debat ekonomik kërkon thellësi dhe as nuk kërkon emocion, as populizëm, as padituri.

Doni të flasim për konçesionet dhe privatizimet, flasim dhe për to patjetër.

Po çfarë republike e quan kushdo qoftë nga ne, një republikë e cila ia ngarkon qytetarëve të gjithë koston e shërbimeve?! Republikë e korrupsionit apo Republikë e Drejtësisë? E majtë apo e djathtë? E qytetarit apo e askujt? E larguar në drejtim të paditur! Atëhere do duhet që t’i drejtohemi të vërtetës dhe t’i largohemi konfuzionit.

Po të marr të kundërtën, po të sjell dy konçesione. Po të sjell konçesionin e skanimit, është skandaloze. Një eksportues më tregonte që paguan 700.000 lekë të vjetra në çdo dërgesë dhe dërgon 17 kamionë në muaj në Hollandë, në Gjermani, në Itali. Çfarë është ky konçesion? Po të marr konçesionin e pullave fiskale. E njëjta!

Po ne nuk jemi republikë konfuzioni. Ne jemi një shtet ligjor që zbatojmë kontratat edhe kur ato sjellin atë trashëgimi, e cila i rëndon buxhetit të shtetit tashmë, por do t’i rëndonte 5 herë, 10 herë më shumë nëse do të shkonim në arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare dhe pastaj të ngarkonim qytetarët përsëri në kurriz të tyre për ato konçesione që kanë dështuar.

Konçesionet siç i referoheni në shëndetësi, çfarë janë? E ka marrë koston e shërbimit buxheti i shtetit, kjo është masë sociale, kjo është vëmendje ndaj qytetarit dhe kjo masë është masë e drejtë. Ky është një shërbim që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit dhe do të duhet që për efektshmëri, të afrohet nga një entitet, i cili mund të ishte shtetëror, mund të ishte dhe privat. Por thelbi nuk qëndron kush e bën. Thelbi qëndron kush e paguan dhe në këtë rast nuk e paguan qytetari, e paguan buxheti i shtetit dhe thelbi qëndron çfarë cilësie mori nga aktori, entiteti, që e bën më të mirë dhe më të lirë nëse doni.

Doni një shembull tjetër të privatizimit? Kërkohet llogari për mure të rrëzuara të interesit publik në vite më parë. Është ekonomi tregu, janë asete të privatizuara dhe dua t’u rikujtoj qytetarëve ARMO-n e privatizuar gati 7-8 vite më parë. Dështim! ÇEZ-i i privatizuar gati 7-8 vite më parë, dështim. Kosto në buxhet, kosto mbi qytetarët.

E mbani mend privatizimin në tentativë të Albpetrol? Qesharake! U bë Shqipëria, u bë qeveria një organizatë qesharake! Ja kjo ishte.

E mbani mend privatizimin e 4 hirdocentraleve, e di cili ishte thelbi i atij privatizimi? Deri më dje shteti e merrte me dy lekë, tani do ta marrë me 9 lekë. Atë mall që e prodhonte vetë me 2 lekë, e privatizon, i bën rrush e kumbulla se borxhi shkoi 70% dhe e blenë me 9 leke.

Po cfarë kërkoni ju, që ne të shkatërrojmë gjithë të kaluarën dhe të krijojmë kosto në kurriz të së ardhmes duke prishur koncesione dhe privatizime të cilat mund të shkojnë në arbitrazh?

Epo sot kemi korrektuar dhe koston e opozitës së vjetër të qeveris së vjetër.

Realisht është shumë e rëndësishme të shohim të vërtetën, sepse debati ekonomik mund të jetë emocional, ideologjik sa të duash por tek statistika, është kokëforte. Prandaj iu referova debatit me deputetin Braçe.

Si mund të vish ti?! Ti deklarohesh i majtë, ti përdor retorikë të majtë madje shpesh herë ekstreme dhe të vish të thuash “si ka mundësi që ju tatoni të pasurit 23%”. Atëherë do të duhet të marrësh një vendim. Prandaj jua thashë këtë. Do të duhet të marrësh një vendim se kujt ane i përket dhe të krijosh një vijë ndarëse, me kë? Po krijon një vijë ndarëse me ne, me të majtën? Dakord, është legjitime, je entitet politik më vete, ashtu ke vendosur, është vendimi jot por në finale tenton çdo ditë te vendosësh një vijë ndarëse midis teje, midis partisë tënde dhe ne ku fut dhe në një moment PD-në dhe ndërkohë del me tezat e partisë Demokratike qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në shpifjen ekonomike, qoftë në goditjen që i bën qeverisë.

Nuk do të dua ta mohojmë që ekonomia ka ndryshuar. Po pse ata 183 mijë të punësuar të rinj, rishtaz në këto 3-4 vite janë më të pasur apo më të varfër? Sigurisht që janë më mirë se ç’kanë qenë kur kanë qenë të papunë. A mbaron procesi i përmirësimit të jetesës dhe të jetës së individëve, të qytetarëve apo të gjithë ekonomisë? Nuk mbaron kurrë. Nuk mbaron asnjëherë.

Kemi diskutuar që ekonomia dhe konsumi thelbin e ka tek rritja e të ardhurave të disponueshme. Nëqoftëse të ardhurat e disponueshme janë rritur çdo vit, jemi më të pasur apo jemi më të varfër? Sigurisht që nuk jemi të pasur. Ky nuk është një vënd i pasur, por nuk jemi aq të varfër sa ishim para 3 vitesh dhe për hir të debatit qoftë politik, qoftë emocional nëse duam, qoftë ekonomik, qoftë statistikor, të gjitha këto numërohen.

Mua më vjen mirë që debati ekonomik është larguar nga vemëndja edhe e opozitës sepse nuk është ai problem, siç ka qënë para 4 vitesh. Patjetër që ekonomia ngelet problem çdo ditë dhe në vendin më të pasur, dhe në ditën më të mirë të një vendi të pasur, jo më në një vend si i yni dhe do të duhet të jetë një debat i përditshëm.

Janë larguar nga debati edhe teknik ekonomik sepse shifrat janë kokëforte. Harrojnë që ekzistojnë edhe institucione ndërkombëtare dhe flasin me emocion për ekonominë, “ekonomia është në krizë” dëgjon të thuhet nga çadra. Çadra e vetmisë së madhe!

Ka një çadër, ka dhe një parlament. Ata që organizojnë çadrën kanë qëllime krejt të ndryshme nga ata që shkojnë tek çadra për të gjetur një strehë për pakënaqësinë, hallet apo dhe objektivat që kanë. Por ajo që ne po bëjmë është në favor edhe të atyre që shkojnë tek çadra, por jo një favor të atyre që organizojnë dhe ngrejnë çadra.

Kjo është një diferencë shumë e madhe midis nesh dhe midis atyre.

Kanë ngritur një çadër aty ku kanë vrarë. Janë kthyer tek vendi i krimit. Aty thërrasin dhe qytetarë të thjeshtë që të shkojnë dhe të tregojnë pakënaqësitë e tyre normale, emocionale, legjitime ndaj një qeverie që nuk ka shkop magjik. Dhe për çfarë? Për t’iu shmangur drejtësisë, reformës në drejtësi.

Nëqoftëse flasim për Republika ku një bie dhe njëra ngrihet, ka vetëm një Republikë që po ngrihet. Dhe ketu ftohen të gjithë ata që janë jashtë këtij parlamenti ta mbështësin këtë Republikë që ngrihet dhe nëse do t’i referohemi si Republikë e re që ngrihet, ngrihet vetëm mbi një platformë: Reforma në Drejtësi e cila fillon nga vettingu.

E gjithë historia është për të penguar atë proces dhe çdo njeri që bën debat politik dhe nuk e fillon nga mbështetja për reformën në drejtësi dhe nga mbështetja konkretisht për vettingun, është kundër republikës së re.

Pastaj është i qartë, s’është i qartë, është konfuz, s’është konfuz, nëse është i majtë, qëndër apo i djathtë, ky është një debat që mund të vazhdojë pafundësisht. Secili zgjedh vetë se çfarë qëndrimi do mbajë, çfarë force politike do i përkasë, çfarë emocioni do të transmetojë apo çfarë thellësie në çështje të ndryshme do vendosë të transmetojë me publikun, me të vetët apo me kundërshtarët.

Në përfundim do të dua ta mbyll që realisht ne jemi në një udhëkryq, por në një udhëkryq interesant dhe jo si ato udhëkryqet shkatërruese. Jemi në një udhëkryq ku ne e kemi shumë të qartë drejtimin. Ka rrugë majtas, ka rrugë djathtas. Kjo qeveri, kjo maxhorancë, këto forca politike, janë shumë të qarta për rrugën. Udhëkryqi ekziston vetëm për ata që janë të paqartë se reforma në drejtësi është realisht shtyllë e të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Faleminderit.