Postuar më: 27 Shkurt 2017

Bordi FMN vlerëson autorësinë e qeverisë mbi Programin. Ministri Ahmetaj: “Vazhdojmë reformat! Drejtësia, jetike për ekonominë dhe klimën e biznesit”

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka aprovuar mbylljen me sukses të programit tre vjeçar me Shqipërinë. Aprovimi me sukses i mbylljes së programit, por edhe rishikimi i nëntë dhe i dhjetë sëbashku me mbylljen e programit, bëri të mundur disbursimin e transhit të fundit prej 73.2 milion euro po brenda kuadrit të marrëveshjes. Në total në kuadër të marrëveshjes, nga ana financiare janë disbursuar 377.3 milion euro në buxhetin e shtetit.

Dua ta ndaj me ju me kënaqësi që Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën shoqëruese për mbylljen e programit e vlerëson marrëveshjen si një sukses të plotë, duke  iu referuar një bashkëpronësie shumë të fortë nga ana e qeverisë shqiptare të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të realizimit të një sërë reformash makroekonomike në funksion të rritjes ekonomike.

Është theksuar edhe angazhimi serioz në vazhdimësi i autoriteteve për plotësimin e të gjitha reformave, të cilat u konsideruan brenda marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe sigurisht theksi u vu tek korrektimi i të gjitha problematikave që do t’i referohesha si disbalanca makrofiskale të trashëguara nga falimentimi i shtetit në 2013.

Sot kemi një rritje ekonomike thuajse të konfirmuar për vitin 2016 me 3.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe një platformë ekonomike shumë të mire, të konsoliduar, për një rritje të konsiderueshme gati 3.7-3.8% gjatë vitit 2017.

Sigurisht, kemi arritje rekord në aspektin makrofiskal duke filluar që nga defiçiti buxhetor me nivelin më të ulët të 25 viteve me minus 2% dhe balanca primare me një sufiçit prej 0.7%.

Të gjitha këto janë rezultate të reformave që kemi ndërmarrë në aspektin makroekonomik e fiskal, por sigurisht janë të lidhura ngushtë me të gjitha reformat që ka bërë qeveria në tre vitet e fundit, duke filluar me atë të pensioneve, reformën në energji, reformën në menaxhimin e financave publike, në reformimin e administratës tatimore, reformën territoriale dhe sigurisht, ajo që kulmon është domosdoshmëria e vazhdimit të reformës në drejtësi duke e vënë theksin tek fillimi i Vettingu-t.

Me reformën në drejtësi besojmë që janë të lidhura të gjitha reformat e tjera, dhe fillimi i Vettingu-t do të ishte një sinjal shumë i rëndësishëm për sipërmarrjen vëndase, për qytetarë, për tatimpaguesit dhe për investitorët e huaj.

Pra, mbyllja me sukses e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, konfirmon gjithë suksesin e reformave në tre vite e gjysëm të qeverisë Rama 1 dhe sigurisht edhe pronësinë e fortë që qeveria shqiptare mori mbi programin, mbi reformat që në ditën një, të qartë që kjo ishte rruga dhe drejtimi i duhur.

Reformat na kanë shpërblyer me rritjen ekonomike, me rritjen e pagave dhe pensioneve, me rritjen e punësimit, me rritjen e numrit të ndërmarrjeve, me rritjen e investimeve të huaja, me rritjen e importeve dhe me rritjen e eksporteve. Kjo do të thotë që është e domosdoshme, është kusht jetik vazhdimi i reformave, vazhdimi i konsolidimit fiskal deri në uljen e borxhit në nivelin nën 60%. Viti 2017 do e ulë borxhin në 68.9%, pra do të shkojë borxhi nën atë që u trashëgua në 2013, që ishte një thuajse falimentim i shtetit, qoftë në aspektin e defiçitit buxhetor, qoftë në aspektin e balancës primare, pra të përgjegjësisë së drejtpërdrejt të qeverisë.

Të gjitha janë të parashikuara, sëbashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar në nivele, të cilat na garantojnë përgjegjshmëri totale drejt uljes së borxhit dhe përmirësimit të financave publike.

Sigurisht që në deklaratën e Bordit ka edhe këshillat e veta për vazhdimin e reformave. Ka dhe këshillat e veta për vazhdimin e reformimit të institucioneve të mbledhjes së të ardhuarve. Vëmendje e plotë e mature në uljen e borxhit dhe padyshim vazhdimin e reformës në drejtësi.

Vendimi i Bordit për një mbyllje të suksesshme të programit nuk vjen i rastësishëm, vjen edhe pas konfirmimit të agjensive të ndryshme ndërkombëtare, S%P së fundmi, për konsolidimin fiskal dhe suksesin e ekonomisë shqiptare.  Gjithashtu, vjen pas konfirmimit me ligjin e buxhetit të shtetit në 2017 që konsolidimi fiskal është i garantuar brenda parametrave të rëna dakord në objektivat afatmesme me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Për informacionin tuaj, e thënë dhe në njoftimin për shtyp të Bordit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ne kalojmë në një marrëdhënie të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, është aprovuar në bord, që është pra monitorimi përgjatë periduhës post-marrëveshje (post-program monitoring) që do të thotë që ne vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar ashtu siç kemi punuar gjatë gjithë periudhës para-zgjedhore, gjatë-zgjedhore, post-zgjedhore, deri në fund të vitit 2017, për të marrë një vendim pastaj të ri që është tagër i qeverisë Rama 2 për të pasur një program të ri, çfarëdo lloj programi do të jetë ai.

Faleminderit!

***

Pyetje nga gazetarët:

Z. Ministër, tek deklaratat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për mbylljen me sukses të progarimit, thuhej edhe vazhdimi i reformave dhe rritje e performancës së administratës tatiome dhe zgjerimi i masës për tatimpaguesve. Si do t’i implementoni këto këshilla, çfarë do të bëni? 

Ne kemi një set shumë të detajuar reformash, një inventar të plotë të të gjitha rekomandimeve, jo një set me rekomandime thjesht për të pasur në tryezë, por janë të gjitha plan-aksione, të gjitha do të bëhen sëbashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Pra, ajo ideja që tashmë Fondi ikën nga Shqipëria është false, nuk është e vërtetë. Së bashku me Fondin do të vazhdojmë reformat në institucionet fiskale dhe ato reforma nuk janë sekret sepse janë të deklaruara dhe në faqet zyrtare të Fondit, apo në dokumentat zyrtarë të përbashkët që ne kemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. 

Z. Ministër, a mund të quajmë një marrëvshje të re, tani keni hyrë në një marrëveshje monitoruese. A mund ta quani një marrëveshje të re me Fondin?

Jo, në aspektin total nuk kemi një marrëveshje të re. Kemi një instrument, i cili do të vazhdojë të funksionojë. Një instrument i përbashkët që është aprovuar nga Bordi, i cili monitoron Shqipërinë për të gjitha ato angazhimet që ka marrë përgjatë vitit 2017.

Z. Ministër, m.q.s kryefjala kohët e fundit është Reforma në Drejtësi dhe Vettingu dhe m.q.s  ishte dhe një nga kërkesat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të vijuar me këtë reform, kjo klimë politike cfarë ndikimi ka tek investitorët vendas por edhe tek ata që duan të vijnë?

Artificialiteti i tensionit politik është në funksion të dëmtimit të imazhit të vendit, të ekonomisë dhe të reformave. Unë besoj që çdo qytetar ka të drejtë të protestojë por unë besoj që në rastin konkret, organizatorët tentojnë t’i përdorin qytetarët për motivet e tyre politike për t’u kthyer në pushtet jo nëpërmjet votes, por nëpërmjet presionit. Sigurisht që unë e kam theksuar dhe vazhdoj ta theksoj që çdo lloj tensioni politik është në dëm të imazhit të vendit, në dëm të ekonomisë së vendit. Besoj gjithashtu tek maturia e qytetarëve ashtu siç po e tregojnë dhe tek vendosmëria e aleancës për të vazhduar reformat.

Z. Ministër, pse qeveria e ka të vështirë të tërheqë investime dhe ka akoma projekte të pa-buxhetuara?

Një nga sfidat është mirë administrimi i të mirave publike në të dyja dimensionet, qoftë në cilësi, qoftë në shpejtësinë e tyre. Unë besoj që viti 2017, do të jetë një vit ndryshe nga vitet e tjera, pas një përmirësimi serioz në 2016. Ka arritur në 60 miliard lekë niveli i investimeve publike dhe sfida është tek mire-planifikimi dhe mire-administrimi i zbatimit në terren i investimeve publike nga ministritë e linjës apo agjensitë e zbatimit të investimeve. Besoj, së bashku me Ministrat që kanë përgjegjësinë kryesore për investimet publike, kemi formatuar një kuadër monitorimi të detajuar, kemi nxjerrë dhe përgjegjësitë e njësive zbatuese në terren për t’i monitoruar dhe përmirësuar punën e tyre. Ka patur në tetë vite të qeverisë së vjetër, projekte të hapura me 100.000 dollarë, për kosto totale prej 10 apo 20 milion dollar. Këto nuk ndodhin më dhe nuk do të ndodhin më, edhe në bazë të ligjit organik të buxhetit që e kemi ndryshuar vitin e kaluar në qershor, edhe në bazë të angazhimit që ne kemi marrë për të mos lejuar më detyrime të prapambetura. Këto janë gangrenë të buxhetit të shtetit që nuk i lejojnë as  ministritë shpenzuese, as Ministrinë e Financave të mirëadministrojën buxhetin e shtetit. Besoj që 2017, në bazë të atyre masave që kemi marrë, do të ketë një rezultat goxha më transparent, më të mirë dhe zgjatim të investimeve sa më të shpejtë.

Faleminderit!