Postuar më: 14/12/2018

18.8 milionë euro investime për kampuset universitare. Nënshkruhen 3 marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë Shqiptare, qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe qeverisë Franceze.

18.8 milionë euro investime për kampuset universitare. Nënshkruhen 3 marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë Shqiptare, qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe qeverisë Franceze.

 

U nënshkruan sot në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë tre marrëveshje të rëndësishme mes qeverisë Shqiptare, qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe qeverisë Franceze.

Të pranishëm për nënshkrimin ishin Ministri i Finacave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë znj. Susanne Schutz, Ambasadorja e Republikës së Francës znj. Christina Vasak, Përfaqësuesi i bankës KfW z. Christoph Tiskens dhe Përfaqësuesi i Agjencisë Franceze për Zhvillim z. Dominique Hautbergue.

  • Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës në lidhje me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”

Qëllimi i këtij Memorandumi Mirekuptimi është vazhdimi i angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të finalizuar reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri. Ky reformim do të përfshijë, ndër të tjera, hapin e parë drejt ndarjes së OSHEE – Furnizuesit Universal dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, krijimin e Burses të Energjisë (APEX) dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues me shumicë.

Ky është një dokument thelbësor si pjesë e instrumentit “Huatë e Bazuara në Politikat e Reformës” (PBL). Reforma shtrihet ne drejtime të shumëfishta: strukturore, operacionale dhe financiare. Për më tepër, Plani strategjik shqyrton dhe ndërton angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me procesin e anëtarësimit në Komunitetin e Energjisë dhe në BE.

  • Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.

Qellimi i marreveshjes është që t’i mundësojë Republikës së Shqipërisë ose marrësve të tjerë, të cilët do të zgjidhen bashkarisht nga të dy Qeveritë, që të marrë nga KfW, për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”, shumat e mëposhtme:

  • një kredi të butë nga KfW, e cila jepet në kuadër të bashkëpunimit publik për zhvillim në vlerë të përgjithshme deri në 30.000.000 euro (tridhjetë milionë euro);
  • një shumë financimi prej gjithsej 2.000.000 euro (dy milionë euro) për masat e nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikqyrjen e projektit.

 

  • Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”.

Ky financim (Faza III) 2,927,000 milion Euro në formën e grantit do t’i bashkohet financimeve të akorduara më parë nga Qeveria Gjermane në vlerën prej 4,500,000 Euro (Faza I) dhe 2,032,179.23 Euro (Faza II). Të tre këto faza kanë të bëjnë me Qytetin Studenti Nr.1 dhe parashikojnë rehabilitimin e 9 konvikteve të Universitetit të Tiranës me parimin e efiçencës energjetike. Kosto e projektit për rehabilitimin e këtyre të konvikteve të Universitetit të Tiranës me efiçencë energjetike, vlerësohet në shumën totale prej 11.35 milionë Euro duke përfshirë edhe TVSh-në.

Ndërkaq, në fazën e përfundimit të plotë është projekti i mëparshëm i rehabilitimit me efiçencë energjetike i konvikteve të Qytetit Studenti Nr.2, siç njihen ndryshe konviktet e inxhinierisë pranë 21 Dhjetorit. Vlera e financimit për këtë projekt përfshirë kostot lokale dhe TVSH ka qenë 7.44 milion Euro. Projekti parashikonte rehabilitimin e plotë të 4 konvikteve të inxhinierisë së ndërtimit. Dy konviktet kanë përfunduar që në muajin Korrik dhe tanimë studentët banojnë në to ndërsa dy të tjerat përfundojnë brenda një periudhe 1-2 mujore.

I gjithë projekti i dakordësuar deri më tani dhe i garantuar me financim për Qytetin Studenti Nr.1 dhe Qytetin Studenti Nr.2 arrin në 18.8 milion Euro.

Ndërkaq, qeveria është në bisedime të mëtejshme për të garantuar edhe financimin për rehabilitimin e plotë të gjithë konvikteve të mbetura jashtë këtyre projekteve në Qytetin Studenti Nr.1.

***

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Sot nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi të rëndësishëm për mbështetjen e reformimit të mëtejshëm të sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri, i cili në fakt thekson edhe njëherë linjat e bashkëpunimit të deritanishëm, të vazhdueshëm, por sidomos atij të ardhshëm mes qeverisë shqiptare dhe qeverive gjermane e franceze, pra një bashkëpunim trepalësh, të cilat gjej rastin t’i falënderoj edhe një herë në emër të qeverisë shqiptare, për mbështetjen që në vazhdimësi i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e gjatë të transformimit ekonomik, të zhvillimit dhe të modernizimit të shumë sektorëve.

Siç e dini, reforma në sektorin e energjisë ishtë një nga betejat kryesore që profilizoi mandatin e parë të qeverisë Rama, si pjesë e rëndësishme dhe e sukseshshme e një axhende agresive reformash në shumë sektorë kyç, me qëllim pikë së pari rikthimin e ligjshmërisë së harruar dhe të munguar prej vitesh, e së dyti, për reformimin, me qëllim reduktimin e humbjeve, përmirësimin e strukturës së çmimeve, rritjen e investimeve në rrjet e patjetër edhe kthimin në territor pozitiv të performancës së operatorëve, që sot është një fakt shifror i padiskutueshëm.

Sot natyrisht kemi një realitet tjetër por, përtej shifrave, ajo që unë dua të theksoj është rëndësia e vazhdimit të reformave. Qeveria “Rama 2” ka hyrë në hapin e dytë të reformave të mëdha të transformimit të vendit. Është domosdoshmëri për vendin dhe ekonominë që ta ruajmë ritmin e reformave të mandatit të parë në çdo sektor, përfshirë dhe atë në energji, dhe të avancojmë më tej drejt modernizimit, diversifikimit, për të balancuar impaktin e kushteve atmosferike që ne i hasim shumë shpesh, ekstreme disa herë, por edhe për të promovuar burimet alternative si psh. suksesi i qeverisë dhe i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me procesin e tenderimit të fotovoltaikeve, ku shumë kompani të mëdha me emër të rëndësishëm në sektorin energjetik global morën pjesë dhe sigurisht, e shoqëruar e gjithë reforma me incentive të drejtpërdrejta fiskale, të cilat kaluan me Paketën e fundvitit në Parlament.

Memorandumi parashikon mbështetje nga KfW dhe AFD në kuadër të reformës së ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare në fushën e energjisë elektrike, nëpërmjet huadhënies në formën e mbështetjes buxhetore si më poshtë:

  • Hua nga KfW në vlerën prej 100 mln Euro parashikuar për vitin 2019, dhe një transh i dytë i mundshëm në vlerën prej 50 mln Euro për vitin 2020;
  • Hua nga AFD në vlerën prej 50 mln Euro për vitin 2019, dhe një transh i dytë i mundshëm në vlerën prej 50 mln Euro për vitin 2020;

Nëpërmjet një Plani Strategjik (Roadmap) të hartuar krahas Memorandumit të Mirëkuptimit, synohet krijimi i një rruge të qartë për reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri, hapat dhe përgjegjësitë institucionale, elementët në të cilat do të zbatohet reforma si dhe treguesit për tu arritur, mbi të cilët do të mbështetet dhe operacioni i huadhënies nga këta dy kreditorë.

Përfitimet e reformës së propozuar mund të përmblidhen si krijimi i një tregu që prodhon, transporton dhe konsumon energji elektrike në mënyrë efikase, si dhe një treg që ndërmerr investime që kanë fitime më të larta për kompanitë dhe çmime më të ulëta për qytetarët.

Ky bashkëpunim parashikohet të shtrihet në dy horizonte kohore të zbatimit dhe monitorimit. Horizonti i parë pritet të fillojë në fund të vitit 2018, pra pas një jave në fakt, dhe të vazhdojë deri në tremujorin e tretë të vitit 2019, në mënyrë që horizonti i dytë është nga tremujori i katërt 2019 deri në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Së fundi por aspak për nga rëndësia, para se ta mbyll, dy fjalë edhe për një linjë me atë që ndodh me aktualitetin në Shqipëri. Një nga marrëveshjet që firmoset sot është edhe ajo për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjetike, faza III”.

Një investim në favor të përmirësimit të ambienteve të universitetit, në favor të përmirësimit të kushteve për studentët dhe ky është patjetër një reflektim serioz për atë investim gati 18 milionë euro që qeveria Shqiptare, me ndihmën e KfW-së të qeverisë Gjermane është duke bërë me faza të ndryshme në kampuset universitare, dhe sigurisht që një premtim që ky investim do të vazhdojë për të plotësuar atë premtim që ka dhënë Kryeministri për deri në fund të mandatit të dytë në lidhje me rikonstruksionin e Qytetit Studenti, dhe jo vetëm, apo dhe të Kampusit Universitar.

Faleminderit.