Ratifikimi i huasë me FMN

Shqipëria është duke u përballur me sfida serioze ekonomike. Ritmi i rritjes së ekonomisë është ngadalësuar ndjeshëm nga viti në vit. Nga një rritje ekonomike me rritje mesatare 6 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 arriti me  -2.6 %. Kriza financiare globale nuk u trajtua me kujdesin e duhur, duke mos pasur një ide të qartë të kohëzgjatjes së saj dhe mënyrat e transmetimit në ekonominë e vendit. Ngadalësimi në ekonomi së bashku me zgjedhjet e përgjithshme në Qershor 2013, e  çuan qeverinë e kaluar të kalonte në një strategji agresive të ekspasionit fiskal, pa iu përshtatur mundësive reale të buxhetit. 

 

Në pamundësi për t’iu përgjigjur shpenzimeve të larta, në kushtet e mungesës së lartë të përgjegjësisë nga ana e qeverisë,u akumuluan qindra fatura të papaguara. Rreth 6% e GDP ishte borxh i fshehur dhe bashkë me të, borxhi publik në total shkoi në rreth 70%. Pjesa më e madhe e pagesave të prapambetura ishin investime publike, por dhe shpenzime në arsim, shëndetësi, vonesa të gjata në kompensime të TVSH dhe në pagesat e taksës mbi fitimet.

E gjendur përballë këtij realiteti qeveria shqiptare iu drejtua dhe arriti një marrëveshje me FMN-në dhe Bankën Botërore. Duke plotësuar 22 parakushte, Shqipëria  arriti të marrë një hua pa kushte, me terma tepër të buta dhe favorshme, të pakrahasueshme me disa hua të nënshkruara nga qeveria e mëparshme, siç ishte p.sh kredia sindakale prej 192 milionë euro me komision interesi rreth 13%. Ratifikimi i saj u bë me ligjin nr. 33, datë 3.4.2014.

Huaja vjen si mbështetje e synimit të qeverisë shqiptare për: konsolidimin fiskal;  parandalimin dhe likuidimin e pagesave të prapambetura, si dhe ruajtjen e stabilitetit të sektorit financiar.  Çka mes të tjerash do të sjelli rritje të sigurisë së investimeve, rritje të besueshmërisë së vendit, injektim likuiditeti tek bizneset, ulje të nivelit të kredive të këqija dhe ulje të kostove të bizneseve.  

Huaja e FMN vjen si mbështetje për programin e fuqishëm dhe ambicioz reformash të propozuara nga qeveria shqiptare, që synojnë pakësim të problemeve ekonomike dhe nxitje të rimëkëmbjes ekonomike.

 

Termat e huasë

Shuma e Huasë 295,420,000 (dyqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet mijë) SDR . Norma e Interesit është e lidhur me normën e interesit për SDR, që aktualisht është 1.13 %. Ky interes do të paguhet për shumën e kredisë së tërhequr dhe të pa shlyer deri në masën 180,000,000 SDR (që përbën 300% të kuotës së anëtarësisë).

Për pjesën e huasë të tërhequr dhe të pashlyer mbi shumën e mësipërme, aplikohet një interes i barabartë me normën bazë + 200 bp. Në rastet kur shuma e kredisë së tërhequr dhe të pashlyer kalon vlerën 180,000,000 SDR për një periudhe mbi tre vjet, norma shtesë që aplikohet mbi normën bazë të referencës rritet në 300 bp.

 Komisioni i Angazhimit, aplikohet në çdo fillim periudhe 12-mujore nga data e aprovimit të huasë në Bordin e FMN-së, mbi shumat që parashikohet të tërhiqen gjatë kësaj periudhe. Norma e këtij komisioni është 15 bp (0.15%) për shuma të angazhuara që nuk e kalojnë vlerën prej 120,000,000 SDR (që përbën 200 % të kuotave të anëtarësisë së Shqipërisë në FMN), ndërsa për shuma të angazhuara që e kalojnë këtë vlerë norma e komisionit rritet në 30 bp (0.3%).  Ky komision i rimbursohet vendit në rast se tërhiqet e gjithë shuma e huasë së angazhuar brenda afatit të parashikuar.  Komisioni i Shërbimit, aplikohet mbi çdo shumë që tërhiqet nga huaja dhe është ne masën 50 bp (0.5%).  Maturimi i Huasë është 13 vjet dhe përfshin një grace-periode prej 4 vjetësh.  

 

 

Termat e Kredisë

 

Relacioni i projektligjit për ratifikimin e huas 331 milionë euro

 

Memorandumi i Politikave Ekonomike dhe Financiare