Postuar më: 21 Shkurt 2017

2016, një vit pozitiv ekonomik në reflektim të reformave. Rritja përshpejtohet në 3.7% në 2017. Oferta e opozitës, utopi!

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Përshëndetje,

Në vazhdën e takimit tonë cdo tre muaj që tashmë e këmi kthyer në traditë, do të bëjmë një retrospektivë jo të largët të vitit 2016, për zhvillimet ekonomike në tërësi të vitit 2016, dhe sigurisht që do kapërcejmë në pritshmërite e vitit 2017.

Viti 2016 ka qenë një vit ekonomik i mirë ekonomik për vendin në aspektin e përshpejtimit të rritjes ekonomike, dhe rritja ekonomike në tre tremujorët e parë të vitit 2016, shënoi statistikisht një rritje prej 3.3% dhe sërish të gjithë indikatorë tregojnë që viti 2016 do jetë brenda pritshmërive 3.4%-3.5% dhe besoj që nuk është as rastësi as çudi që 2016 ka këtë shifër.

Ekonomia ka reflektuar reformat e tre viteve rresht, institucionale, strukturore dhe ekonomike dhe kapërceu një periudhë shumë të vështire pas vititit 2013 për shkak të trashëgimisë, keqmenaxhimit por edhe faktorëve të jashtëm. Vitit 2016 konsolidoi rritjen dhe ka krijuar një platformë jashtëzakonisht shumë të konsoliduar për përshpejtimin e rritjes dhe zvogëlimin, deri edhe zerimin, e hendekut negativ në 2017. Këto janë të gjitha reflektime, edhe të Bankës së Shqipërisë por edhe të institucioneve ndërkombëtare si Fondi Monetar apo Banka Botërore.

Nëse shohim rritjen ekonomike të krahasur edhe me tremujorë në vitet e fundit, ka pothuajse të njëjtën trajekore dhe përllogaritja vjetore sërisht na mban në të njëjtat parashikime, 3.4 % gjatë vitit 2016 dhe pritshmëria në 3.8% në vitin 2017.

Ju kam sjellë edhe vlerësimin e Bankës së Shqipërisë, (vleresimet e Bankës së Shqipërisë në këndvështrimin tim janë vlerësimet më serioze statistikore dhe analiktike të institucioneve shqiptare, pra mund të them që Banka e Shqipërisë është sot një platformë referimi jashtëzakonisht shumë serioze, neutrale dhe analitike dhe patjetër që ndiqet po në të njëjtin nivel nga Instituti i Statistikës, i cili pas vitesh e vitesh është realisht institut statistike dhe jo më institut prodhimi statistikash emocionale, sipas qejfeve të vazhdueshme të burimeve të ndryshme politike, i cili ka prodhuar nje burim statistikash korrekte, qoftë pozitive, qoftë negative për ekonominë dhe krahasimisht korrekte e të përputhura me ato që nxjerr Banka e Shqipërisë dhe institucionet ndërkombëtare.)

Dua t’I referohem vlerësimit të Bankës së Shqipërisë për ta transmetuar dhe tek ju atë që ne besojmë se ka ndodhur me ekonominë shqiptare në vitin 2016 dhe çfarë presim për 2017.

“Informacioni i ri mbi aktivitetin ekonomik është pozitiv (vlerësim I dhjetorit2016). Rritja e ekonomisë vlerësohet të jetë forcuar në gjysmën e dytë të vitit 2016, pas rritjes me 3.1% në gjysmën e parë. Kjo rritje është ushqyer nga gjallërimi i konsumit dhe i investimeve private, të mbështetur nga rritja e pagave dhe e punësimit, nga përmirësimi i besimi, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit”, pra këtu theksohen disa shtylla të rëndësishme, konsumi, investimet private, punësimi dhe e ardhura e disponueshme si dhe besimi në ekonomi e kreditimi.

“Aktiviteti ekonomik në gjysmën e dytë të vitit është ndihmuar edhe nga përshpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve buxhetore dhe nga rritja e kërkesës së huaj në sektorin e turizmit”, pra secila nga këto shtylla të përmendura ka sjellë një përshpejtim të aktivitetit ekonomik, si 6-mujor i dytë 2016.

“Banka e Shqipërisë pret një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë dy viteve në vazhdim”- dhe këtu jemi shumë të përputhur me pritshmëritë që ka qeveria në referencë të reformave, por edhe shifrat qe ne i lexojmë me kujdes. 

Kam bërë një krahasim të rritjes ekonomike mesatare në rajon, ku Shqipëria ështe ndër vendet me rritjen më të lartë, jemi mbi mesataren konsiderueshëm, por sigurisht që akoma nuk jemi më të lartët në rajon, pra ende nuk jemi të parët. Këtë vit i kemi të gjitha mundësitë, në bazë të referencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ne të jemi vendi me rritjen më të lartë në rajon dhe vendi i dytë në grupin e vendeve ish-komuniste, pas Rumanisë.

Ndërkohë dua të ndaj me ju performancën e të ardhuarve të 12 mujorit. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe sigurimet kanë njohur një rekord me 350.8 miliard lekë. Janë 26 miliard lekë, pra afërsisht 260 milion dollar më shumë se viti 2015, pa asnjë ndryshim të niveleve të taksave përkundrazi, me zerimin e taksës së biznesit të vogël.

Dhe për të treguar dhe punën që ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe DP Doganave, kemi një krahasim midis 12-mujorit 2015 dhe 12-mujorit 2016. Kemi mbledhur 275.8 miliard lekë, pra 18.1 miliard lekë ose rreth 180 milion dollar më shumë se viti 2015, pa asnjë ndryshim taksash, përkundrazi kemi zerimin e biznesit të vogël.

Thjesht për të parë dhe janarin 2017, akoma të dhënat janë operative, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe sigurime janë 29.9 miliard lekë (janar 2016 ishin 29.1 miliard lekë), gati 107.9% e planit dhe rreth 861 milion lekë më shumë se sa janari i vitit 2016.

Për të parë dhe performacën e tatimeve dhe doganave pa sigurimet, në janar 2017 kemi mbledhur 22 miliard lekë, me një rritje rreth 667 milionë lekë më shumë se janari i vitit 2016.

Sigurisht që nuk desha të le pa rikujtuar treguesin e ndjesisë ekonomike, për të ritheksuar edhe njëhere qëndrimin e Bankës së Shqipërisë, qëndrimin e qeverisë dhe qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare për përmirësimin e klimës së biznesit.

Punësimi. Dua t’I referohem sërish grafikëve dhe shifrave të INSTAT, për të kuptuar tendencën e tregut të punës dhe tendencën e uljes tremujor pas tremujori, vit pas viti, të papunësisë ndërkohë që tregu i punës, pra pjesëmarrja në forcën e punës është rritur, që do të thotë që ulja e papunësisë vjen drejtpërsëdrejti nga rritja vendeve të punës.

Më në fund edhe nga kredia kemi lajme të mira, në mos gabohem pas gati dy vjetësh. Tek individët është shumë serioze, shumë e konsiderueshme rritja. Tek koorporatat sigurisht që jemi në terrenin pozitiv të rritjes së kredisë, por është në nivele akoma larg asaj që do të kontribuonte drejtpërsëdrejti në përshpejtimin e rritjes ekonomike dukshëm, megjithatë përmirësimet në kredidhënie janë të ndjeshme, kryesisht, e theksoj, tek individët.

Po kështu do të duhet të ndalemi pak dhe të shohim se cfarë ndodh me kredinë për sipërmarrjen në monedha të ndryshme. Duhet të kemi parasysh që ka qenë kredia në euro deri vonë kredia më e preferuar, sot jemi kthyer tek kredia në lek në lek gje që reflektone edhe besimin tek ekonomia, tek e ardhmja e ekonomisë; ka dhe një ringritje të lehtë të kredisë në dollarë.

Kreditë me probleme kanë reflektuar ulje - ngritjet e veta, por po ta shikoni në krahasim me marsin e 2014, kemi një ulje të konsiderueshme. Sipas informacionit të Bankës së Shqipëris, ulja e kredive të këqija ka vazhduar dhe në dhjetor, por këtu kemi shifrat e nëntorit 2016 dhe besoj që tendenca do të vazhdojë në ulje.

Në fund të vitit të kaluar, ne kaluam një paketë shumë të rëndësishme në mbështetje të përmirësimit të legjislacionit që ka të bëjë sigurisht edhe me sipërmarrjen, kodin civil, apo edhe legjislacionin në referencë të përmbaruesve. Të gjitha në funksion të përmirësimit të kuadrit ligjor që ka të bëjë me marrëdhëniet midis sipërmarrjeve dhe bankave, edhe në ndihmë të ekzekutimit të kolaterialit dhe mbi të gjitha të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me një rrugë shumë të qartë ligjore, qoftë jashtë gjykatave, qoftë nëpërmjet gjykatave.

Të ardhurat e disponueshme vazhdojnë të rriten dhe arsyeja kryesore siç e vlerëson dhe Banka e Shqipëris është puna, janë të ardhuar nga puna, nga pagat.

Inflacioni e ka marrë veten pas një ulje të kuptueshme, ka qenë një goditje e ofertës ashtu siç u parashikua dhe sot pas një viti, në janar 2017 ka një inflacion prej 2.84%, i cili në këndvështrimin tim tregon pulsimin shumë intensiv të ekonomisë, pra nuk janë më sinjale por janë trende të konsoliduara të rritjes ekonomike.

Konsumi, do dua që të fokusohemi tek blloku I dy viteve për të parë se si ka ecur konsumi. Unë e kam thënë disa herë, viti 2015 ka qenë një vit korrektimi serioz e konsolidimi fiskal; konsolidimi ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016 por tek konsumi final i popullatës dallohet qartë edhe rimëkëmbja e të ardhurave të disponueshme, edhe rimëkëmbja e ekonomisë në reflektim të punësimit, në reflektim të investimeve, investimeve të huaja, investimeve të brendshme, apo gjithë elementëve të tjerë.

Reflektohet edhe në tregtinë me pakicë. Në tre mujorin e tretë 2016, indeksi i volumit të shitjeve të tregtisë me pakicë është rritur 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës dhe nëse do të veçojmë hidrokarburet, pra do ta zhvishnim këtë statistikë nga hidrokarburet, ky indeks ka pësuar një rritje prej 8%, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit 2015, që është një rritje e konsiderueshme. Është një indeks që na tregon direk e indirect atë që ndodh me kërkesën në ekonomi.

Kam sjellë për informacionin tuaj dhe statistikat e fundit të rivlerësimit të pasurive, në reflektim të ligjit që kaluam për rivlerësimin e pasurive. Kemi nga 1 shtatori 2016 deri ne 17 shkurt 2017, një total prej 31,564 aplikime. Unë e vizitova vetë zyrën e ADISA ku ofrohet shërbimi për qytetarët në Tiranë dhe me kënaqësi pashë punën e mirë që bënte dhe që vazhdon të bëjë në shërbim të qytetarëve, një shërbim shembullor, me shpejtësi dhe qartësinë e shërbimit ndaj qytetarit dhe më konfirmuan zyrtarisht që ka rreth 80 aplikime çdo ditë, gjë që bëri të domosdoshme dhe shtyrjen e afaftit nga fundi i shkurtit deri në 31 maj 2017. Ka qenë edhe një kërkesë e shumë agjentëve ekonomik apo ndërmjetësve, vlerësueve, të cilët reflektonin kërkesat e qytetarëve.

Numri I aplikimeve pra në total është 31,564 nga të cilat janë paguar 25,817 ose 82% sepse ndërkohë procesi vazhdon. Vlera e arkëtuar deri më tani është 1.9 miliard lekë. Janë kursyer nga buxheti i qytetarëve, për shkak të taksës së reduktuar nga 15% në 2%, sipas statistikave të reja, gati 180 milionë dollarë. Pra janë 180 milionë dollarë që qytetarët në një regjim të taksës prej 15%, do të kishin paguar më shumë se cfarë kanë paguar në buxhetin e shtetit gjatë kësaj periudhe. Pervec kësaj, është formalizuar si vlerë e shtuar në pasurinë e qytetarëve pak më shumë se 1 miliard dollar. Pra qytetarët gjatë këtyre gjashtë muajve kanë arritur të rivlersëojnë në bilancet e tyre familjare, pasuri të paluajtshme me një vlerë të shtuar gati mbi 1 miliard dollarë.

Po kështu, kam sjellë dhe një informacion, i cili mund të ketë qenë tymnajë dhe ju kërkojë ndjesë që nuk e kam bërë më parë këtë transparencë të këtij proçesi dhe të kësaj statistike. Dua të ndaj me ju dhe me qytetarët një shërbim të ri në interes të personave që bëjnë pjesë në kategorinë e ish-të përndjekurve politikë. Ne tashmë kemi bërë të mundur një shërbim të ri online përmes platformës e-albania, ku cdo I interesuar mund të marrë informacion në kohë reale mbi pagesat e përfituara përmes ndërveprimit online me sistemin e menaxhimit të pagesave, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në zyrat pranë Ministrisë së Financave, që do të jetë funksional brenda pak ditësh.

Ky është një investim shumë i madh për këtë kategori që janë të interesuar. Aksesi është shumë i theshtë, cdo individ ka llogarinë e tij personale e cila aksesohet duke shënuar numrin e kartës së Identitetit. Është një veprim i thjeshtë, që I lehtëson të gjithë të interesuarit brenda kësaj kategorie, pra tashmë nuk është më e nevojshme që qytetari të paraqitet në zyrat e Agjensisë së pagesave për të marrë vesh se cfarë ka ndodhur dhe cila ështe ecuria e pagesave për të apo familjarët e tij që përfitojnë në bazë të ligjit. Vetëm ata që kanë mungesa ose problematika me dosjet do të duhet të paraqiten pranë zyrave të Agjensisë së Pagesave.

Është bërë debat shumë i madh për këtë kategori, është përdorur madje edhe politikisht. Prandaj unë kam sjellë një krahasim dhe janë shifrat ato që tregojnë se cfarë vëmendje ka qeveria Rama ndaj kësaj kategorie, ashtu sikurse ndaj cdo kategorie tjetër.

Në vitet 2009-2013 janë dhënë 1.47 miliardë lekë, pra në katër vite qeveria e vjetër ka paguar rreth 14 milionë dollarë. Ne, gjatë 2014-2016 kemi paguar 4.79 miliardë lekë ose 47 milionë dollarë, pra më shumë se tre herë.

Këto shifra tregojnë drejtpërsëdrejti se cfarë vëmëndje kemi ndaj kësaj kategorie ne, që në emocionet politike të opozitës, të qeverisë së vjetër, I paskemi kthyer kurrizin kësaj shtrese. Grafiku tregon shumë qartë se kush ia ka kthyer kurrizin dhe kush është I vëmendshëm ndaj qytetarëve dhe familjeve të tyre që kanë vuajtur në regjimin komunist. Dhe mos harroni që kjo është qeveri që ka paguar të gjithë haraçet e qeverisë së vjetër, me detyrimet ndaj biznesit, me detyrimet ndaj investitorëve të huaj, me detyrimet ndaj kategorisë me aftësi të kufizuara, ndaj ish -të përndjekurve, ndaj ish –pronarëve dhe për këtë arsye unë mundohem që të bëjmë herë pas here trasparencë me njëri tjetrin në mënyrë që kur të dëgjoni bolorinë e krahasimeve emocionale në Kuvend, t’I referoheni kësaj statistike zyrtare, të certifikuar dhe të bëni krahasimet për të parë se ku qendron e vërteta, tek boloritë e fjalëve apo tek ky grafik që bën diferencë jo vetëm në shifra, por në vëmendje.

Ecuria e tregtisë së jashtme, konkretisht eksportet të analizuara me dhe pa efektin e mineraleve dhe lëndëve djegëse. Ka një rritje prej 10% të eksporteve në vitin 2016, pa mineralet, energjinë dhe lëndët djegëse, ju e dini shumë mirë që viti 2016 ka njohur rënien më të madhe të cmimit të kësaj kategorie (minerale, energji dhe lëndë djegëse), në referencë të cmimit global të naftës dhe automatiksht është reflektuar drejtpërsëdrejti edhe në vlerën e eksporteve të ekonomisë shqiptare. Po kështu në eksportet e janarit, ka një rimëkëmbje të cmimit të naftës dhe sigurisht ka influencuar edhe eksporti i energjisë elektrike, por unë sërish për të qenë korrekt, edhe këtu kam sjellë eksportet duke përjashtuar mineralet, energjinë dhe lëndët djegëse.

Në vite, eksportet pa mineralet, energjinë dhe lëndët djegëse kanë këtë ecuri shumë të mirë dhe besoj që ky do të jetë një vit ku cmimet e naftës do të kenë një rritje jo të pandjeshme gjithsesi në tregun botëror që do të reflektohen edhe në vlerën e eksporteve, por në të njëtën kohë kuptohet edhe marrëveshja me Bankers kryesisht qe ka pjesën dominante të naftës bruto, por edhe në tërësi marrëveshjet e tjera, sasitë do të vijnë duke u rritur edhe për shkak të investimeve në terren.

Për eksportet e janarit, ecuria nga viti 2011 deri më tani në shifra, është shumë e mirë, është një trend rritës i konsoliduar.

Importi për vitin 2016 dhe në krahasim me vitet parardhëse që nga 2011 - ka një trend shumë pozitiv të importit që reflektohet edhe në importin e makinerive dhe pajisjeve, edhe të investimeve të mëdha nëse doni, që do të vazhdojnë edhe këtë vit. Vetëm importi i makinerive dhe pajisjeve njeh një rritje 11.5% krahasuar me 12 mujorin 2015 dhe besoj që trendi do të vazhdojë të jetë i tille, në reflektim të tërheqjes së ekonomisë shqiptare, të investimeve të huaja por edhe të investimeve vendase në prodhim.

Një sqarim për fluksin e investimeve të huaja direkte, për atë konfuzion që krijohet ndonjëherë, besoj që viti 2016 do afrojë një rekord të ri prej gati 900 milionë euro, por do të duhet të presim shifrën zyrtare që do të dalë së shpejti nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e katërt. Ndërsa për tremujorin e tretë, rritja ka qenë 288 milionë euro dhe nëse ecim me mesataren e tremujoreve, besoj që në vitin 2016 do të kemi një rekord të ri të tërheqjes së investimeve të huaja.

Po kështu, një grafik i punuar nga Banka Botërore tregon krahasimisht ku jemi dhe ku kemi qenë në raport me veten tonë dhe me rajonin, në periudhën 1990-2014 dhe ku jemi në 2015. Mesatarja e IHD në 1990-2014 është më pak se 4.5% e PBB, rreth 4.2% - 4.3%. Jemi ngjitur në nivelin 9% të PBB në 2015, që është nga nivelet më të larta në grupin e trajtuar në këtë analizë të Bankës Botërore, dhe praktikisht të dytët në rajon pas Malit të Zi.

Po kështu për të “davaritur” të gjithë konfuzionin, por edhe për të qenë korrekt me të gjithë indekset që hidhen në treg, ju kam sjellë Indeksin e Lirisë Ekonomike nga Heritage Foundation. E keni parasysh sesi doli opozita e vjetëruar e qeverisë së vjetër me gëzim të madh ditën që u publikua Indeksi, që në gjykimin tim ishte në rastin më të mirë qendrim jo-korrekt dhe në rastin më të keq, qesharak.

Sepse duhet të fokusohemi tek kategorite, tek treguesit që e përbëjnë indeksin. Dhe nëse shihni, “business freedom”, liria e të bërit biznes, jemi 79.3 pikë nga 100, të dytët në rajon. Liria për investime (investment freedom) jemi 70 pikë nga 100, po të dytët sipas pikëve, lëmë pas shumë vende të rajonit. Tek tregtia, pra hapja e tregut, jemi të parët në rajon me 87.7 pikë dhe do të duhet të jemi në fakt edhe për shkak të filozofisë që kemi si qeveri, që nuk I referohemi në asnjë rast, qoftë proteksionizmit drejtpërsëdrejti, qoftë proteksionizmit indirect me barriera jo-tarifore. Në aspektin financiar (pra referuar lirisë së transaksioneve dhe operacioneve financiare) jemi sërish në një nivel shumë të lartë, të parët në krahasim me rajonin.

Nëse bëjmë një bazë krahasueshmërie të indeksit, arsyeja pse Shqipëria nuk referohet e para në rajon, është ndryshimi I metodologjisë dhe për ju që jeni gazetarë ekonomie dhe dëgjoni politikanë apo opinion-bërës të ndryshëm t’I referohen, krahasueshmëria është shumë e rëndësishme për të parë se cfarë komponenti I ri është shtuar në konsiderimin që bën Heritage Foundation për Lirinë Ekonomike. Në metodoligjinë e re janë shtuar dy komponentë, një nga të cilët është cilësia e sistemit gjyqësor dhe nga Heritage Foundation, me të drejtë, është vlerësuar me minimumin e pikëve, 28.5 pikë dhe kjo e ka zbritur renditjen e Shqipërisë në indeks, pra dua të kuptojmë pse ne si Parti Socialiste, si Aleancë, si qeveri, ngulim këmbë për domosdoshmërinë e reformës në Drejtësi dhe imagjinoni që një vend si Shqipëria që e ka lënë pas shumë e shumë ditë, muaj, vite mbrapa skenarin grek, ka një detyrë imediate për të bërë reformën në drejtësi si baza e të gjitha reformave të tjera. Dhe është shumë e rëndësishme, do të ishte korrekte nga kushdo që del dhe analizon të dhënat e Heritage Foundation, të ishte minimalisht korrekt me të dhënat dhe të thoshte që po, me metodoligjinë e re Shqipëria ka një zbritje në renditje për shkak të reformës në drejtësi dhe kur opozita doli në mënyrë jo-korrekte, do të duhet të thoshte që arsyeja është mungesa e reformës në drejtësi, por nuk e thonë, se nuk janë dakord me të.

Megjithatë unë doja të ndaja me ju në mënyrë korrekte, pse ne kemi këtë ndryshim, dhe pa atë ndryshim, do të ishim ndër të parët në rajon. Kjo është domosdoshmëria e avancimit të reformës në drejtësi dhe domosdoshmëria e fillimit të procesit të Vettingut.

Po I rikthehem një moment asaj që deklaroi FMN kur mbyllëm Programin teknikisht, sepse juridikisht e mbyllim më datë 24 Shkurt kur të mblidhet Bordi I FMN; “Ekonomia po përforcohet; rritja ekonomike mendohet të ketë arritur në 3.4% dhe do të përshpejtohet në 4% në afatmesëm, mbështetur nga investimet e huaja, rritja e kërkesës së brendshme, (e ndikuar kjo nga një sërë faktorësh si rritja e punësimit, rritja e të ardhurave, rritja e besimit në ekonomi etj, të gjitha ndikojnë drejtpërsëdrejti tek rritja e kërkesës).

Nuk bëri shumë zhurmë vlerësimi i Standard and Poor’s për ekonominë shqiptare. Ju e trajtuat me normalitet sepse keni prtishmëri më të larta për ekonominë shqiptare, por dua të dini që përtej këtij vlerësimi, ka një përpjekje madhore të një qeverie me reforma institucionale, ekonomike dhe strukturore, me një bësim dhe këmbëngulje për të vazhduar konsolidimin fiskal në favor të zhvillimit ekonomik. Pra, këtë vlerësim cdokush mund ta kalonte në heshtje, unë jo. Madje dhe qeveria që bën gjithë atë punë në funksion të këtij vlerësimi, e kalon në normalitet për arsye se për ne nuk është më lajm një vlerësim që vjen në referencë të drejtpërdrejtë të reformave. Do të ishtë cudi po të mos e kishim dhe është detyrim që të vazhdojmë me konsolidimin fiskal në mënyrë që të vazhdojmë shëndetshmërisht rritjen ekonomike, të shoqëruar domosdoshmërisht me uljen e borxhit, me rritjen e suficitit primar, me rritjen e balancës korrente, me rritjen e të ardhurave të disponueshme, të ecim me rritjen e punësimit, janë pjesë e drejtpërdrejtë, direkte dhe indirekte e përmirësimit të jetes së qytetarëve.

Prandaj do t’ju lutesha që sa herë dëgjoni bolorinë e fjalëve “jemi në krizë ekonomike”, t’I referoheni këtij dokumenti zyrtar të S&P, jo si mbështetje për qeverinë, por si davaritje e konfuzionit që vjen nga mosdija apo nga dashakeqja e qëllimshme nga ana e të konfuzuarve të qeverisë së vjetër.

Dua të ndaj me ju dhe një lajm tjetër, më në fund Projekt-Ligji “Për Pagesën me Kusht të Detyrimeve Tatimore dhe Fshirjen Pjesore të Gjobave” kalon nesër në Qeveri. Është një draft-ligj I punuar me shumë kujdes në gati 8 muaj, kemi marrë medime nga sipërmarrja, jemi konsultuar me FMN, kemi prekur pothuajse të gjithë ndjeshmëritë e shumë e shumë viteve të indivdëve dhe sipërmarrjes dhe do të jetë një ndihmë shumë e madhe për sipërmarrjen ky ligj, dhe unë besoj që shumë sipërmarrje do ta shfrytëzojnë ligjin në favor të formalizimit.

Detyrimet potenciale për t’u fshirë, janë në total rreth 90 miliardë lekë dhe e përsëris, kjo është një mundësi shumë  e mirë për sipërmarrjen që të formalizohet, por edhe buxheti i shtetit ka për të përfituar të ardhura nëpërmjet lehtësimit të pagesës së principalit, e shoqëruar me fshirje gjobash dhe interesash.

Dua të ndaj me ju një element të draftit. Para se të merrnim detyren në 2013, trashëguam një konflikt të pazgjidhshëm gati, me një kosto gati 210 milionë dollarë mes sipërmarrjes me nënkontraktorët e sektorit të naftës, për shkak të një arbitrariteti nga administrata e atëhershme (përfshirë AKBN), pra një faj I shtetit te atëhershëm, që I shkaktonte një dëm nënkontraktorëve në masën 210 milionë dollarë. Dhe kishte vetëm një zgjidhje, që t’I hidhnim në kurriz në mënyrë të padrejtë sipërmarrjes gjithë atë gabim të qeverisë së vjetër, unë sot besoj të qëllimtë madje. Megjithatë, ne gjetëm një zgjidhje shumë transparente, brenda draftit për ta cliruar nga ky ngërc këtë pjesë të sektorit dhe ai faj I administratës së vjetër, qoftë të tatimeve para 2013, apo AKNB para 2013 dhe besojmë që ka sjellë një lehtësi tek të gjithë ata që mund të prekeshin nga ajo masë arbitrare e ndërmarrë atëherë.

Faleminderit!

***

Pyetje nga gazetarët                                                             

  1. Z. Ministër cfarë vlerësoni se nuk është arritur të realizohet gjatë vitit 2016 sikurse e kishit planifikuar?

Ekonomia ka hyrë në një trend përshpejtimi dhe kur hyn në këtë trend sigurisht që objektivat në tërësi janë të gjithë të përmirësuar. Unë besoj që në krahasim me pritshmëritë që kanë qytetarët, kemi ende shumë për të bërë, ndërkohë për objektivat shumica e tyre janë arritur, por ka nevojë për shumë e shumë punë. Ka shumë elementë që do duhet të përmirësohen, një nga elementët është përshpejtimi i investimeve publike. Në vjeshtë të 2016 kemi ndërmarrë shumë ndryshime proçeduriale dhe unë shpresoj që ndryshimet përmirësuese, ndryshimet proçeduriale dhe monitorimi që do i bëhet nga Ministria e Financave dhe nga zyra e Kryeministrit, do ta përmirësojmë edhe këtë element. Pyetja juaj e dytë ishte për çmimin e gazit? Praktikisht rritja e çmimit reflekton në një masë të konsiderusehme ndyshimin e çmimit në tregun global, në gusht-shtator çmimi i gazit ka qenë në mos gabohem 289 dollar për metër kub, ndërsa në dhjetor çmimi shkoi 495 dollar në mos gabohem. Pra, kjo nuk ka lidhje me atë ndryshim të regjimit të një segmenti shumë të ngushtë të tregut, ka lidhje me çmimin e tregut ndërkombëtar dhe ne e monitorojmë nëpërmjet institucioneve tona tregun në vazhdimësi dhe fokusohemi nëse ka abuzim me çmimin. Deri tani çmimi ka qenë në referencë të tregut, të konsumit por sigurisht që kontrolli vazhdon.  

 2. Duke qenë se keni shpallur planet për projektet “1 Miliard euro”, deri tani çfarë kërkesash kanë ardhur pranë qeverisë për të investuar. Çfarë është duke ndodhur me negociatat e rrugës së Arbrit? Aeroporti i Vlorës u njoh nëpërmjet statusit të Kryeministrit në Facebook. A ka ndonjë plan konkret për t’u ndërtuar? Keni patur në programin e qeverisë një projekt që lidhet me binjakëzimin e drejtorisë së doganave dhe të tatimeve në një drejtori të vetme. Çfarë u bë me këtë plan?

Atëhere t’i referohemi paketës 1 miliard dollarë të PPP, e iniciuar nga Kryeministri. Me kënaqësi ndaj me ju që paketa që tani ka filluar të jetë e sukseshme, ka një interes të materializuar për rrugën e Arbrit pjesë e paketës, nga një kompani e cila është në proçes të avancuar të vlerësimit të fizibilitetit dhe do t’i nënshtrohet formulës që ne kemi parashtruar për projektin 1 miliard. Ka kërkesë për disa segmente në jug, madje një apo dy prej tyre kanë ardhur dhe në formatin ligjor, besoj në Ministrinë  e Transportit patjetër, por edhe në Ministrinë e Financave, njëra prej tyre ka ardhur në formatin ligjor të plotë. Ka një interes për dy tre segmente të tjera. Ka një kërkesë të materializuar në formatin ligjor për rikonstruksion dhe ndërtim shkollash në Bashkinë e Tiranës, që do bëhet besoj nëpërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit patjetër, po brenda paketës, pra paketa po funksionon. Dua ta theksoj që paketa si një koncept teknik dhe ekonomik është jashtëzakonisht i maturuar, i menduar mirë, duke marrë parasysh dhe konsolidimin fiskal. Ka një ekuilibër shumë të maturuar midis domosdoshmërisë për të investuar dhe domosdoshmërisë për të ulur borxhin publik, dhe për të mbajtur parametrat makrofiskalë në objektiv. Ka një interes të drejtpërdrejtë për Aeroportin e Vlorës dhe ajo që ka bërë me dije Kryeministri është në referencë e dickaje shumë konkrete, sigurisht kur të kemi detaje për t’i ndarë, do t’i ndajmë drejtpërsëdrejti më ju.

Në lidhje me pyetjen e dytë, ne po konsultohemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, personalisht do të shprehesha shumë i kujdesshëm, është bërë edhe në Kosovë, ka gati tre vite e gjysëm që ka filluar ky proçes, dhe nuk ka mbaruar akoma. Duhet të ketë një analizë midis të mirave dhe të këqijave nëse mund ta quaj kështu për referencë, pra do një analizë të qartë të përfitimeve që do të kemi, personalisht qëndroj akoma skeptik deri kur të shoh një analizë të thellë të procesit konkret.

 3. Z. Ministër ashtu siç e treguat dhe ju nëpërmjet grafikëve tuaj, ekonomia ka kaluar në dy raunde relativisht të ashpra ndërmjet viteve 2014-2015, tani që ka përfunduar dhe marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, mendoni se ka ardhur koha për një ofertë të re fiskale që do të ndihmonte në rimëkëmbjen e ekonomisë? A keni ndonjë koment për platformën fiskale dhe programin ekonomik të shpallë nga opozita?

Marrëveshja me Fondin, mbaron njëra fazë me datë 24 por ne vazhdojmë të monitorohemi ngushtësisht nga Fondi, madje ju jeni shumë i kujdesshëm në detaje dhe besoj keni lexuar letrën e angazhimit te qeverisë shqiptare, ku ne monitorohemi me detaje qoftë me shpenzimet, qoftë me balancën primare që ju e kuptoni shumë mirë çfarë do të thotë kjo, qoftë dhe me rregullat e rrepta të ligjit organik të buxhetit. Unë besoj që ne kemi një ofertë fiskale shumë të mirë, transparente që ka treguar se ka sukses, pra në ofertën fiskale që ne kemi ofruar, jemi rritur me 3.4% dhe besojmë që kemi patur një balancë shumë të kujdesshme, shumë të maturuar midis stimujve dhe konsolidimit. Unë besoj që kemi ditur t’i arrijmë stimujt, taksa progresive ka qenë një stimul ekselent i konsumit dhe i rritjes së të ardhurave të disponueshme të 97% të punësuarve. Pra, ka qenë një stimul fiskal në një moment shumë të vështirë dhe të rëndësishëm ekonomik, dhe sot studimet më të thella shkencore tregojnë se taksa progresive është një instrument shumë i drejtpërdrejtë, shumë i efektshëm i rishpërndarjes. Rritja e investimeve të huaja, rritja e investimeve të vendit, tregon që oferta fiskale është e mirë. Ajo që unë besoj se duhet të bëjmë, duhet të konsolidojmë sistemin nga ana e administrimit dhe duhet të mos kemi ndryshime në regjime të shpeshta. Besoj kjo do sjellë një qëndrueshmëri qoftë në administratë, qoftë psikologjike në aktorët ekonomikë.

Përsa i përket ofertës, paketës së opozitës, dua t’ju përcjell se çfarë ndodh me borxhin, me detyrimet e qeverisë për të dalë në treg për të blerë para. Kam bërë një analizë shumë korrekte, për hir të së vërtetës, mbi gjykimin tim personal dhe jam treguar shumë konservator duke e parë në dinamikë, pra jo statike, që do të thotë që kam qenë pak më i butë se cfarë do ishte një politikan në kahun e kundërt të forcës politike.

Është shkatërrim! E kthen në falimentim! Është qesharake, tallje. Të dalësh me atë projekt është tallje, është të tallesh me shqiptarët. Po ju tregoj një grafik për deficitin, që në vitin e parë kalon në minus -8%, një çmenduri. Defiçiti kalon në minus 8%.

Po mund të thoshte një kokëfortë në anën tjetër “dua ta bëj”. Po mirë, bëje, po e di sa duhet të blesh në treg? N.q.s ne kemi arritur në minimumin historik të borxh-marrjes neto me 21 miliard apo rreth 210 milion dollarë, e dini sa do duhet të blesh në treg? 1.3 miliard dollarë huamarrje neto. Ku do t’i gjejnë? Kjo është tallje me qytetarët.

Dhe ajo që është më e rëndë në këndvështrimin tim, është oferta për kthimin e taksës së sheshtë. Kthimi i taksës së sheshtë është njësoj sikur t’u marrësh qytetarve nga xhepat vit pas viti minimalisht 110 -120 milion dollarë. Kush voton për taksën e sheshtë, çdo qytetar që voton për taksën e sheshtë, voton që të heqë nga xhepi i vet 120 milion dollar në vit dhe t’ia japë këtyre që të çojnë defiçitin -8%, dhe që të çojnë borxhin në dinamikë 80%.

Imagjinoni çfarë risku ka Shqipëria në tregun ndërkombëtar; ku do ta gjejë financimin? Se është kollaj të rrisim borxhin, po kush e financon?! Dhe këta që e kanë copëtuar borxhin, tani vijnë me një paketë që përvecse ju marrin qytetarëve drejtpërsëdrejti me taksën e sheshtë 110-120 milionë dollarë, kërkon ta vtojnë qytetarët që të vijë ky dhe të bëjë “medemek” një rrugë kombi me 1.5 miliard dollar që nuk mbaron akoma, që vendi të zhytet dyfish në borxh dhe qytetarët të mbajnë në kurriz borxhin e tij. Pse?! Sepse do të vijë ky në pushtet me zor, me çdo kusht, se ka tre vjet ne opozitë dhe tani e ka kapur ngërçi dhe adrenalina e pushtetit nuk i ikën dot dhe do të vijë me këto oferta, me 80% borxh, me 8% minus deficit apo me 120 milion dollarë që t’ua marrë qytetarëve. Besoj që duhet ta kisha shmangur debatin për paketën e opozitës, por e meriton një vëmendje. Unë i kam kushtuar vëmendje, më takon t’i kushtoj, ajo që është profesionale është profesionale, çmenduria është çmenduri.

 

4. Z. Ministër, jemi në vit zgjedhor dhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet, dhe besoj ka një analizë si do të ndikojnë zgjedhjet në ekonominë e vendit. E dyta, në një rast hipotetik që të realizohet kërkesa e opozitës cili do të ishte ndikimi në buxhet dhe në ekonominë e brendshme?

Zgjedhjet kanë ndikimin e tyre në mire-funksionimin e institucioneve të mbledhjes së të ardhurave dhe i gjithë fokusi im është atje, i përditshëm madje, që të kemi një mireadministrim dhe të mos devijojmë nga objektivat që kemi. Ky është angazhimi i vetëm, pjesa tjetër është utopi. Besoj që rritja ekonomike do të vazhdojë me 3.7- 3.8%. Në natyrshmërinë e tyre zgjedhjet kanë influencën e tyre në ekonomi, por zgjedhje normale, qytetare, nuk ndikojnë aspak. Sigurisht që në Shqipëri zgjedhjet kanë emocionet e tyre dhe emocionet parazgjedhore por unë beosj që do të kemi një vit normal pozitiv ekonomik.

Pjes tjetër e theksoj është utopi. Cdo qytetar ka të drejtën e vet të jetë i kënaqur ose i pakënaqur, qoftë demokrat, qoftë socialist. Në respekt të gjithçkaje që ndodh, unë e ndaj demokratin që në të drejtën e vet del për të shprehur të drejtën e vet apo çdo lloj pakënaqësie që ka, dhe diferencoj pastaj grupin, organizatorët që manipulojnë dhe që tallen me njerëzit e tyre, sepse i ka kapur etja për të ardhur në pushtet. Të gjithë jemi për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 5.Së pari, duke patur parasysh që jeni në një vit zgjedhor, a mendoni se në këtë periudhë nuk do të ketë realizim të investimeve dhe sa u realizuan në 2016? Duke iu referuar ligjit të faljes së detyrimeve, ju erdhët në fillim të qeverisjes me një ton të ashpër për luftën kundër informalitetit. A do të ndikoj kjo negativisht tek ato biznese por edhe te ata qytetarë të ndershëm?

Një përgjigje e drejtpërdrejt, absolutisht jo. Qytetarët dh aktorët ekonomike kanë kuptuar që ne jemi shumë seriozë në luftën kundër informalitetit. Lufta kundër informalitetit është e gjatë jo një ditëshe, nuk është se ka një sukses dhe e mbyllëm, ka suksese, ka dështimë, ka vështirësi, ama do këmbëngulje dhe do vazhdueshmëri. Sigurisht që në këtë frymë, ligji që ne ofrojmë për lehtësimin e pagesave dhe për fshirjen e detyrimeve, do ofroje një instrument shumë të mire formalizimi dhe unë e besoj. Për investimet besoj që do duhet të bëjmë më shumë se në 2016 në monitorimin e tyre.

 6.A i keni dorëzuar qeverisë një përllogaritje për rritjen e pagave dhe pensioneve? 

Shuma e rritjes së pagave dhe pensioneve është pjesë e buxhetit 2017, me një vlerë 2.6 miliard për periudhën dhe rreth 3 miliard për vjetorin. Fillon me 2 mars për dijeni pensioni I rritur dhe nesër në qeveri kalon edhe vendimi shoqërues I rritjes së pensioneve.

Faleminderit.