Postuar më: 02 Shkurt 2017

Alternativa e reformave dhe e të ardhmes, përballë alternativës së dhunës që e kthen vendin pas!

Fjala e Ministrit Ahmetaj sot në Kuvend

Besoj që fjala e ish-liderit të opozitës, e gjatë ashtu si zakonisht, me 184 herë të përmendur “banda”, “banditokraci”, “kriminel”, “vrasës” etj., nuk është e re. Për asnjë qytetar shqiptar, diskursi, fjalori i tij, nuk është i ri. Dhe nuk është i ri, sidomos në momentet kur fillon fushata elektorale. Dhe nuk është i ri, sidomos kur fillon fushata elektorale që ka parashtruar humbjen! Nuk është i ri, kur opozita reflekton drejtpërsëdrejti konfuzion dhe mungesë lidershipi, po kjo është punë e tyre. Gjithmonë ka dy botë për atë njeri, është bota e tij (dhe botën e tij e bën si të dojë, e standardizon si të dojë) dhe është bota tjetër. Bota tjetër që ai nuk e dominon, siç e ka dominuar nëpërmjet vjedhjes së votes, apo edhe lypjes së koalicioneve deri në lëngim për të ardhur në pushtet; ajo botë është kriminale, nëse nuk është bota e tij.

Megjithatë, deputeti parafolës Erion Braçe, bëri një pasqyrim të saktë retrospektiv të asaj që do të ishte alternativa e shqiptarëve në 18 qershor.

Dua t’iu them qytetarëve shqiptarë që alternativa e reformave, e kësaj qeverie, e kësaj mazhorance, e këtij grupi parlamentar, e këtyre grupeve parlamentare të majtë, pra alternativa e reformës, është ajo që doli nga goja e ish-liderit, ishin thirrje për luftë, thirrje për luftë në mënyrën e tij.

“-Ju do ta shikoni sheshin!”. Sa herë e kemi dëgjuar këtë kërcënim? Apo ajo, “do t’ju ngrij buzëqeshjen në buzë”, sa herë? Ky njeri është i profilizuar për të parashtruar, parapritur humbjen e tij (të pashmangshme edhe këtë radhë) me thirrje për luftë, me thirrje për protesta. Në vitin 2017, ky kërcënon një popull të tërë, sërish, (ndërkohë që nuk është dot alternativë), me dhunë në rrugë. Kjo është histori që shqiptarëve iu kujton ngjarje të përsërituara që nga ’92, që nga ’94, që nga ’96 – ‘97, që nga ‘98 kur u sulmua Kryeministria, që nga 2001 kur u bë thirrje për dhunë, që nga 2005, që nga 2008 në Gërdec, që nga 21 janari kur u vranë qytetarë të pafajshëm që protestonin në të drejtë të tyre ligjore, sëbashku me qytetarë të Shqipërisë dhe opozitën e atëhershme dhe sot vjen bën thirrje për luftë. Pse? Sepse është i humbur, e para. E dyta, çfarë argumenti ka?

Argumenti i tij është vetëm shpifja. Po qe se do të kishte një argument ekonomik, një argument juridik për mungesë reformash në vend, një mungesë të zhvillimit ekonomik për shkak të një maskarade siç ka ndodhur për tetë vite 2005-2013, apo një rrezik për falimentim shteti siç falimentoi në 2013, do të ishte legjitime të vinte të thërriste për çfarë të donte. Do të ishte legjitime. Por nuk ka legjitimitet për atë bolori fjalësh, ku 183 herë përmendi emrin “bandë”.

Ky njeri ndoshta në ëndrrat e tij do ketë dashur, dhe ndoshta i ka bërë, të dyja anët e medaljes, bandën dhe prokurorin; E ka bërë edhe bandën, edhe prokurorin. Tani ky do të bëjë sërish prokurorin, por ky nuk kalon dot Vettingun, ky njeri nuk kalon dot Vettingun, ky ngec! Dhe mbi të gjitha, një njeri që ka drejtuar gjithmonë në drejtim të paditur një vend, çohet këtu dhe nuk flet asnjë fjalë për njerëzit e zakonshëm, nuk flet asnjë fjalë për zhvillimin e Shqipërisë në të gjitha sferat, asnjë fjalë për reformat, nuk flet asnjë fjalë për reformën në drejtësi.

Reforma në drejtësi, me të gjitha ato vështirësi që kaloi, është çelsi që kthen Shqipërinë njëherë e mirë në atë drejtim që e dëshirojmë të gjithë. Vettingu është hapi i pare. Dhe ai nuk foli asnjë fjalë. Nuk foli asnjë fjalë për atë që, sërish do t’i referohem deputetit Braçe, për pasurinë e Shqipërisë, për atë pasuri të njerëzve të zakonshëm.

Nuk foli asnjë fjalë për atë se çfarë ka bërë me privatizimet. Ku është CEZ-i? Çdo ditë dalin fakte dhe çdo ditë duket qartë që përpjekja e tyre për të bërë atë që tentojnë të bëjnë, është vetëm për të mbuluar vjedhjen që është bërë me CEZ. 3% një kompani publike me një kompani publike? Po ku e keni parë këtë në botë ju, që paska një (success fee) pagesë suksesi midis Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Çekisë, midis kompanisë publike të Shqipërisë dhe kompanisë publike të Çekisë. Kujt ia tregoni këtë? Çfarë është ky 3%? E kush e mori, pse e mori ky personi që del atje, çfarë lidhje ka me këdo qoftë që i del emri?

Ku janë fushat e naftës? Sot Kontrolli i Lartë i Shtetit ka numëruar dëme në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Na ka dalë fjala që kemi thënë kur kemi qenë në opozitë. Fatkeqësisht, na ka dalë fjala, se pasuritë e vendit ky i ka shkatërruar, pasuri të vendit që sot do duhet të kalojnë në një proces të vështirë strukturimi për t’iu kthyer qytetarëve. Ku janë?

Po ku është taksa e sheshtë? Taksa e sheshtë ishte guri më i rëndë në kurriz të qytetarëve, në kurriz të qytetarit të zakonshëm, në kurriz të atij njeriu që del në punë në mëngjes dhe kthehet në darkë, patjetër për të mbajtur familjen e vet dhe për të bërë një jetë sa më të mirë me të ardhurat nga puna. 10%! Dhe këtu më ngrihen deputët që dikur i kanë përkitur të majtës dhe më tregojnë taksën mbi kapitalin dhe taksën e punës. T’iu vijë turp që sot kanë marrë anë vetëm për arsye politike, jeni futur në fushatë sapo keni përcaktuar koalicionin. Miq të dashur të dikurshëm, keni përcaktuar koalicionin të cilit i përkisni, i përkisni koalicionit të Sali Berishës. Patjetër! Dhe nuk e vendos 18 shkurti, siç nuk e vendosi 21 janari, por e vendosi 23 qershori dhe e vendos 18 qershori sërish!

Përtej të tjerave, ne jemi shumë të qartë që Shqipëria nuk është një vend i pasur ende, është larg të qënurit një vend i pasur, ama një raport do ta bëjmë se çfarë ka bërë kjo mazhorancë. Unë nuk do t’i numëroj të gjithë ata elementë të zhvillimit ekonomik, por një gjë do ta numëroj, shtetbërja. I madh dhe i vogël, i majtë dhe i djathtë në finale thotë: “Të paktën këta kanë thyer disiplinën në vend dhe në shtet, të paktën këta kanë filluar të kthejnë shtetin në binarët e duhur, të paktën këta e duan të ardhmen e vendit dhe nuk e kompromentojnë atë me interesin e momentit”.

Shqipëria nuk është vend i pasur, por e la larg greminën dhe skenarin grek që ka dalë po nga e njëjta gojë. Ka dalë nga ajo gojë dhe nga ato duar që kanë falimentuar shtetin dy herë, diku me flakë, diku me borxhe.

Ka filluar fushata dhe unë nuk e mirëkuptoj, por e kuptoj bolorinë e fjalëve të zeza, mbi vendin, jo mbi mazhorancën, dhe këtu pastaj humbet serioziteti; një opozitë e tërë del në mbrojtje të ministrave apo të ish-ministrave të qeverisë së majtë.

Çdo alenacë udhëton në një rrugë e cila ka vështirësitë e veta, ka përplasjet e veta, por që nuk ka asnjë përplasje për vizionin e të ardhmes së vendit dhe që nuk ka asnjë përplasje përsa i përket reformave. Ju sfidoj të dilni e të thoni një përplasje që kemi ne brenda vetes përsa i përket vizionit për të ardhmen dhe reformat e vendit. Absolutisht asnjë dhe kjo ju tmerron, kjo ju tmerron dhe vini këtu si emisioni i të shtunës në darkë në kohën e Enverit me përrallat për fëmijë, dhe tregoni histori duke përmendur emrat sa majtas e djathtas. Emrat i kanë në kurriz të gjithë.

Dhe mbi të gjitha nuk i takon të flasë për një arsye: ka vrarë njerëz të pafajshëm. Sikur një zemër e madhe dhe një fat i madh t’ia falte të gjitha mëkatet që ka bërë, nuk mund t’i falen njerëzit që ka vrarë në ’97, as në Gërdec, as në 21 janar dhe plot shpirtra të tjerë që ai dhe banda e tij i di.

Faleminderit!