Tatimi mbi Fitimin

Të gjitha kompanitë (të huaja ose jo), që janë të regjistruara në regjistrin tregtar dhe paguajnë TVSH, janë subjekt i tatimit mbi fitimin.

Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit vetëm për të ardhurat e gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Një person juridik konsiderohet rezident në Shqipëri, nëse:

  1. ai ka një vendbanim të përhershëm (zyrat qendrore) në Republikën e Shqipërisë;
  2. ai ka një qendër efektive të menaxhimit të biznesit në Republikën e Shqipërisë
    Norma e tatimit mbi fitimin është 15 %.

Fitimi i tatueshëm për periudhën tatimore përcaktohet në bazë të bilancit dhe shtojcave të tij, të cilat duhet të jenë në përputhje me ligjin "Për kontabilitetin", me dispozitat e këtij ligji, si dhe me aktet nënligjore të nxjerra nga Ministria e Financave për këtë qëllim.

Në mënyrë që të përcaktohet fitimi i tatueshëm në Republikën e Shqipërisë, konsiderohen si shpenzime të gjitha shpenzimet e kryera për të planifikuar, mbajtur dhe siguruar fitim, në rastin kur këto shpenzime janë të certifikuara dhe të dokumentuara nga tatimpaguesi, si dhe kur ato u nënshtrohen kufizimeve të specifikuara nga ky ligj.

Shpenzimet e njohura janë ato që kryhen për qëllime të biznesit, që synojnë sigurimin dhe ruajtjen e të ardhurave. Këtu hyjnë të gjitha shpenzimet, përjashtuar ato që kanë të bëjnë me formimin dhe rritjen e kapitalit. Kushtet për njohjen e shpenzimeve:

  • të jenë kryer në interes të drejtpërdrejtë të veprimtarisë ekonomike prej së cilës realizohen të ardhurat ose të jenë të lidhura me drejtimin normal të aktivitetit të tatimpaguesit;
  • të jenë kryer ose të jenë përballuar efektivisht dhe të jenë të mbështetur në dokumente justifikuese të njohura ligjërisht;
  • të jenë pasqyruar nëpërmjet një veprimi kontabël duke pakësuar aktivet neto;
  • në çdo rast shpenzimet duhet të jenë të provuara nga tatimpaguesit me dokumentacionin përkatës ligjor.

Dokumentet bazë që përdoren për të justifikuar shpenzimet për efekt tatimor janë: fatura tatimore me TVSH, fatura e thjeshtë tatimore dhe çdo dokument tjetër i përpiluar dhe lëshuar në përputhje me udhëzimet e ministrit të Financave, në zbatim të legjislacionit tatimor.