Postuar më: 04/01/2019

2016-2018, sfidat dhe arritjet kryesore në rrugën e ringritjes ekonomike, konsolidimit fiskal, reformave dhe mbështetjes sociale!

Fjala e Ministrit Ahmetaj në prezantimin e zhvillimeve kryesore ekonomike 2016-2018

 

Përshëndetje!

Faleminderit që keni ardhur!

Kemi një traditë të vjetër të ndarjes me publikun dhe median të të dhënave ekonomike, por sigurisht, duke qenë që kemi dy ngjarje të mëdha: mbylljen e vitit fiskal të vitit 2018 dhe ndryshimet në Kabinet, sigurisht që më takon të bëj një përmbledhje të plotë të vitit 2018, por jo vetëm, do të kthehem mbrapsh në retrospektivë, për t’i kujtuar medias, qytetarëve dhe kujtdo tjetër se nga kemi ardhur dhe ku kemi arritur për shkak të reformave.

Pikë së pari, është ecuria makroekonomike meqë është dhe detyrim i parë ligjor i kësaj ministrie që unë kam drejtuar prej tre vitesh. Dua t`ju kujtoj grafikun që s’duhet ta harrojmë kurrë kur diskutojmë se çfarë ka bërë një qeveri dhe çfarë kemi bërë ne si ministri.

Shikoni vitin 2013-të që metaforikisht do ta quaja si “lugina e errët e ekonomisë shqiptare”, me një rritje statistikore 1%. Siç e shikoni, 9-mujori i vitit 2018 është me rritje 4.35% dhe tremujori i tretë i vitit 2018-të është 4.45%, që është më i larti në rajon, rritja ekonomike më e lartë në rajon.

Fillojnë diskutimet se çfarë janë këto shifra? Kam parë analistë që nuk kanë lidhje fare me ekonominë, ç’janë këto shifra? Nga dolën? I ftoj ta marrin këtë prezantim, ta sfidojnë me të gjitha kërkimet personale ose në grup, për të parë se çfarë do të thotë rritje 4.5%.

Shihni të dhënat dhe hajdeni të bëjmë debat se sa mirë apo sa keq shkoi ekonomia! Të dhënat nuk i sfidoni dot! Janë vende pune, vende pune reale në ekonominë reale dhe në tre vitet e fundit, 2016, 2017, 2018, punësimi është rritur me 10.7%. Jemi me papunësinë 12.2%, është më e ulëta në shumë e shumë vite në fakt dhe pjesëmarrja në forcat e punës po arrin në 60%. Të gjithë “analistët”, të gjithë ata që duan të bëjnë llum punën, që e bazojnë vlerësimin në emocione dhe në virtualite negative, t’i referohen shifrave dhe përtej shifrave, ka mendje, zemra, fytyra dhe kryefamiljarë e familjarë që shkojnë në punë çdo mëngjes. Ata nuk i mohoni dot.

Unë jam dakord me logjikën e Kryeministrit, në mënyrën e të prezantuarit të shifrave që “nuk është mjaft”. Asnjëherë nuk është mjaft! Gara me pritshmërinë e një vendi është luks të humbet. Pse? Sepse pritshmëria është shtysa kryesore për një forcë politike apo për forcat politike për të bërë reforma. Gara më pritshmërinë nuk është një garë që e fiton qeveria, apo njeriu. Gara me pritshmërinë qëndron si promotor i reformave ekonomike, institucionale apo edhe strukturore.

Ja shifrat, shifrat janë kokëforte, pavarësisht se në banaqet e zakonshme dilet e thuhet: “ku janë investimet e huaja”; “Ku janë punësimet”? Ja ku i keni, prekini! Po dolët përtej banaqeve siç kam dalë unë këto 5 vite në terrenin ekonomik, siç ka dalë qeveria, siç kanë dalë qytetarët apo siç kanë dalë edhe gazetarë të zotë siç ka shumë këtu, mund t’i dalloni, mund t’i prekni. Numrat janë zemra, mendje, fytyra, kryefamiljarë, familjarë që në këto vite kanë gjetur një punë për shkak të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Sot kemi 684,614 të punësuar në sektorin jo-bujqësor. Pra, është një rritje prej 234,019  më shumë të punësuar, në sektorin jo-bujqësor dhe 262 mijë në total të punësuar të rinj; 31,750 më shumë të punësuar që nga shtatori 2017.

Konsumi final i popullatës, se luajnë me emocionet e shqiptarëve. Patjetër që Shqipëria nuk është një vend i pasur, patjetër që ka shumë për të bërë, patjetër që kemi shumë për të luftuar varfërinë, por e kemi lënë mbrapa vitin 2013, edhe 2015-ën si një vit i vështirë, ku korrektimi ekonomik sigurisht ishte i ngarkuar. Konsumi final i populates, për ta thënë ndryshe për qytetarët, konsumi i përditshëm, ka ardhur duke u rritur dhe po ta shikoni 9 mujorin e vitit 2018, është më i larti. E kam sjellë që nga viti 2010, pra në gati 8 vite, është më i larti.

Për inflacionin nuk do ndaloj se jeni shumë të qartë.

Do t`ju lutesha të fiksonit grafikun e borxhit publik dhe ta mbani mend në sy që ky është një grafik që ka bërë diferencë për jetën e qytetarëve. Këtu të sulen analistët, po të dojë edhe opozita, por besoj opozita do të na falenderojë. Sot, borxhi publik neto është 63.6% në fund të dhjetorit 2018. Borxhi publik sot është gati pak më pak se 10% më i ulët se ditën që e kemi marrë. Unë personalisht këtë e kam krenari politike, profesionale dhe personale! Borxhi publik sot neto është 63.6% dhe po ju them ju si gazetarë që këtë vit kemi mundësi që të ngjitemi në vlerësim nga ana e kompanive që bëjnë vlerësimin e ekonomisë shqiptare për shkak edhe të uljes së borxhit.

Borxhi bruto, për shkak të parave që kemi në llogari nga Eurobondi është 66% që edhe sikur të ishte vetëm kjo shifër, do ishte shumë e ulët në krahasim me çfarë e morëm. Unë besoj se ulja e borxhit do të vazhdojë, se është detyrë patriotike.

Ndërkohë balanca primare është rekord. Më 31.12.2018 balanca primare është 0.7%. Për qytetarët do të thotë që Qeveria Rama 2 nuk krijoi borxh të ri, por shërbeu borxhin e vjetër, pra i lehtësoi qytetarët nga borxhi. Unë personalisht jam krenar edhe për këtë shifër, e cila nuk është shifër, është reformë!

Për normat e interesit nuk po ju flas sepse do të vij tek Eurobondi, që është besoj domethënia më e madhe dhe çertifikimi më i drejtëpërdrejtë që i bën tregu ndërkombëtar ekonomisë shqiptare.

Përqendrohemi tek grafiku që e ka nxjerrë Banka Botërore para 4 viteve dhe po të shihni grafikun, në njërën anë është se ku do të ishte Shqipëria pa reforma dhe në anën tjetër ku është Shqipëria me reforma. Ky është një grafik historik i Bankës Botërore. Po të ishim të papërgjegjshëm, Shqipëria do të ishte me borxh të lartë, pa reforma, por ja ku jemi me reforma. Kjo është një statistikë e rëndësishme që ka shumë shpirt brenda, ka shumë punë brenda, patjetër që ka shumë punë për të bërë por tani trajektorja rënëse e të gjitha risqeve është domethënëse, e konsoliduar, detyrë patriotike për ta vazhduar.

Ndërkohë, diskutuam për të ardhurat. Në 5 vite mblodhëm 1.2 miliardë dollarë më shumë sesa momenti që e morëm. E mbani mend Saliun që thoshte në 5 vite 500 milionë? 1.2 miliardë dollarë më shumë ka mbledhur Qeveria Rama 1 dhe Rama 2 dhe besoj që do të vazhdojë të rritet. Sigurisht që puna nuk ka fund, por unë në momentin tim personal, kam kënaqësi që e ndaj me ju dhe me qytetarët këtë shifër. Ka bërë të mundur të zgjerohemi në investime.

E keni dëgjuar debatin për investimet e huaja, “s’ka investime të huaja”, “kanë ikur investitorët e huaj” etj, që kur i dëgjoj ndonjëherë nëpër banaqe, se opozitën e kuptoj, ka gjetur mënyrën e gabuar për të bërë betejën e vet, por pseudo-analistët as nuk i gjykoj dhe as i paragjykoj por dua t`iu them “ja ku i keni investimet e huaja” dhe TAP-i dhe Devolli janë në fund të investimeve, kanë bërë investime minimale, e megjithatë 9 mujori i vitit 2018 është 757 milionë euro, rekord, dhe ky vit do të shënojë rekord. Viti 2018 do të shënojë rekord me gati 1 miliardë euro investime të huaja dhe debati pastaj se “ku janë investimet e huaja”, jo TAP-i, jo Devolli, u bënë qesharakë, po sigurisht që secili mban në kurriz atë që mban dhe i takon të mbajë.

Po sot e dëgjuat opozitën për bizneset? Jo falimentuan, jo s`falimentuan! Janë 11,123 biznese të reja neto në vitin 2018 dhe në tre vitet e fundit 2016-2017-2018, janë 38 mijë biznese të reja neto. Ju kam sjellë një shifër shumë interesante që ka të bëjë me fitimin e kompanive.

Në vitin 2014, fitimi i kompanive ishte 160 miliardë lekë; Në vitin 2017 (sepse nuk kanë dalë akoma rezultatet e vitit 2018) është 196 miliardë lekë, pra çdo vit rritet fitimi i kompanive me nga 10% dhe ju që jeni gazetarë ekonomie, ju lutem, kur diskutoni me sipërmarrjet, këto shifra duhet t’i kemi me vete, pastaj me politikën është puna juaj. Por me sipërmarrjet që praktikisht kanë xhiron dhe fitimin më të lartë vit pas viti, kjo është domethënëse, për të treguar që ekonomia sigurisht që nuk është e mjaftueshme kurrë, por ekonomia ka 5 vite vetëm rritje.

Sigurisht që logjika e Kryeministrit është e drejtë, që është e pamjaftueshme, por pa imagjinojeni të kundërtën, nëse të gjithë grafikët do ishin përkeqësuar. Imagjinoni sikur nuk do të kishte 38 mijë biznese të reja, por të kishim 38 mijë biznese më pak?! Nuk do të kishim fituar 2 miliardë dollar, por do kishim humbur 2 miliardë dollarë, siç ka ndodhur rëndom në shumë vende rreth e rrotull.

Shikoni sa janë rritur rimbursimet e TVSH-së nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për të kuptuar që megjithëse morëm një ngarkesë shumë të madhe nga deklarimi i menjëhershëm i TAP-it dhe i tre apo kaëtr projekteve të mëdha energjitike, sërish kemi rritur kreditimin.

Kredia me probleme është në nivelet më të ulëta që në vitin 2014, pra është në 12.7% nga 25% që ka qenë.

Përsa i përket eksporteve, eksportet rriten konsiderueshëm në 11 mujor, 15%. Nga erdhi euro? Nga erdhi euro? Janë fondamentet ekonomike!

Është rritur ekonomia, është fuqizuar dhe sipërmarrja vendase. Janë rritur eksportet. Janë rritur shërbimet. Eksporti i shërbimeve dhe turizmi, kjo është arsyeja pse është forcuar leku. Pra në reference, është fondamenti i qeverisë. E njëjta gjë, vetëm makineritë dhe pajisjet tek importet rritja është 7.5%, vetëm makineritë dhe pajisjet. Pse e theksoj makineritë dhe pajisjet? Të gjitha futen në xhiron e prodhimit.

Nismat kryesore përsa i përket reformave, që shënuan këta tre vite në Ministrinë e Financave. Dua t’i kaloj shumë shpejt. Viti 2016, është beteja Anti-informalitet. Është Ligji i Thjeshtësimit të Proçedurave Tatimore dhe Doganore që bëmë së bashku. Është Ligji Organik i Buxhetit, një diferencë serioze nga menaxhimi i financave publike më parë. Ligji për Financat Vendore.

Viti 2017, është buxheti i rritjes së pagave dhe konkludimit të suksesshëm të marrëveshjes me FMN në këto tre vite. Mos harroni që ne mbyllëm me sukses një marrëveshje të vështirë, të domosdoshme, por që e mbani mend çfarë thoshim para katër vitesh “fillojmë reformat tani, sepse reformat do paguajnë mbrapsht pozitivisht”. Ja ku po paguajnë mbrapsht pozitivisht. Sfida e kësaj qeverie në këndvështrimin tim personal, është vala e dytë e reformave, jo vetëm për të mbajtur ritmin, por për ta përshpejtuar ritmin. Unë jam i bindur që ritmi do jetë dy-fish i përshpejtuar.

Po në 2017, dua t’ju kujtoj ritjen më të madhe të pagave, 100 milionë dollarë, nuk është bërë asnjëherë. 100 milionë dollarë rritje pagash, nuk është bërë asnjëherë dhe sigurisht që kemi një sërë uljesh të ngarkesës fiskale, të cilat do t’i detajojmë në vijim.

2018 ka qenë një vit i rëndësishëm, i ngarkuar pune, i vështirë, shumë i suksesshëm në këndvështrimin tim të paktën. Kemi vlerësimin në qendër në doganë; pagesat në tatime tërësisht online; kadastra fiskale që hyri në 1 Prill; për biznesin e vogël, ulja e pragut për deklarimin e TVSH-së në 2 milionë; Ligji për Strehimin Social; Ligji për Sistemin Fiskal në Hidrokarbure që është në proçes; Ligji për Investimet Strategjike; Ligji për Ish- të Përndjekurit, shumë shpejt do të firmos me kënaqësi dhe me krenari këstin e dhjetë për ish- të përndjekurit; Ligji për Nxitjen e Punësimit; Ligji për Trajtimin Financiar të Minatorëve, Naftëtarëve e Metalurgëve; Ligji për PPP ku kufizohet oferta e pakërkuar; rritja e pagës minimale; Reforma e rikualifikimeve; Fiskalizimi; Marrëveshja doganore me Kosovën në portin e Durrësit; dy paketa të rëndësishme fiskale, të cilat do t’i kaloj më vonë; dy Akte Normative të buxhetit të vitit 2019, pra një vit shumë i ngarkuar, por shumë i suksesshëm.

Tek Eurobondi dua të ndaloj pak. Besoj që tani duket sikur merret e mirëqënë, sespe sigurisht që kështu është dhe natyra njerëzore që kur kalon në vështirësi, tenton të harrojë dhe kur ka një sukses, nuk i bën përshtypje. Unë besoj që Eurobondi i vitit 2018 është një piketë shumë e fortë për ekonominë shqiptare. Në krahasim me dy Eurobondet e mëparshme, interesi është shumë më i ulët, maturiteti është 7- vjeçar, pra një profil i ri borxhi. 500 milionë ka qenë vlera Benchmark, u tregtua në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Kompozimi i investitorëve është shumë cilësor, unë kam sjellë shembuj shumë interesant. Pra, fonde të pensioneve si vendet nordike kanë blerë letra me vlerë të qeverisë shqiptare, Eurobond të qeverisë shqiptare. Kursimi është serioz, të paktën 37.5 milionë euro për 7 vite nga blerja mbrapsht e borxhit ekzistues. Të paktën 10 miliardë lekë dhe 85 milionë dollarë çdo vit nga mos-rritja e normave të interesit të borxhit të brendshëm. Besoj që është shumë e rëndësishme të shikoni edhe krahasimin me rajonin, ndërkohë që, ne jemi akoma në nivel vlerësimi B. Pra, kini parasysh që me një vlerësim me shkallë më të ulët, kemi arritur rezultat të njëjtë ose më të mirë sesa vendet e tjera. Ja, shikojeni dhe Maqedoninë dhe Malin e Zi, besoj është një grafik mjaft domethënës.

Siç ju thashë për shkak të rezultatit të vitit 2018 që është një rezultat domethënës, i kemi të gjitha shanset që S&P dhe Moody’s që janë agjencitë që bëjnë vlerësimin e ekonomisë shqiptare, kanë të gjitha referencat pozitive për të na rritur në vlerësim.

Taksa e pronës ka qenë një projekt shumë i rëndësishëm në favor të qytetarëve dhe në favor të pushtetit vendor. Sigurisht që nga 1 Janari metodologjia e re është konsoliduar në të 61 njësitë vendore.

Ndërkohë, kam një narrativë shumë të gjatë për uljen e taksave. Në vitin 2016, zero taksë biznesit të vogël me qarkullim 0 deri në 5 milionë dhe 5% taksë për bizneset me qarkullim 5 deri në 8 milionë. Në vitin 2017, ulja e rentës nga 4 në 3. Akciza e duhanit të prodhimit vendas nga 4,400 lekë/ kg në 2,500 lekë/kg. TVSH 6% për strukturat akomoduese, dhe lehtësimi I proçedurave gjithashtu.

Në vitin 2018 kemi incentiva për kompanitë ICT, 5% tatim fitimi dhe përjashtim nga TVSH të tre kategorive të pajisjeve të ndryshme të IT. Incentiva për turizmin, përjashtimi nga tatimi për fitimin korporativ për 10 vjet hotelet me 4 dhe 5 yje me status special, TVSH 6% për furnizimin e shërbimeve në strukturat akomoduese me 5 yje, përjashtimi nga taksa në ndikimin e infrastrukturës për hotelet me 5 yje status special.

Lehtësi për sektorin e peshkimit, që në fakt tani po njeh lulzim tashmë. Përjashtimi nga TVSH e 52 kategorive e pajisjeve dhe mjeteve të peshkimit. Sërish tatimi mbi të ardhurat 5%, tashmë për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë. Sot isha me Kryeministrin në një sipërmarrje, ku sipërmarrësi dha shembull konkret tha: “unë e kam 100 milionë lekë të vjetra xhiron dhe paguaj 15 milionë”, pra sipas të dhënave që ai dha vetë tani do paguajë 1/3, por gjithësesi nuk është ky thelbi i shifrave, thelbi është tek efekti që ka në lehtësimin e barrës fiskale.

Në agroturizëm kemi fitim korporativ të ulur, pra tatim fitimin nga 15% në 5 %; përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë i ndërtimeve me destinacion agroturizmin.

Tatimi mbi dividentin u ul nga 15% në 8% për 15 mijë kompani. Kalimi i kufirit të tatimit të pagës me 23% nga 130 mijë në 150 mijë, ku kanë përfituar 16 mijë të punësuar dhe sigurisht që ulja e TVSH, apo heqja e TVSH për një sërë shërbimesh, apo mallrash, duke përfshirë edhe imputet bujqësore.

Ndërkohë, dua të ndaloj tek qasja sociale. Vetëm për vitin 2018, mbi 97% e të punësuarve, pra rreth 647 mijë me paga nën 130 mijë lekë në muaj, përfituan 14.6 miliardë. Dua ta fiksoni, për shkak të taksës progresive “kush fiton më pak paguan më pak”, në xhepat e shqiptarëve janë 146 milionë dollarë më shumë, vetëm për shkak të taksës progesive. Sfidojeni si shifër. Aplikojeni sistemin që kemi ne sot me taksën progresive të kuptoni që sot nëpërmjet vetëm kësaj politike që nuk është vetëm fiskale, por është edhe politikë sociale në xhepat e qytetarëve, pra në vend që të ishin në buxhet, sot janë në xhepat e qytetarëve 146 milionë dollarë. Sigurisht që fillojnë dalin analistët, pseudo-analistët që s’kanë lidhje fare jo po ku janë, apo ku s’janë. Ky është një debat që sigurisht do vazhdojë pafund midis të vërtetës, gënjeshtrës dhe mosdijes, kjo është e sigurt fare. Këtë as do ta mbyll unë si debat, as do ta mbyllë ai që do të vijë pas meje, apo ata që do vijnë pas nesh.

Këtë tabelë merreni me vete ju lutem, tregon si e takson qeveria Rama, si e takson kjo mazhorancë, si e takson mazhoranca e majtë punën. 5.5% me mesatare nën 130 mijë lekë. 5.5%, më e ulta në rajon. 5.5%, jam shumë krenar për këtë. Të ulësh borxhin, të mbash defiçitin nën 2% dhe të kesh mesataren më të ulët të taksimit të punës, kjo do të thotë të jesh i majtë. I majtë nuk je me llafe, me agjitacion nuk je i majtë. I majtë je me sa e ke ulur barrën fiskale dhe sa je kujdesur në favor të atyre që kanë më shumë nevojë, dhe sa i kujdesshëm ke qenë në anën tjetër që të mos iu rrisësh borxhin në kurriz, kjo do të thotë të jesh i majtë. Kjo qeveri është purifikisht e majtë dhe ka krenari për këtë, por jo me agjitacion, me shifra.

Ulja e taksave për biznesin e vogël. Sot janë 91% e bizneseve që paguajnë zero ose 5% dhe ky nuk është agjitacion i majtë. Kjo është vëmendje ndaj sipërmarrjes që ka më shumë nevojë, pra sipërmarrjes së mesme dhe të vogël.

Prap debati, “a është kjo qeveri e majtë”?

Për reformën në sigurimet shoqërore, sigurisht që me modesti ndaj me ju shifrat e Bankës Botërore për varfërinë. Merreni me vete. Po ta shikoni, viti 2012 ka qenë kulmi i varfërisë, këto janë të dhëna të Bankës Botërore, nuk janë të dhënat tona. Sigurisht që varfëria do shumë punë dhe nuk zhduket me agjitacion. Varfëria, të dalësh të thuash që “duhet të mendojmë për të varfërit”, nuk zhduket. Varfëria zhduket me reforma. Varfëria zhduket duke ulur borxhin publik, duke e bërë klimën e biznesit më mikpritëse, duke hapur vende të reja pune, kështu zhduket varfëria. Varfëria nuk zhduket duke ngacmuar emocionet e të varfërve çdo ditë, “jo po je i varfër se është Edi Rama atje”. Ja Edi Rama, e ka marrë detyrën në 2013, në kulmin e varfërisë dhe ja ku jemi sot. Sigurisht që është e vërtetë që ka shumë punë për të vazhduar, e shumë reforma për të luftuar varfërinë, por jo me agjitacion. Të dalësh të bësh agjitacion për të varfërit, variant që kemi parë në shumë vende të tjera medemek “anti-establishment”. Të bësh reforma është anti-establishment dhe këto janë reforma.

Ndërkohë ju kujtova politikën e pagave. Kjo me ngjyrë të kuqe është ajo që nuk iu ka dhënë dot opozita e sotme që nga 2013, ja diferenca 7.2 miliardë dhe shikojini pastaj këto thërrimet që iu kanë dhënë të punësuarve në sektorin publik, apo në sektorin buxhetor. Vetem në 1 vit, zgjeruam Fondin e rritjes së pagave 2.2 herë më shumë se qeveria e mëparshme në 4 vite të marra së bashku.

Ndërkohë, kompensimet për pensionistët. E dini, ka një grup kompesimi brenda pensionit që ka të bëjë me energjinë, që ka të bëjë me të ardhurat minimale dhe për bukën. E dini sa është sot? Është 110 milionë dollarë. Nuk është mjaft. Kur e nis nga një stad i ulët asnjëherë asgjë nuk është mjaft, por ama kur trendin e ke pozitiv, sigurisht që kjo të bën të mendosh, kjo të bën të kesh shpresë dhe kjo të bën mbi të gjitha të mos heqësh dorë nga reformat.

Ndërkohë, këtu kam shumë elementë të politikave sociale, që nga subvencionimi i librave falas. Politikat sociale në shëndetësi, janë të papreçedenta në kuptimin më pozitiv. Sigurisht që ka shumë për të bërë në sektorin e shëndetësisë publike, po shumë shumë, por mos harroni që janë 600 mijë qytetarë të pasiguruar që përfitojnë vizita falas dhe rimbursim. 600 mijë qytetarë të pasiguruar dhe të lënë deri dje në mes të rrugës. Kjo është e majtë. Kjo është qeveri e majtë. Pjesa tjetër është agjitacion. Të dalësh të thuash “shiko se çfarë po bëjnë të varfërit”, e të tjera, e të tjera, nga podium komisionesh apo foltore parlamenti, është agjitacion.

Përgjigjia “a është e majtë Qeveria Rama apo jo”, ka vetëm një përgjigje, është e mjatë e pastër purifike sepse është kujdesur për të dyja anët. Nuk ka ngarkuar shqiptarët me borxhe, e ka ulur, e patë sesi ka shkuar borxhi, dhe në anën tjetër është zgjeruar me paketat sociale. Ky nuk është agjitacion, kjo është e vërtetë, pavarësisht dritëhijeve që ju detyroheni t’i hidhni televizioneve tuaja për shkaqe emocionale të ndryshme që “nuk më pëlqen ministri, nuk më pëlqen Kryeministri, nuk jam i bindur”, etj, etj. Patjetër, këto dritëhijet tuaja janë pjesë e bukur e kontornos normale.

Rimbursimi i barnave ka shkuar 10.4 miliardë lekë, që i bie 100 milionë dollarë. 100 milionë dollarë rimbursimi i barnave. Politikë sociale e vërtetë në thellësi të problemit dhe ndërkohë që, mos harroni që këtu kam që në vitin 2013, ilaçet e kishin TVSH 10%. Atë që unë e kam quajtur taksa e sëmundjes. Ne e hoqëm, e zeruam, edhe për shërbimet dhe materialet e zeruam TVSH-në dhe sigurisht që është një lehtësim ngarkese serioze.

Këtu kam një grafik shumë interesant që merreni sfidojeni, krahasojeni me shifra si të doni. Të asociuar të majtë, të asociuar në qendër, të asociuar të djathtë, merreni këtë shifrën. Në 8 vite PD dha 10 miliardë lekë për pensionistët. Vetëm në 5 vite Qeveria Rama ka dhënë 11.2 miliardë, 110 milionë dollarë vetëm në 5 vite. Imagjinoni që të ecim në të njëjtin temp për rreth 3 deri në 3.5 miliardë, do të thotë që deri në fund të mandatit të dytë, të japë dyfishin. Të shkojë gati 21- 22 miliardë lekë, që do të thotë rreth 200- 220 milionë dollarë. Pra, të vërtetat, pastaj kur iku njëri ministër hajde ta shajmë, erdhi tjetri hajde t’i biem, kjo është histori që kalon tek emocioni. Shifrat na kanë mësuar që jo vetëm të mos kemi emocion, por ta ruajmë emocionin brenda vetes.

Rritja e pensioneve është 4.4% çdo vit. Kombinimi i indeksimit dhe i paketës së solidaritetit, 4.4% është minimalisht rritja e pensioneve çdo vit, e fondit të pensionit.

Këto ishin ato që unë doja të ndaja me ju për të dyja arsyet e rëndësishme, për mbylljen e suksesshme të viti 2018 dhe sigurisht, për ndryshimet e rëndësishme që janë bërë në kabinet.

Faleminderit!